Albspirit

Media/News/Publishing

Përflaket selia e PS dhe digjen orenditë, policia ndërhyn 1 orë më pas

Disa protestuesit kanë shkatërruar selinë e Partisë Socialiste në Shkodër, duke thyer dyer e dritare dhe më pas kanë hyrë dhe kanë bastisur zyrat, ka ardhur edhe ndërhyrja e efektivëve.

Ndërhyrja nga efektivët e policisë u bë pas një ore, kur protestuesit po digjnin jashtë selisë së PS orenditë e zyrave. Gjithçka nisi paqësisht në Shkodër, ku me dhjetra qytetarë e nisën protestën me pankarta në duar dhe me një marshim i cili përfundoi para selisë së PS.

Por situata agravoi, duke sjellë shkatërrimin total të godinës, bastisjen e saj dhe djegien e të gjitha orendive apo objekteve të punës.

Brenda ambienteve nuk ndodhej asnjë punonjës, ndërsa protestuesit merrnin banera, dokumenta, dosje e gjithçka gjetën brenda duke i vënë në mes të rrugës, ku dhe më pas i vunë flakën.

Ndërsa efektivët e policisë, pajisur me mjete mbrojtëse, kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Më parë, protestuesit dogjën tabelat pranë pedonales dhe u kthyen në selinë e PS për të shkatërruar gjithçka. Kjo protestë u thirr nga Shoqëria Civile dhe ishte cilësuar si marshim paqësor për ekzekutimin e Klodian Rashës nga një efektiv policie.

Please follow and like us: