Albspirit

Media/News/Publishing

Pse gëzojmë kur një personaliteti të njohur i zbulojmë rrënjët shqiptare dhe vendosim perde përpara syve, kur njohim që një kriminel ka po atë origjinë?

Sabina Darova
Shkas për të dhënë dy vlerësime personale u bënë komentet e shumta të shqiptarëve emigrantë, të cilët u ndjenë të prekur nga mediat, pasi njoftuan mbi origjinen e terroristit të ISIS, me origjinë shqiptare nga Tetova, por lindur dhe rritur në Vienë. Ndjeva një revoltë në komentet e tyre dhe si fëmija që është i zenë në faj, u pozicionuan në rolin mbrojtës, duke kërkuar distancimin me të drejte ndaj aktit kriminal të djaloshit shqiptaro-austriak, por në të njëjtën kohë, kërkuan të vendosin duart përpara duke u justifikuar që nuk vjen nga Shqipëria.
Përse kjo?
Në të vërtetë djali është me origjinë shqiptare nga Tetova, zemra e Maqedonisë së Veriut, aty ku ndjenja e patriotizmit dhe ai identitar ështe jashtëzakonisht i theksuar. Pra, me rrënjë të thella shqiptare dhe me një besim fetar të edukuar.
Edhe një herë flitet për një rast të gjeneratës së dytë që lind apo rritet në një tokë të zgjedhur nga prindërit dhe jo nga ata vetë. Përse ndodhin ngjarje të tilla që trondisin mbarë ndërgjegjjen e njerezimit?
Shumë kush prej nesh, emigrantë që jetojmë në vendet europiane, vallë a e kemi pyetur ndonjëherë veten sa përqind ndjehemi shqiptarë dhe sa përqind italianë, francezë, austriakë e me radhë? A nuk jemi ne, prindërit e fëmijëve tanë që ju shfryjmë fëmijëve që në vogëli dufet dhe moskënaqësirat tona, mos realizimet, dështimet, duke ua hedhur fajin italianëve, francezëve e me radhë? A nuk jemi ne, prindërit që iu injektojmë vrer kundër sistemit duke mos lënë fjalë fyese pa thënë kundër vendasve? A nuk jemi ne që bëjmë sehir kur shohim djemtë tanë që nuk kanë dëshirë të studjojnë, por mblidhen e vërdallen qoshkave duke formuar grupe mes të rinjve shqiptarë dhe shajnë me libër shtëpie të gjithe emigrantët me origjinë të huaj (marokenë, tunizianë, rumunë e me radhë)? A nuk jemi ne që vërejme se duke u rritur fëmijët tanë vetëizolohen dhe ndjehen si ‘peshku jashtë ujit’ në jetën dhe aktivitetet e qytetit?
A nuk duhet ndalur e kërkuar shpjegimet në edukimin që ne u japim fëmijëve tanë? Sa prindër ju kërkojnë ndihmë psikologëve apo të komunikojnë mes tyre për të zgjidhur problemet, shqetësimet e rritjes dhe komunikimin prind e fëmijë?
Habitemi dhe mbrohemi duke thënë që është e vërtetë që pjesa dërmuese e shqiptarëve ështe myslimane, por në Shqipëri nuk ekzistojnë mercenarë.
Na vjen përshtat të shprehemi që këta njerëz nuk kanë të bëjnë me ne. Por, realiteti është krejt ndryshe.
Për fat të keq ky fenomen është i pranishëm dhe duhet njohur, kuptuar dhe luftuar.
Në një kërkim në google, ja si shfaqet panorama e pranisë së militantëve islamikë në pellgun ballkanik nga nënshtetasit shqiptarë:
  • Në Kosovë, në bazë të statistikave të policisë, afro 400 qytetarë, kanë marrë pjesë në gjashtë vitet e fundit në konflikte në Siri dhe Irak përkrah grupit militant të ashtuquajur “Shteti Islamik”. Thuhet se më shumë se 70 prej tyre janë vrarë.
Artan Muhaxheri, sociolog, ligjërues universitar, arsyet pse të rinjtë kosovarë i bashkohen IS-it, janë brishtësia e institucioneve të sigurisë, sistemi i dobët arsimor dhe papunësia e madhe në Kosovë
  • Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq bëhet e ditur, se 150 shtetas kanë marrë pjesë në luftërat në Siri dhe Irak si pjesëtarë të grupeve militante ekstremiste. Deri më tani 80 prej tyre janë kthyer, bëjnë të ditur zyrtarë të policisë.
  • Në Shqipëri, largimet e para të shqiptarëve drejt Sirisë e Irakut u shënuan që në 2012, e me pas kulmi i tyre arriti dy vite më vonë ku u numëruan përafërsisht mbi 144 shtetas shqiptare që shkuan në Siri dhe Irak si luftëtarë të huaj.
26 luftëtarë shqiptarë janë vrarë, rreth 45 janë kthyer, ndërsa 73 persona të tjerë gjenden ende në zonat e luftës, nga ku 18 luftëtarë e 55 gra dhe fëmijë.
Kryeplaku i Leshnicës, fshat në Pogradec, tregon që djemtë që iu afruan shërbimit si luftëtarë të IS-it, “kanë qenë djemtë më të mirë, të shkolluar. Jo se nuk kishin arsim e i gënjyen, por gjithsesi ishin çuna shumë të sinqertë. Dikush mund të thotë që ata ikën se e ndjenë, normal që ata besimin fetar e kishin, por them se ata u mashtruan”.
Kryeplaku tregon se xhamia frekuentohej nga shumë besimtarë të panjohur, të cilët vinin me një frymë të re, manipuluese, duke i bindur këta djem besimtarë që në Siri do të përballeshin me një botë të re. Kjo, nëpërmjet keqpërdorimit të fesë.
A ekzistojnë kontrolle nga ana e policisë në takimet e predikimet fetare që bëhen në qindra xhami që janë ndërtuar si kërpudhat në të gjithë territorin shqiptar? Cili është shërbimi i tyre i vërtetë?
Këto konsiderime, më shtynë të shkruaj e të shtroj disa pyetje e të vërteta të hidhura që shpesh i fshehim se e dijmë që dhembin. Në vend që të vendosim energjitë në gjetjen e e lidhjeve me çdo kusht të figurave të njohura me origjinë shqiptare, për t’u ndjerë gjoja të rëndësishëm e të mburremi përpara syve të botës, ndoshta është mirë të punojmë me vetveten. Të gjejmë gjithashtu së bashku, strategji edukimi për të rritur fëmijë të qetë, pa urrejtje e të mësojnë të duan e të ndërtojnë një të ardhme në një shoqëri multikulturore, pa dallim race, feje dhe ideje.
Please follow and like us: