Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Daci: FUSHA E PESHTERIT (4)

Agjencioni Floripress: Ali Daci(1959-)

Ali Daci

 

LOJRAT TRADICIONALE TË PESHTERIT TEK KROJET E GJERGJ ELEZ ALIS (Dita e Ali Gjynit)
Faktikisht këto lojëra janë pak të njohura ndër shqiptarët, por që kanë një lidhje jashtëzakonisht të ngushtë me gjenezën shqiptare, me traditën dhe mitologjinë e kombit shqiptar. Rrjedhin nga lojërat tradicionale kelmendase që zhvilloheshin kohë më parë në Fushën e Peshterit, afër burimeve të ftohta tek Krojet e Gjergj Elez Alisë. Një pjesë e tyre edhe sot e gjithë ditën kanë ngele të pa prekshme dhe populli i rrafshnaltës se Peshterit tubohet për çdo vit aty për të zhvilluar kulturën shpirtërore e materiale të këtij populli të lashtë më një gjenezë të pastër shqiptare, ashtu siç është uji i akullt i krojeve të Gjergj Elez Alis. Banoret e Pazarit të Ri, Sjenices, Tutinës, Dugopalanës, Rozhajës, Ribariqit, e të fshatrave për rreth në Fushën e Peshterit, afër këtyre burimeve të ujit të kreshnikut legjendar shqiptar, me 2 korrik për çdo vit aty takohen dhe kjo datë shënon njëkohësisht festën e vjetër katolike të Ditës së Njeses. Në këtë fushë ku mitologjia popullore shqiptare thotë se Gjergj Elez Alia mundi Bajlozin e Zi, zhvillohen lojërat popullore, si ato të hedhjes së gurit nga krahu,të hedhjes së shtizës, mundja, pastaj vrapimi i kuajve,dyluftimi i taroçave, dyluftimi i deshve, e lojëra të tjera popullore që kanë një traditë të mirëfilltë shqiptare më karakter edhe pagan. Këto lojëra janë kryesisht të karakterit garues dhe në to marrin pjesë kryesisht meshkujt me më fuqi dhe talent, por edhe dukja e mashkullit këtu vlerësohet shumë nga gjinia femërore e posaçërisht kureshtare për të parë trupin e viganit më të bukur të këtij manifestimi janë të interesuara vajzat beqare dhe nuset e martuara gjatë asaj pranvere e vere. Pas shpalljes së fituesve me parë në ketë fushë u silleshin qengjat e pjekur në fërlik. Shtrohej sofra bujare për familjaret por në radhë të parë ajo shërbente për miqtë dhe fituesit e lojërave. Një interesim të madh ka zgjuar gjithmonë hedhja e gurapeshit, siç e quajnë vendasit hedhjen e gurit nga krahu. Këtu si në kohën e Gjergj Elez Alis ,hedhja e gurapeshit matet me hapa, ndërsa diferenca e garuesve më gjurmën e këmbëve. Shumë nga të rinjtë e kësaj zone e posaçërisht barinjtë me padurim e presin këtë ditë, pasi që ata të jenë përgatitur tinëz nga shokët për të triumfuar në këtë ditë të shënuar e historike për ta. Në saje të zhdërvjelltësisë dhe talentit por edhe të fuqisë, njëri nga ta gjithmonë fiton garën, por me fitoren e kësaj gare fitohet edhe simpatia nder vajzat kureshtare të cilat në këtë zonë janë të shumta dhe dallohen për shtatëlartësinë dhe bukurin e tyre. Garë tjetër shumë interesante e që ka një konkurrencë të madhe e për të cilën shpërblimi është më i madhi është vrapimi i kuajve. Kuajt mbahen të azdisur dhe shumë të stërvitur për garën. Dimrit këmbëve u vishen jastëk të rendë nga rëra të punuar apostafat për t’ju rënduar këmbët, behën ushtrimet e duhura dhe u epet tagjia me kujdes. Kur ati apo atkina del në fushë të mejdanit, ai ose ajo duket se fluturon me krah, i hiqen çorapët e çimentos dhe ai nuk i ndien këmbët e veta mbi fushën e but tek krojet legjendare të Gjergj Elez Alisë. Shpesh ka ndodh që kali në start të shkel këmbën e parë më të mbramën nga ngutja për të startuar i pari dhe ta thyejë atë, ose të pëlcas nga shpejtësia dhe binxhia i cili nuk ia shtrëngon frerin si e sa duhet. Pas kësaj fitoreje kërcet pushka dhe lëvdohet i zoti i shtëpisë për atit të shalës, por edhe ledhatohet kali fitues dhe dekorohet me kupën e fitores e orendi tjera dekorative, kuptohet shumë të çmueshme. Një nga fituesit e kësaj gare kishte fituar një lahutë shumë të shtrenjte të skalitur në dru me dy brirë dhie të nxjerrura në maje briskut në bishtin e saj. Pastaj vazhdojnë, si në arën, të kapën qetë, kryesisht taroça shumë të fuqishëm dhe të rryer për ketë luftë. Këtu barinjtë peshterak kanë gjelozi të madhe dhe shpesh me brisk ju mprehin brirët të luftetarëve të tyre. Humbësi i kësaj gare ka traditë të pranoj humbjen dhe të arsyetohet në klimën ose kullotën e pamjaftueshme që ka mbretëruar në atë rrafshlartë. Gara më desh sykana që kanë trup të gjatë e të lartë e brirë të sjellur deri në tri here rreth veshit është mjaft interesante dhe ndodh që një dash, siç janë desht e Ugllës apo Baçicës e Boroshticës apo Dolit të mundin deri në 5 kundërshtar gjatë garës. Pas përfundimit të dyluftimit shumica përfundojnë në brisk nga pronaret pasi që atyre u është përgjakur balli ose u është ndarë në dysh. Kjo nuk është vetëm garë por edhe prerje e deshve dhe pjekja e tyre behet aty për aty ku njerëzit kanë mundësi që të shijojnë mishin shumë të këndshëm të sykanit, bardhokanit , rudanit e sorranit apo edhe balushanit.

Image may contain: one or more people and outdoor

VALLËZIMI

Në vallëzim mbizotërojnë vallët serbe, si çaçaku, moravac, zhikino e rrallë hidhet shota.
Pasiqë të kenë përfunduar garat, fillon vallja dhe kënga. Dikur, pohojnë pleqtë e këtushëm dridhej toka nën këmbë nga kumbimi i daulleve dhe këngës shqiptare ku ushtonte pushka deri në rrafshinat e pa dukshme të Peshterit. Hidhej vallja e përbashkët, dora doras meshkuj e femra tok. Aty, luhej syri e çohej vetulla dhe shtrëngohej gishti e pëlqeheshin rinia në mes veti. Ky vendtakim ka qenë më shekuj edhe vend i njoftimeve në mes të rinjve. Ato njoftime kanë pasur më martesa të cilat janë shoqëruar me grabitjen e vajzës, ose njoftime të cilat miqësisht kanë përfunduar në bashkëshortësi të përjetshme, andaj edhe ky ka qenë një shkas i ardhjes aq masive i të rinjve në këtë datë të cilën gjatë gjithë vitit e kanë ëndërruar si zgjedhje te fatit të vet shumë të rijnë e të reje, por e dhe të moshuar e të veja. Veshja kombëtare dikur në tirq e xhubleta ka qenë prioritet dhe rregullimi e andulimi i femrave dhe dukja e bukur e mashkullit kanë bërë që të shtohet vlera e materialit shpirtëro,ruajtja dhe begatimi i kostumeve popullore ka qenë një kulturë e pasur materiale. Me kalimin e kohës dhe me asimilimin e popullatës janë zhdukur gradualisht edhe zakonet shqiptare. Bashkë me to është zhdukur edhe monumenti më i shenjt i kombit, gjuha e bukur shqipe. Sot, disa zona rurale të kësaj treve e flasin gjuhën shqipe. Baçica, Leskova, Ugëlla, Karajukajt, Cetanoviqi e Doli din ende të flasin dhe këndojnë shqip. Të rrallë janë ata që shqip dine të shkruajnë, pasi që këtu nuk ka shkollë në gjuhën shqipe. Kur do të ngritët Gjergj Elez Alia nga shtrati i vdekjes më nëntë plagët në trup në fushë të Peshterit pritet të shihet. Urojmë që Gjergjit mos t’i merret motra nga Bajlozi i Zi.

Binxhiu më i degjuar i Sanxhakut Mul Bibaj.

Please follow and like us: