Albspirit

Media/News/Publishing

Botimet Dituria publikojnë librin ‘Lideri nuk lind… bëhet’ të Iris Halilit

Fragment nga libri i sapopublikuar i dr. Iris Halili

 

Gjithkush ka lindur lider, por jo çdokush mund të jetë një lider i mirë!

Tek mendojmë për një lider, shpesh na vjen imazhi i një presidenti a kryeministri, një politikani, gjenerali apo CEO. Në fakt ata janë lider për nga profesioni, por kjo nuk do të thotë se vetëm ata drejtojnë. Gjithkush nga ne çdo ditë drejton, këtë e bën pa kuptuar e më së shumti në formë rituale. Çdo individ për aq kohë sa jeton edhe drejton!

Një nënë tek ngrihet çdo mëngjes dhe fillon të rregullojë punët e ditës, si të ushqejë, të shëtisë apo mjekojë fëmijët e saj, ajo pa kuptuar drejton; ajo udhëheq veprimtarinë e fëmijëve të saj të vegjël, çdo minutë të ditës së tyre dhe natyrshëm ajo kështu drejton fëmijërinë e tyre, duke krijuar çdo çast personalitetin e tyre. Drejtuesja e parë e njerëzimit ka qenë nëna me “profesionin” e saj të mëmësisë. Ajo mbetet lideri parësor që çdo ditë krijon në fakt bërthamën e karakterit familjar, shoqëror e botëror!

Lidershipi është instinkt i lindur i gjenit njerëzor, pak rëndësi ka seksi apo profesioni, mosha apo kombësia. Tek kërkojmë shërbimin e një kafeje në bar apo të një taksie ne as që na shkon në mendje se edhe kamerieri apo shoferi i taksisë janë në pozicion lideri. Por në fakt ata janë. Le të përfytyrojmë këtë situatë. Nëse kamerieri ka marrë dy porosi në të njëjtën kohë dhe njëra është ajo e një grupi vajzash të reja dhe tjetra e një grupi të moshuarish, një kamerier që ka normat e lidershipit etik do t’i shërbejë së pari grupit të të moshuarve.

Një shofer taksie duket sikur ka detyrë vetëm të drejtojë mirë makinën, të njohë të gjitha rrugët, por edhe të flasë pak dhe me etikë. Deri këtu saktë. Por ne pothuajse gjithmonë harrojmë se një shofer taksie para së gjithash është ai që na sjell apo risjell thjeshtësisht prezantimin e qytetit ku nesapo kemi zbritur së pari, apo që nee njohim prej vitesh. Ai padashur kthehet në lider tek na rrëfen rrugën më të bukur që ne duhet të vizitojmë si turistë të sapohyrë në qytet, apo një muze apo lulishte të re, të sapohapur në qytetin ku ne jetojmë prej vitesh.

Tani le të kthehemi në fillim të rasteve të përmendura dhe të mendojmë se çdo të ndodhte nëse shoferi i taksisë do të na sillte rrotull nëpër qytet pa na çuar në kohë në destinacionin e duhur, apo do na rekomandonte të vizitonim një pjesë të qytetit fare pa interes? Apo çdo të ndodhte nësekamerieri në bar së pari do u shërbente vajzave të reja, do bënte edhe një bisedë të gjatë me to dhe do të shpërfillte shërbimin në kohë të grupit të të moshuarve? Thjesht kuptojmë se për të njëjtën situatë, të njëjtin profesion dhe ndaj të njëjtit grup shoqëror, veprime të ndryshme, përcaktojnë akte të ndryshme lidershipi. Në të dyja rastet e kundërta do të kemi ushtrim të lidershipit, por diferenca vjen nga mënyra se si e ushtrojnë atë.

Kjo na çon në përfundimin se gjithkush ka lindur një lider, por jo gjithkush është një lider i mirë. Gjithkush në të njëjtën kohë mund të bëhet një lider i mirë kur bën zgjedhje të mira. Zgjedhjet e veprimeve të çdo individi janë rezultat i karakterit të tij. Lidershipi nga ana tjetër është pjesë e karakterit të njeriut, pasi është karakteri ai që formëson lidershipin personal. Karakteri është ajo çka ne përsërisim çdo ditë. Dhe ajo çka ne përsërisim çdo ditë është më së shumti ajo me të cilën ne jemi në kontakt çdo ditë dhe që bëhet pjesë e jona fare natyrshëm, krejt pa kuptuar dhe në formën më të përsosur të imitimit. Vajza synon të rrisë fëmijën e saj me modelin që ka parë nga nëna, mashkulli e trajton partneren sipas modelit që ai ka parë dhe në mënyrën si i ati ka trajtuar të ëmën; kamerieri në bar shërben sipas asaj që ka parë t’i shërbehet ndër vite apo sipas modelit që i është mësuar apo me të cilin ndeshet çdo ditë. Shoferi i taksisë po ashtu. Të gjithë imitojmë në masivitet çdo gjë rreth asaj me të cilën jemi në kontakt. Kjo është absolute! Çështja ngrihet çfarë modeli na ofrohet, kë zgjedhim të imitojmë dhe çfarë bën secili prej nesh për të përsosur modelin apo modelet dhe më së shumti veten? Lidershipi i mirë prodhohet kur imitohen modelet e mira dhe modelet e mira i prodhojnë shoqëritë e shëndosha, ndërkohë që shoqëritë më të shëndosha janë ato që mbështeten tek normat morale dhe shkalla e lartë e edukimit dhe vetëpërsosmërisë të çdo individi.

Universiteti ‘Uisdom’ promovon librin e dr. Iris Halilit me titull “LIDERI NUK LIND… BËHET”

“Lideri nuk lind ..bëhet “, libri i ri i Iris Halilit, që duhet ta keni në bibliotekën personale

Please follow and like us: