Albspirit

Media/News/Publishing

Kiço Kapetani: Spiro Dede, një majë e gazetarisë shqiptare

 

Tashmë që kam startuar në fillimet e moshës 82 vjeçare, përjetoj shpesh ëndërrime nga vitet e hershme të rinisë. Më dalin në ëndërr, si në një ekran televiziv shokë e miq me të cilët kam bashkëpunuar, por dhe jam frymëzuar prej tyre. Por në “stop kamera” xhirimet kanë mbetur tek bashkëkrahinasi dhe miku im më i mirë dhe më i preferuar Spiro Dede, njeri nga gazetarët më të shquar të atyre viteve.

***

Ishte fillimi i muajit Maj 1967 , kur ne 15 qendrat e rretheve Shkodër, Kukës, Peshkopi, Lezhë, Krujë, Durrës, Lushnjë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Berat, Elbasan e Skrapar nisën të botohen gazeta lokale. Asokohe punoja në ish-komitetin Ekzekutiv të Gjirokastrës, me detyrën e shefit të planit e të statistikës dhe si i tillë dërgoja shpesh  në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit” shkrime e korrespodenca informative e tematika nga fusha e ekonomisë. Njëherazi drejtoja dy rubrika në Radio Gjirokastra po për problemet nga fusha e ekonomisë.  Pikërisht, për shkak të këtyre dy faktorëve,  u trasferova në redaksinë e gazetës “ Pararoja”.

Miku im i ndjerë, Spiro Kufo (atëherë ishte korrespodent i“ Zërit të Popullit” për qarkun e Gjirokastrës), më qasi pranë e më ofroi detyrën e korrespodentit vullnetar të asaj gazete për rrethin e Gjirokastrës. I nxitur nga ajo ofertë, i ndjeri Spiro Kufo, na ngjiti, mua e kolegëve të e mi, në redaksinë e asaj gazete, këto vargëzime:

Ne jemi “ Pararoja”

Jemi shpresa e njerëzisë

Gazetarë nga nevoja

Me zyra në Komitetin e Partisë!

Ishin ofertat e të ndjerit Spiro Kufo dhe vargjet e thurura prej tij, që më bënë të afrohesha e të miqësohesha me Spiro Deden, i cili asokohe ishte gazetar në “ Zëri i Popullit”. U impresionova  nga shkrimet e tij të botuara në atë gazetë, por njëherazi ai , më ndihmonte edhe nëpërmjet redaktimit të shkrimeve të mia, njësoj si ai stilisti që zbukuron nusen kur martohet.

Përfitoj nga rasti për  t’i rikonfirmuar Spiro Dedes mirënjohjen e përzemërt , sepse kanë qenë posaçarisht redaktimet e tij që më bënë asokohe “Kapo Gazetar”.

Spiro Dede nga ana e vet, nisi ushtrimin e profesionit të gazetarisë në redaksinë e gazetës “ Zëri i Popullit”si korrespodent në rrethin e Tropojës. Shkrimet e tij me tërhiqnin e më frymëzonin , sepse i qëndiste si një nuse e bukur. Për pas asaj që shkrimet e tij shoqëroheshin me fakte konkrete e bindëse, përshkruheshin edhe me argumente adekuate, si dhe me frymëzimet e tij tipike djaloshare. Shkrimet e Spiro Dedes mbartnin përpos freskisë së Bjeshkëve të Tropojës, edhe ëmbëlsinë e tingujve të çiftelisë së rapsodes së shquar të asaj kohe Fatime Sokolit.

Qysh atëherë më ishte rrënjosur në vetëdije mendimi se Spiro Dede ishte gazetar i sërës së parë, i kompletuar nga ana profesionale, por edhe tërheqës e artist nga stili i shkrimeve të tij. Nuk e teproj aspak se si i tillë, ai ishte ngjitur në majat e malit të  Shëndëlliut ose të “Shkëmbit të Zhejit”, siç thirrej rëndom ai mal-kështjellë nga zagoritët.

Pasi e mbaroi stazhin në Tropojë Spirua u kthye në Tiranë në redaksinë e gazetës “ Zëri i popullit”.

Hap pas hapi  ngjiti shkallët e karrierës në atë redaksi një e nga një. Nga redaktor, u bë “i dërguar special” dhe nga i tillë në shef redaksie. Në përfundim u emërua kryeredaktor i atij organi.

Ishin vitet kur në “ Zërin e Popullit” u konstruktua një “detashment” me gazetarë elitarë me formim e frymëzim të jashtëzakonshëm, që bënë emër e histori në gazetarinë shqiptare. Në atë “formacion” bënin pjesë: Xhevahir Spahiu, Spiro Dede, Moikom Zeqo, Mehmet Elezi, Arshin Xhezo, Astrit Nuri, Shaban Murati, Vladimir Prela , Hamdi Jupe, Thimi Nika, Pavllo Gjidede, Bashkim Hoxha etj..

Për atë “detashment “ rapsodi popullor thuri në ato vite këto vargje:

Spiro Dedja me shokë

Nga më të mirët në ato kohë

Me penën e tyre të fortë

Në gazetari bënë epokë!

Në shkrimet e Siro Dedes, ashtu siç gjeja frymëzimin letrar, gjeja gjithashtu argumente të pakundërshtueshme. Po sjell si shembull, qoftë edhe një shkrim. Atë me  titull “Fryn erë Elbasani” i cili bëri jehonë në ato vite.

Ai shkrim shkaktoi “tërmet shumëballësh” në tërë redaksitë e gazetave të vendit. Asokohe Ramiz Alia , që ishte i gjithëpushtetshëm në fushën e shtypit, të Radiotelevizionit, të edukimit, të artit e të kulturës , iu kundërvu Spiros, në një konferencë shtypi. Por i “zuri sharra në gozhdë”. Nuk mundi t’a kundërshtonte me argumente, sepse Spirua i kishte faktet e “betonuara”, por dhe argumentet i kishte të kopsitura si rrallëkush. Në mbarim të konferencës së shtypit u dha porosia që ai shkrim të analizohej në redaksinë e gazetës së kryeqytetit, por edhe në forumet e Partisë-shtet.

Karriera profesionale e Spiros nuk u mbyll me qenien e tij kryeredaktor i “ Zërit të Popullit”. Pas atij posti , atij iu besua një detyrë më e rëndësishme , në institucionin më të lartë të Partisë-shtet, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë.

***

Qysh në fillimet e vendosjes së sistemit demokratik Spiro Dede u përfshi në mënyrë aktive në zhvillimet e reja demokratike e shoqërore, ku u bë bashkëthemelues i Partisë Socialiste dhe u zgjodh në forumet drejtuese të saj.

Spiro Dedja nuk i ka qasur kurrë intrigat, prapaskenat , cmirat e ambiciet për karrige e funksione drejtuese në Partinë Socialiste. Ndaj kur u përball me ato, u vetëdorëhoq nga postet partiake, por jo nga platforma e partisë.

U vetëlargua nga politika dhe ndërtoi e zhvilloi menjëherë biznesin e vet. Krijoi shtëpin botuse “Albin” në mënyrë korrekte e dinjitoze dhe, mbi të gjitha, mbi baza ligjore.

Aktualisht Spiroja është ndër më aktivet në veprimtaritë e Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Çajupi” të Zagorisë. Është bashkëthemelues i kësaj shoqate, edhe i gazetës së saj “ Zagoria”.

Dashurinë e malli për Zagorien e vendlindjen i ka të injektuara në gjak. I ka reflektuar edhe në krijimet e veta letrare e poetike. Ashtu si Dhimosteni i lashtësisë Helene që e mbante të ndezur fenerin edhe në mes të ditës së verës me diell të fortë, edhe Spiro Dedja nuk e shkëputi për asnjë çast nga dora fenerin e ndezur të Zagories, gjë që shprehet qartazi në vargjet e mëposhtme:

Zagori, Zagoria

Dritë e udhëve të mia

Në çdo hap e marr me vete

Nëpër pesë kontinente

I dëshirojmë dhe i urojmë Spiro Dedes që të mbetet kurdoherë i freskët e pasionant në fushat e krijimtarisë gazetareske, letrare e poetike, të mbetet “gurë i rëndë” dhe “lis në këmbë”, të mbetet “kolosi zagorit i gazetarisë”!

Please follow and like us: