Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

PËR MUA
Nëse votoni për mua
e blertë do të jetë jeta.
S`do të ecni në këmbë,
të gjithë me raketa!
Të lumtur do të jeni tok,
mund të shkoni në Mars
me gjyshe e babëlok.
Ta dini,
në vend të ujit
qumësht dallëndysheje
do të pini.
Betohem nga këtu,
edhe natën dielli
do të ndrijë për ju.
Unë ju dua,
në dimër e sjell pranverën
nëse votoni për mua.
PAK KOHË PËR BABIN
Do të dal në treg nesër
pak kohë t`ia blej babit
për lojën time.
Jam i vogël, para s`kam,
i paguaj me buzëqeshje
e puthje.
Nesër babit tim
do t`ia blej pak kohë
të lirë
për mua.
NË QERPIKUN TËND
Kur ti thua
Të kam diell!
Zogu zbret në qerpikun tënd
cicërin si n`pentagram.
E thërret një shok
e bëhen dy.
Një zemër të madhe
pikturojnë me melodi!
Aty, brenda
unë e ti!
Please follow and like us: