Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Sikur të ishte e vërtetë?!

Sikur të ishte e vërtetë
Të isha pakëz Dionis
Ti puthja paksa Afërditat
Gjurmë buzësh tu lija mbi sisë.
Ah, sikur të ishte e vërtetë
Të shijoja ca bjonde e brune…
Por veç një jetë e thjeshtë
Më tërheq mua të gjorin prej hunde!
Frymëzim sikur të kem
Nën tinguj nanuritës muzike
Larg prej vetes të jem
Që rron nën këmbana frike!
Ah, sikur të ishte e vërtetë
Të kisha fat në dashuri
Me dorë s’do prekja kurrë një fletë
Do bëja dhe pa poezi…
Sikur e vërtetë të ish kjo që thua
Që unë poeti pas femrave rend
Si i porsalindur do lahesha në krua
Dhe hallet s’do mbaja më mend!
Por jeta s’ është si më thua
Të shpon me brirët e heshtjes
Dhe nganjëherë, bëhet lopë e tërbuar
Dhe më nxjerr nga binarët e vetes.
Jeta kurrë s’ më ka përkëdhelur mua
I veshur endem me mjegull e shpresë
Shpesh, tek e bukura ndjehem si i huaj
Dhe dëshirat me vesën e lagësht i tres!
Ah, sikur të isha me gra i rrethuar
Mes syve të tyre të pija nektar e vesë
Nga rreze ndjenjash të isha i mikluar
Po nuk mërzitem, rri edhe pres.
Please follow and like us: