Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Daci: Vështrim mbi monografinë “Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi” të autorit Hasan I. Gjonbalaj

 
Ali Daci me presidentin amerikan, Bill Klinton

Fshatrat e krahinës së Plavës dhe të Gucisë të autorit Hasan I. Gjonbalaj. Botoi shtëpia botuese “Dukagjini” 2007, Pejë.

Na ishin dikur fshatrat shqiptare të Zhanicës, Pepajve dhe Nokshiqit. Pas monografise “Kelmendi-gjenealogjia e familjes Nikçi” 1986, Hasan Gjonbalaj (tani i ndjerë) vjen me një botim tjetër. Kohë më parë kishte nxjerr në dritë librin e tij të trembëdhjetë, monografinë mbi gjeonologjinë e familjeve shqiptare të fshatrave të krahinës së Plavë e Gucisë
Shkruan: Ali Daci
Libri Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi, fshatra këto të krahinës së Plavë e Gucisë janë objekti i studimi të etnologut shqiptar nga këto treva z. Hsan I. Gjonbalaj. Sakrifica e popullit shqiptar për të qëndruar në vatrat stërgjyshore gjatë ekzistencës së tij, gjatë historisë së përgjakshme shumë shekullore ka bërë që faqet e historisë shqiptare të shkruhen me gjak shqiptari dhe trojet e tyre të mbeten shkretë. Si rezultat i spastrimeve etnike nga pushtuesit dhe okupuesit e tokave shqiptare, kjo e vërtetë e ka shtyrë autorin e këtij libri që të venë në letër faktet historike dhe etnografike të kësaj treve shqiptre autoktone. Kjo monografi që në bërthamën e vet ngërthen faktet historike e gjenealogjike rreth fatit të shqiptarëve të fshatrave që përfshihen në këtë studim. Duke i njohur mirë rrjedhat historike që e kanë përcjellë historinë e dhimbshme, por gjithsesi tragjike të kësaj pjese të Atdheut. Hasan I. Gjonbalaj lexuesin e rrënqeth me historikun e fshatrave shqiptare të luginës së Limit, të cilën e quan Ultina e Limit, në komunën e Plavës. Kujtesa e brezave dhe tradita e përcjelljes së ngjarjeve historike nga brezi në brez, i kanë mundësuar autorit që të mbledh me kujdesin më të madh të dhënat rreth trungut gjeonologjik dhe atij fisnor e farefisnor të banuesve të këtyre fshatrave, gjonologjisë së fiseve dhe barqeve në këto anë. Në sajë të mungesës së banuesve autoktonë sot në këto fshatra të shqiptarëve, Gjonbalaj i rreket historisë së kësaj treve duke kërkuar ish-banuesit e saj në gjithë hapësirën mbarëshqiptare, por edhe më gjerë dhe gjithë kallëzimin e tij e mbështet tek njerëzit e kësaj treve që me besnikëri parashtron para lexuesit vështrimin historik për secilin fshat veç e veç dhe gjenaologjinë e familjeve (shqiptare) të fshatrave Zhanicë, Pepaj dhe Nokshiq e që për secilën familje ka prezantuar në tabela gjenaologjike trashëgimtarët nëpër breza. Gjonbalaj dokumenton origjinën shqiptare të ish-banuesve të kësaj treve duke u mbështetur edhe në toponimet, antroponimet dhe në varret që jane të vetmet që dëshmojnë ish prezencën e banuesve autoktonë këtu, që dëshmojnë shqipen, siç thotë autori. Pos argumentit shqiptar ai argumenton me fakte historike edhe pushtuesit dhe okupuesit e kolonizuesit e këtyre fshatrave duke i njohur ata me emër e mbiemër, pra gjithë ato familje malazeze që shtrihen sot gjithandej fshatrave të krahinës së Plavës e Gucisë e në veçanarisht flet për banoret e ri malazezë të këtyre fshatrave dhe për varret e vjetra që kanë mbetur si dëshmi që dikur jo fort larg kanë jetuar familjet shqiptare këtu. Konvertimin e shqiptarëve të kësaj ane nga besimet katolike dhe islame në fenë sllavo-ortodokse, Gjonbalaj e ka dëshmuar me ngjarjet historike të asaj kohe, ku në fund të shekullit XVIII përfundoi konvertimi në fenë islame, konvertim ky që rezultoi me ngritjen e xhamive në fshatrat e Ultinës së Sipërme, si në Nokshiq, e më vonë ne Zhanicë, xhami këto që më vonë do të rrënohen nga pushtuesit serbo-malazezë, të cilët me dhunë shqiptarët provuan t’i konvertojnë në fenë pravo-sllave përmes Iguman Zeçeviqit që si model kishte sjellë “ligjin e Vasojeviqëve më 12 pikat” e asimilimit të dhunshmëm. Ai në libër shqyrton edhe asmilimin e toponimeve dhe antroponive shqiptare në ato sllave. Asimilimi i shqiptarëve dhe konvertimi i tyre në fenë ortodokse serbe ishte tragjik për popullin e kësaj ane, ku rezistenca shqiptare kundër konvertimit ishte e madhe, por jo më e madhe sa shtypja e serbo-malazezve të cilët fuqishëm u mbështetën nga Rusia Cariste. Gjonbalaj nuk harron t’i përmend edhe ish-fiset shqiptare që u asimiluan dhe u kovertuan në besimin ortodoks, siç ishin fiset: Ozri, Pipri, Hoti, Krasi, Vasi, Bakeqi, Kelmendi, Kuçi etj, fise këto që tani njihen si fise nacionaliste serbo-malazeze në pjesët totalisht të sllavizuara në serbë e malazezë, si Velika, Kuçi, Meduni etj. Planet pansllaviste të Carit të Rusisë, për t’ua ndarë tokat shqiptare aleatëve të tij, kanë qenë në planin e parë, andaj si rrjedhojë e kesaj tentative në monografi përmendet edhe lufta e njohur e Nokshiqit, e cila u zhvillua më 4 dhjetor të vitit 1879, luftë kjo e cila me dinjitet dhe heroizëm u fitua nga shqiptarët, e organizuar dhe e udhëhequr nga trimat dhe luftëtarë të Lidhjes së Prizrenit. Më pastaj studiuesi përshkruan në hollësi masakrën e shkaktuar nga Avro Cemoviqi dhe pop Gjorgji që kishin kryer mbi shqiptarët të cilët për se gjalli nuk u kovertuan dot në fenë ortodokse sllave, apo siç e quan autori në fenë pravo-sllave. Qendresa e shqiptarëve, nënshtrimi, pushtimi dhe kolonizimi i tokave të tyre nga serbo-malazezët është një histori e hidhur që mund të lexohet në këtë libër. Pushtimin e këtyre trojeve Gjonbalaj e cilëson edhe si meritë e Fuqive të Mëdha dhe qarqet evropiane të cilët trojet shqiptare i shndërruan në monedhë kusuri mes veti. Lexuesi në këtë monografi gjen një numër të konsiderueshëm fotografish që përbëjnë një hstorik pamor të historisë së kësaj zone, të cilat autori lexuesve ua ka ofruar nga fototeka e tij e pasur. Libri “Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi”, fshatra këto të krahinës së Plavë e Gucisë, është një shtytje e fuqishme për ndriçimin dhe hulumtimin e mëtutjeshëm të gjenezës gjenaologjike, gjuhësisë dhe historisë shqiptare në këto treva shqiptare të pushtuara nga malazezët e që janë me interes për historinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi e me theks të veçantë për historinë e shqiptarëve të Plavë e Gucisë.
Please follow and like us: