Albspirit

Media/News/Publishing

Ela Zdrava: MALLI NA ZURI N’ÇARK

 

Në rrugën tonë mbuluar nga gjethet,

eci mbi to me shpirt paksa trazuar,

s’ndihem vetëm, fëshfërijnë pemët,

me ty në sy, zemrën ngarkuar.

 

Asnjë takim për sot s’kishim lënë,

por ky mëngjes më solli shpejt këtu,

seç me kapi një mall, diçka për të thënë,

të flisja me pemët, me rrugën gjithashtu.

 

Edhe pse eci vetëm mbi arin e rrugës,

degët zhvishen ngrohtë t’më mbështjellin,

buzën tënde ëmbël ia ndjej buzës,

gjethet mbi trup përqafimin tënd m’sjellin.

 

S’e di pse fillova hapat për të numëruar,

fillova të numëroja gjethet, që binin përdhè,

seç më kap papritur një mall i pashuar,

ti m’del përballë, vjeshta arin rrëshqet mbi ne.

 

Ndoshta të tha zemra, që isha këtu,

ndaj të ndjeja kaq afër edhe pse ishe larg,

apo edhe ti ndjeve mall si unë gjithashtu,

mes gjetheve t’arta, malli na zuri n’çark.

 

 

09/11/2016, marrë nga përmbledhja poetike “Mos dashuro një poete”.

Please follow and like us: