Albspirit

Media/News/Publishing

Mbretëria e Bashkuar autorizon përdorimin e vaksinës kundër Covid-19

 Mbretëria e Bashkuar është bërë vendi i parë në botë që miraton vaksinën kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Agjencia e Rregullatorit të Pavarur të Barnave dhe Shëndetit, MHRA, tha se vaksina, e cila ofron mbrojtje deri në 95% kundër sëmundjes COVID-19, është e sigurt për t’u përdorur në masë.

“Qeveria sot ka pranuar rekomandimin nga Agjencia e Pavarur të barnave dhe shëndetit për të aprovuar për përdorim vaksinën e “Pfizer-BioNTech” për COVID-19”, ka njoftuar Qeveria britanike.

“Vaksina do të jetë në dispozicion në gjithë Britaninë e Madhe nga java e ardhshme”, thuhet në njoftim.

Imunizimet mund të fillojnë brenda ditësh, për njerëzit që bëjnë pjesë në grupmoshat e ndjeshme.

Sipas rregullatorit, vaksina ofron 95 për qind mbrojtje ndaj COVID-19. Ajo konsiderohet e sigurt për përdorim.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 40 milionë doza – të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë njerëz. Një person do të marrë dy doza të vaksinës.

Rreth 10 milionë doza do të duhej të jenë në dispozicion së shpejti.

Shefi i Kompanisë Pfizer, Albert Bourla, e quajti vendimin britanik “një moment historik”.

Kjo është vaksina më e shpejtë që ka kaluar nga planifikimi në prodhim, duke marrë vetëm 10 muaj kohë në etapat e zhvillimit, të cilat zakonisht zgjasin një dekadë.

Megjithëse vaksinimi mund të fillojë, njerëzit ende duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin rregullat kundër përhapjes së koronavirusit, thonë ekspertët. Kjo do të thotë, mbajtja e distancën fizike dhe maskave të fytyrës, izolimi dhe testimet. (REL)

Please follow and like us: