Albspirit

Media/News/Publishing

Ilmi Kasemi: Eqrem Çabej, Effigie…

 

Phisionomos. Në emër të fizionomisë.

Portret ashtu siç ka qenë së jashtmi.

 

Me të përbrendshmet merret doktori, jo skulptori. Edhe kasapët natyrisht.

Sa bukur është kur ne sot, pas dymijë vjetë e gjysmë mileniumi, shohim portretin e Sokratit ashtu siç ka qenë. Sa mirë do ishte sikur fotografia të kish lindur në kohën e tij.

Ka një raport midis së jashtmes dhe të brendshmes, që në artin pamor është në favor e para. Flokët ndryshon njeriu dhe ne kemi ndjenjë habie, në përballjen me të. Sepse ka një standard të kristalizuar fizionomia. Ka dinjitet. Është vetë natyralisht e përkufizuar. Nuk mund të nëpërkëmbet dhe as të hiperbolizohet në kufijtë e groteskut apo të karikaturës.

Një njeri i hollë dhe i gjatë kur bëhet monument, nuk mund të katandiset në një gozhdë me kokë. Nëse do bëjmë karnavale po, gozhda i rrin mirë ngjashmërisë për të bërë gallatën e ditës.

Logjika e do që Çabej të jetë Çabej.

Jo gjithmonë ajo që do artisti, i shërben “konsumatorit” në brezni. Me ‘kështu dua unë’, nuk bëhen punët e botës.

Bëhen vetëm punët e mia.

Imagjinoni të supozoni pritjen e Çabejt sot, në një ambjent ku të dëshironi, tek Akademia psh, po ju ndihmoj. Ju mezi po e prisni.

Dhe të vijë jo Eqeremi por Esherefi, roja i vreshtit apo pensionisti në radhë të qumështit. Ose vajgurit si të doni.

Unë kamë akoma për të thënë me fjalë.

Ju bëni dhe kuptojini si të doni, këto që po them.

Sot po e publikoj këtë bust, pa bravura, gënjeshtra apo bugiardo dhe do t’iu lutesha ta shikonit jo si foto, por si skulpturë pa tangërlliqe. Kjo është një ‘Effigie’ e një personazhi ilustre. Komentatorëve do t’iu thosha që në rastin e mungesës së shëmbëlltyrës, të mos mashtrojnë dynjanë, me modernitizma të libertas së balturinave dhe argumentin e fotos së kartës së identitetit, ta përdorin ku e ka vendin karta. Jo të klonojnë karta, për bankomatet e mëndjes, së kaptinës së shqiptarëve të shkretë, që kanë më shumë se njëmijëepesqind vjet, që nuk kanë par skulpturë me sy.

Edhe sikur t’iu bindë antishëmbëlltyrsi, unë them mos i besoni, sepse në fakt ‘Effigie’ është shëmbëlltyra, ikona, ngjashmëria fizike, pamja e jashtëme, dukja, prezenca e individit ilustre dhe gjesti natyrisht. Por një gjest mund të jetë edhe një ves, përshëmbull i dorës që kruan hundën apo mjekrën dhe si i tillë nuk mund të merret si njësi identifikuese.

Pa këto që rreshtova më lart dhe duke përjashtuar vesin, s’ka effigie, s’ka portret, s’ka bust, s’ka karakter dhe shëmbëlltyrë të individualizuar fortë.

Kjo është trajta e identitetit në volume në materje të ngurta, jo në karta të plastifikuata.

Sepse ndryshe ka konfuzion, retorikë xhazi, tallava plastiko-melodike, qejf i sipërfaqes.

Aheng plastik e tekstural.

Kur Gjergj Kastrioti shkonte në Romë dhe Napoli, zotërinjtë e politikës, “shtetit” dhe fesë atje, dikur në Italinë oksidentale, vendosnin artistë klasi të riprazantimit të imazhit. Këta artistë ishin me aftësi të lartë riprodhuese dhe kësisoj bënin “foton e kartës së identitetit” me penë dhe bojë, ajo që sot fatkeqësisht, mungon për imazhin e Gesù Krishtit.

Ne sot kërkojmë marrëzisht t’i ikim fotos, imazhit të vërtetë, sepse sa më shumë t’i ikim kartës së identitetit aq më komun është imazhi. Në fakt ky është korrupsion idolatrik, i nisur në vitet kur kam lindur unë, ku asokohe, mjaftonte t’i bëje portretit, harkoren e mbivetullorit, harkoren e ballit të kufizuar nga një vijë floku, pak hundë dhe shumë pak buzë të holla arabi, të mbërthyera aq fortë nga inati, sa shpërthimi i brendshëm i gazit të kuq, dukej në zigomatikët e dalë prej siberiani dhe maseterët e stërdalë që zëvendësonin pllakat mbrojtëse prej lëkure bualli, që ia vinin kalit tek sytë, dikur edhe tani. Pastaj nëpër konferenca e simpoziume kritikiste, këtë tip, për dy dekada e quanin, për me qenë në rregull me imazhin popullor, këtë fizionomi me volumtri aksesoriale të marra me qera, e quanin imazh shgabonje.

Ky bust që po publikoj në gesso, s’ka të bëjë as me zhgabonja qielli dhe as me zhabik toke. Është në studion time dhe u bë me kërkesën e Akademisë, tre vjet më parë, me fjalë, pa letra, sepse akademia jonë nuk merret me letra, por me fjalë. Në fakt më pajisi me letra fotografike, me imazhet e të ndjerit dhe të ndritur Çabej, që i nxorrën nga arkiva. Më thanë me që ke bërë A. Budën, mirë do qe të ishin pranë një stili, të bëra nga një dorë. Fillova punën në bazë të një preventivi të njëjtë me të parin dhe me një ide tjetër, integrimi të dy busteve.

Nuk më çuditi fakti përse u vendos një tjetër bust me dorë, pa më thënë një fjalë të paktën, meqë e pata nisur. Nuk më çudit pabesia institucionale në Shqipëri.

As autori në këtë rast nuk fajësohet, sepse atë e përzgjodhi familja e Çabejt. Aq më tepër që e njoh sepse para gjoksit tim ka pesëdhjet vjet që qanë dhe pas shpinës sime shan. Si skulptor ka ecur gjithë jetën me anatomik allçiu, që në dimensione të ndryshme i ka veshur me lëkurë balte.

Për të qenë i saktë, madje edhe një anatomik që e pata bërë kur isha në lice, ia dhashë se ma kërkoi, kur isha student, sepse i duhej për lëvizjen dhe korrektesën, e së jashtmes. Atëherë thosha hallall.

Sot them që, ç’mu desh mua të kontribuoja me anatomik klasik, në anatominë a soc-realizmit.

Kur ia kërkova pas shumë vitesh, në dhimo kroaci, më tha që ma ka thyer pastruesja e shtëpisë. Do qe kujtim i mirë për mua një kopjim në moshën 17 vjeç. E thash si shëmbull sa për rimë, këtë modelin anatomik, se nuk është lëndë primare për argumentin në fjalë dhe muhabetin që po bëjë pas pilafit.

Vajti dhe kryeministri në inaugurim.

Me tapeta të kuq e me kamera selektive dhe pak elit selektive.

Tek busti në fjalë, nuk bëj dot dallimin se për kë shkoi për autorin e studimit të gjuhës shqipe, apo për autorin e bustit me dorë.

Nëse shkoi për autorin e bustit gjenialo-interesant, nga ato të depove të armëve me Lenina, me një dorë me kokë, apo me një dorë mbi tavolinë me kokë, ky është hesap i tij. Nëse shkoi për babën e shokut dhe shokun e babës, ky është hesap tjetër. Mos qoftë kështu, por më duket se jemi akoma në nivele tribale komunikimi dhe sjelljeje protokollare. Kjo nuk është effigie e shtetit të vërtetë. Për shtetin unë nuk di më shumë se si duhet të sillet, se nuk di të bëj muhabet shteti, por duhet t’a dinë mirë artistët shqiptarë, meqë di të bëhmuhabet arti, jo servilët e artit shqiptar, se kjo lloj skulpture e nisur me start në vitet ’60 të shek XX. Është e stilit baltollogjik, është e dialektit balto-gotik, çeko-sllovak. Andaj këtu greko-romake qesëndiset, pale I-Liri dhe pellazgu.

Kur nuk dinim, rrinim.

Tani e dimë ç’është Zhgaba.

Me këto rrena dhe me programet akademike që vendosën për katër dekada, të përkthyera me gërma latine nga ato cirilike, krijuan një ordine militare në art, sepse me njërën dorë kazmën, dërmuan tharmin kreativ të bukurisë dhe harmonisë mesdhetare, klasike dhe moderne, kur ishim student dhe me dorën tjetër pushkën kërcënonin me vdekje. Na jepnin fotot e udhëheqësit për detyra skolastike dhe po mos të ishin në karakter fotografik, haje dhé në tunele. Sidomos udhëheqësi për vete duhej të qe effigie.

Punëtorët, fshatarët dhe intelektualët mund të kllaposeshin në antieffigien e gjuhës së çeliktë.

Tharm do të thotë individualitet.

Vdekje do të thotë; bëni humanoid gjoks metalik me këmisha zbërthyer, pantallona zbërthyer, dhe me armë e simbole mbërthyer. Dhe këtë mbërthim zbërthim arme, e dinin artistët dhe janë ata që ja kanë thënë partisë.

Ata ia mësuan formën partisë, sepse për përmbajtjn, nuk kish artist nëne që t’ja hidhte dot partisë dhe sidomos asaj të punës sonë.

Nuk ka fare lezet kjo gjendje perversiteti, i nostalgëve, që me nostalgjitë e tyre me imazhe algash e bajgash, po bëhen gazi i botës. Kush vjen nga bota, s’ka se si të mos mbetet i habitur nga kjo gjendje mizerabël e artit të skulpturës. Mos e konfondoni artin e Giacometit, plastikën e tij me figurën dhe imazhin konkret, personazhin real dhe historik. Njerëzit e Giakometit janë vetëm ideja e njeriut, nuk kanë as emër as trajtë e proporcione natyrale të vërteta, janë koncept.

Edhe në ka ndonjë personazh ai nuk bënë pjesë në oborre akademike. Andaj dhe morfologjia e skulpturave të tij është xhelatinoze, e rrjedhshme, me sipërfaqe rilevante, që ne pas viteve ’60, i implementuam dhe i quajtëm buxhardo (gënjeshtër), sepse artistët e kohës i thoshin birosë që t’i binte borisë dhe të prrokllamonte se; njeriu i ri përveç se është hekur, çelik i pa thyeshëm, ne në bronz do t’a bëjmë edhe si granit, do ta çukisim me martelin, që mos të ngjajë si njeri prej mishi. Kur thash se u bëmë gazi i botës, nuk është ngushtësisht fjala për sehirxhitë dhe turistët e botës, kjo është më shumë për ne që e jetojmë këtë vend por kur jemi jashtë këtij vendi, shkojmë e fotografohemi tek statuja e Dantes, gjuhëshkruesit të italishtes moderne dhe bëjmë bashkë me të selfi.

Kështu si po veprohet, në dekorin nacional të kujtesës dhe nderimit, nuk ka fare lezet gjëja.

I paharruar kujtimi i Çabeit, që e shkriu jetën për gramatikën.

Të paharruar dhe pasardhësit që shkrinë bronz pa gramatikë.

Ndërsa lëvduesëve hiperbolik të pasardhësve të bronzit a-gramatiqi-st, me dashamirësi mund t’ju them:

Jo andej tunxh.

Sepse sa të iki i fundit i gramatikës së bronzit të realizmit socialist, këtu do kemi vetëm portrete me karakter social, pa kartë identiteti. Kur të iki i fundit në botën e përtejme socialiste, atëherë do fillojë pastrimi dhe do t’i hynë punës ndërtimore etruskët, për të pastruar haletë dhe për të ndërtuar rrjetin e vjetër të kanalizimeve në Tiranë dhe më gjerë.

Dy fjalë Akademisë:

Bustin e Aleks Budës, hiqeni se i ngjan Aleksit. Këtë kërkesë e kam serioze sepse edhe unë u tregova i pa vëmendshëm në kohën e realizimit, se përveç se e donin të madh por edhe më treguan rrugën e zgjidhjes kompozicionale të bazamentit dhe harkores me dy bisedka guri, që të rrinë robt. Po ju drejtohem me shkrim drite në fb., jo me letër e bojë. Do jem më i nderuar të mos kem asnjë skulpturë në Tiranën. Futeni përsëri brenda, sepse për në interier u realizuar. Aman hiqeni se nuk durohet me roje nga pas. Është bërë si varrezë me gunga giardino e Akademisë. Edhe bazamentin, përveç idesë për t’a vendosur jashtë, Budën, e patën autoritetet e ndritura të arkitekturës, nga vet stafi i kësaj kështjelle të zymtë prej letre, që nuk merr mundimin asnjëherë të ballaritet me ngjarjet historike dhe aktuale të shtetit dhe shkencës shqiptare, të shkruaj dy llafe me bojë e letër.

Ta marri A. Shkreli dhe të bëjë një projekt siç duhet, se e shoh që ka njohuri dhe mendje për së mbari, në fushën e urbes, por që edhe ai si çdo mëndje hapur, në këtë vend, infektohet nga virozat e polit-art-arkitekturës. Si edhe unë që po shes mend, u infektova me këtë porosi akademikore.

Është imediat rikualifikimi ambjental dhe vendosja e skulpturave me karakter komemorativ, i personazheve të spikatur të mendjes.Të bëhet siç e do vendi dhe tradita më e mirë europiane, në këto hapësira elitare me karakter panteonik.

Shkencë dhe shkencëtarë Shqipëria ka nxjerrë edhe para Luftës së Dytë Botërore.

Në fund dy fjalë zemre për familjarët e dy busteve. Ju e bëtë tuajën, për njerëzit tuaj financuat dhe kjo është një meritë në vazhdimësi e familjeve tuaja, me zë të spikatur në kulturën e këtij vendi.

Nderim për ta!

8.8.2020.

Please follow and like us: