Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Kadare: Ardhja në letrat shqipe e një autori origjinal si Fate Velaj…

Ismail Kadare

“Ardhja në letrat shqipe e një autori origjinal si Fate Velaj është një ngjarje letrare, një risi e papritur dhe e gëzueshme për lexuesit. Kemi të bëjmë me një autor tejet të veçantë, ndryshe në gjithçka, me një gamë të gjerë larushmërie përthithëse, plot freski dhe stil rrëfimtar të magjishëm.
Gjuha e shkrifët e plot kolorit e këtij autori është një grishje për lexim që duhet përshëndetur nxehtësisht”.

Rreth librit të Fate Velaj

“Itaka” titullohet romani i tretë i trilogjisë nga shkrimtari Fate Velaj, i cili është rrëfim ku liria fiton mbi modelin, një libër sipas recetës dhe përbërësve vetanak të autorit.

Në këtë libër, që u promovua më 13 shkurt në COD, Velaj përshkruan personazhet dhe ngjall kërshërinë e lexuesit, duke shenjuar realisht një letërsi të re, e cila hap portën e universit të letërsisë së sotme shqipe.

Më këtë roman Velaj ka krijuar një ngjarje të re artistike dhe historike: një trilogji autobiografike e cila është e vështirë të ndahet nga imagjinata mbasi, mjeshtëria e rrëfimit të autorit, kap majat e saj.

Në këtë roman shfaqet nëna, kjo qenie që edhe pse enigmat e saj thuajse janë si erërat që fryjnë e ndalojnë sa herë flasim e mendojmë për të, autori, na e paraqit jo vetëm në funksionin e dhembshurisë, por edhe si një bashkëbiseduese gjatë rrugëtimit të tij për në Itaka.

Gjatë gjithë rrëfimit letrar në roman, ai, nëpërmjet monologut për jetën, e përdor atë për të paralajmëruar ngjarje e fenomene që do të vijnë së shpejti në të ardhmen e tij që e përjeton si të tashmen.

Falë aftësive të larta krijuese, Velaj rrëfen si komunikon me malet, me gjethet e parkut, me ketrat brenda tij, zogjtë që fluturojnë si dhe ata pa krahë që qëndrojnë brenda veshëve të tij, me blunë e detin e shkëmbinjtë, me tubetat e ngjyrave dhe penelat kur pikturon si dhe me notat e simfonive të Beethoven-it.

Trajtimi i vërtetë artistik nëpërmjet ngjarjeve të jetuara dhe atyre imagjinare karakterizojnë personazhet e romanit plotësuar me mjete pulsive gjuhësore dhe figura letrare./ata.al/

Please follow and like us: