Albspirit

Media/News/Publishing

Eden Babani: Shqiptarët i kanë sytë në ballë

Eden Babani, Bruksel

Gjashtë protesta, në gjashtë net në Tiranë e në qytete të tjera të vendit, nuk janë pak. Pa  ngjyrime politike, ato bëhen thjesht për të dënuar krimin shtetëror, i cili, nëse nuk do të frenohet sot, do të përlajë nesër edhe plot të tjerë, siç përlau të ndjerin Klodian Rasha.

Si në një natë, në tjetrën, protestat kanë nisur paqësore dhe kanë përfunduar me përplasje. Aspak për faj të protestuesve. Për shkak të provokimeve të policisë, herë duke i prerë rrugën çdokujt me punë e pa punë, herë duke dashur të shpërndajnë grupime të vogla këtu e atje me sebepin e krizës epidemiologjike, herë duke e lagur me ujë turmën e grumbulluar qetësisht përballë Kryeministrisë ose institucioneve të tjera, herë duke hedhur gaz lotsjellës.

Shqiptarët i kanë sytë në ballë. I ndjekin ngjarjet drejtpërdrejt falë angazhimit shembullor të mjeteve të informimit publik dhe teknologjive mediatike moderne. Ata nuk kanë nevojë të kthjellohen me raporte të organeve të policisë për aq e aq të ndaluar, për aq e aq adoleshentë të ndaluar e të liruar, për aq e aq dekorime të dëmtuara në rrugët e kryeqytetit. Nuk kanë nevojë të orientohen as me deklarata qeveritare, as me kërcënimet e papranueshme (që të mos them rrugaçërore) të Kryeministrit.

Për sa më sipër, Ndriçim Mehmeti e këshillonte “Zysh Kushin” ta trajtonte Kryeministrin me psikolog, në vend që t’u qante hallin të rinjve protestues.

Gjithçka është qartë si në dritën e diellit. Shteti të dënojë krimin e shndërruar dita-ditës deri në përsosmëri dhe shkaktarët që e prunë vendin në këtë farë feje.

* * *

Kohë më parë, pata lexuar një shkrim interesant të zotit Kastriot Islami. Mbaj mend se bëhej fjalë për hipokondrinë, një sëmundje psikologjike që manifestohet kryesisht te adultët dhe lidhet me frikën që i mundon bartësit e sëmundjes, hipokondriakët. Autori i shkrimit jepte gjithashtu edhe shenjat e dukshme të një hipondriaku, duke aluduar për tiparet individuale të Kryeministrit.

Në të vërtetë, po të gjykosh kreun rilindës nga mënyra se si shfaqet në publik, i duhet besuar zotit Islami, pa një pa dy. Me antiplumb nën xhaketën e madhe si xhybe, rrethuar me dhjetëra roje para, pas e për anësh, pse jo edhe me vilën bunker të Surelit, Kryeministri ynë veç ka vulosur aludimet e zotit Islami.

Situata e rënduar e pandemisë, ekonomia në pikiatë dhe protestat e fundit, i kanë futur lepurin në bark aq, sa s’di ç’ bën. Në vend që të qetësojë gjakrat duke shkarkuar një polic përgjigjes të drejtpërdrejtë për vrasjen shtetërore, qoftë ky edhe në krye të kupolës, i acaron më tepër ato me një pension që as ia kërkoi kush dhe as i duhet kujt, përpara një jete njerëzore të humbur.

Shteti e paska pranuar fajin me dhënien e pensionit, na çuditi mbrëmë një analist nga ata që kullotin në livadhet e regjimit. “Në një lexim që është edhe juridik, – tha ai duke bërë lojë fjalësh të pështirë, – ky është edhe pranim i fajit nga shteti”.  Shqip, kësaj i thonë më fal se të vrava.

Dr. Berisha çështjen e pensionit e shikon nga një tjetër këndvështrim. “Kjo është një zgjidhje kanunore… Në kanun gjaku ose merret ose paguhet me para. Xhelati zgjodhi të paguaj gjakun me para… Nuk ka zgjidhje më të shëmtuar dhe kriminale. Në këtë mënyrë po u jepet e drejta të gjithë policëve të gjuajnë dhe ta shpallin vrasje aksidentale. Edi Rama ka shkaktuar pasiguri totale”.

Nga një tjetër këndvështrim, kjo farë zgjidhjeje rrezikon që të funksionojë gjakmarrja. Madje të mund të shtrihet edhe më tej atij që shkeli këmbëzën e armës. Pse jo edhe tek urdhërdhënësit. Jemi pesë vëllezër, deklaroi xhaxhai i të ndjerit Klodian Rasha.

Deklarata e zotit Rama në konferencën e fundit për shtyp se qeveritë shkojnë e vijnë, kryeministrat shkojnë e vijnë, po në fund të ditës askush nuk lind kryeministër, e askush nuk vdes i tillë, shpreh më shumë frikë e pasiguri, sesa moral politik.

 

Please follow and like us: