Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ulu e të flasim, bir…

Ulu e të flasim bir,
ulu pranë meje.
Më pyete për babain
dhe unë të thashë se
ka qënë burrë i bukur,
por unë i ngjava mamasë
simbolit të bukurisë,
megjithatë ai mbeti heroi im.
Ulu të flasim se,
të dëgjova
kur u the shokëve që unë
jam idhulli yt.
Nuk e di nëse e meritoj
dhe nuk e di se për çfarë më adhuron,
pasi unë vetes i njoh pak lavdi heronjsh,
apo burrash të ndritur.
Nuk e di se për çfarë
mund të mburresh
me mua?!
Megjithëse nganjëherë,
rri edhe unë mendohem,
për çfarë e adhurova dhe
akoma e adhuroj tim atë ?
Ai nuk më bleu një herë një lodër,
edhe tani më djeg shpulla e tij
tek rrëza e veshit.
Por prapë disa gjëra ia mbaj mend,
disa çikërrima shenjti;
nuk erdhi një herë i dehur në shtëpi
nuk mori borxh një herë;
ashtu i sertë
fjalë prerë
vërtetë,
por kurrë
nuk më quajti
kalama.
——-
2016
Please follow and like us: