Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: SHPRESA

 

Ela Zdrava: NË SYTË E TU U PENGOVA - Albspirit

Shpresa është gënjeshtare,

zvarrë të degdis në luginë të madhe,

me një pikë ujë larg t’shtegton,

vrapon në të pafundmet livadhe.

 

Shpresa është tinëzare,

shkëlqimin e ëndrrës ta ndryshk,

mysafire e ngelur pas dere,

me dhuratën në dorë: myshk.

 

Shpresa është endacake,

rreth orbitës tënde rrotullohesh,

ujë burimi që s’shteron,

ta shuan etjen sa herë lodhesh.

 

Shpresa është shtegtare,

një thërrime t’i jep fuqi krahëve,

pulëbardhë në fluturim të kaltërsive,

lodron e shkumëzon mes valëve.

 

Shpresa është diellore,

t’i zgjidh duart, zemrën, gjuhën,

arrin të bëhet edhe mizore,

kur ta zgjat aq shumë torturën.

 

Shpresa është eshkë,

n’stuhi e orteqe ndez shkëndi,

ujëvarë që të zbret në agime,

ylber pas të krisurit shi.

 

Shpresa është qiellore,

për ty i hap gjithë qiejt,

edhe lulen e çel ndër gurë,

akull, që ndez prush diejt.

Please follow and like us: