Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: JETA IME PREJ POETI

Jeta ime e mbushur
Me diell
Kohë
Dhe njerëz.
Jeta ime dhe jeta juaj,
Ngjyer në telajon e pendesës..
E kthyet jetën në një arenë absurdi
Gladiatorë në ndeshje me vetveten…
Dikush rend si Don Kishot modern
 Historinë e tij të shkruajë,
 Në vend se të qëllojë mullinjte e erës
 Me shpatën e ndryshkur,
 Në ballkone imagjinare grash
 Që e presin të përdëlluara,
Gjuan me buqeta lulesh…
Ato presin duke lyer thonjtë
 Duke u parë vazhdimisht në pasqyrë
Me hire virgjëreshash të zemëruara…
Një tjetër me penën e magjishme të tij
gdhend në qiell portretin e pavdekshëm
Prej poeti- perëndi,
Të ngulur në gozhdë të ndryshkura harrese,
Dhe vdes në vetmi…
Një tjetër përdor egoizmin, xhelozinë
Varfërinë e shpirtit të tij të zi
Për të njollosur sukseset e të tjereve
Dhe mbytet në lotët e tij.
Dhe këta, të marrët e të shkarët,
E kanë pritur prej mijëra vjetësh
Mrekullinë e përdhosjes,
Këtë mundësi kozmike
Të shpalosin pasqyrën  e vet shtrigane, Pasqyrë më e zezë
Sa dhe vetë nata apokaliptike.
Ata pështillen në lembin e vetvetes,
Mbesin gjithmonë në formën e larvës,
 Pa u kthyer kurrë
Në flutura të bukura krahëlirë.
Të tjerë, pasi hyjnë në jetën tënde
Plot zhurmë e bujë, e stoli
Zhduken si aeroplanë supersonikë
Në qiellin e pafundëm gri.
Apo më keq
Bëhen të ftohtë dhe perçarës
Si muri i Berlinit.
Të tjerë,
Pas një dashurie të beftë platonike
Për vargun tënd poetik,
I sheh si horrat e natës
Nëpër motele e mejhane të artit,
Në kërkim të gjahut,
Dhe s’t’i hedhin më as sytë.
Këta të mbushin me lajka e lavde,
‘Poet i madh’, ‘Mjeshtër i fjalës’
Pastaj i gjen me romane rozë në duar,
Në kërkim amazonash me profil ‘ngacmues’.
Disa me puthjen e Judës në ballë,
pasi të kanë bërë një oratori përgëzuese,
I bëjnë të njëjtën gjë kundërshtarit tënd
Që sapo të ka përgojuar.
E lavdishme bota sot!
E tejmbushur me heronj!
Dhe më të lavdishme e bëjnë
Këta mijëra aventurierë e luftëtarë
Në kërkim të fatit.
Këta njerëz që në varka prej letre
Me shëmbëlltyrë Kolombi,
Udhëtojnë nëpër një legen me ujë
Brenda dhomës
Në kërkim të së resë dhe të panjohurës
Këta Don Zhuanë të dashuruar
Me reflekse e copëza të thyera pasqyrash
Në formë gruaje.
Këta Don Kishotër me pistoleta uji
Që shtijnë mbi mullarët e bykut.
Këta Judat tradhtarë
Me ngjyra si kameleonët.
Këta të shumtët,
Gjithmonë me frazën hamletiane,
Që i përsërisin pareshtur vetes;
“Të jem a të mos jem…
Pse të mos jem dhe unë”?!
Savona, Itali, 12-10-2020.
Please follow and like us: