Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Po bie shi…

Qielli e derdhi tërë terrin e shpirtit të tij. Po bie shi i zi. Njerëzit u fshehën nëpër strehët e syve. Zogjtë u kthyen në neonë të verdhë me kthetra të mbërthyera në erën e kaltër.
“Zoti po qan si rojtar parku”- tha Tomas Elioti, i mërzitur nga vizitat e rralla në apartamentin e tij komod prej libri poetik, plot dritë të errët.
Heroi qëndronte krenar në parkun me pemë të zeza. Ishte e vetmja siluetë njerëzore e varur në qiellin e ulët.
Befas iu afrua një qënie e brishtë. Statuja prej bronxi u drodh. Vajza u ul në barin krenar dhe mijra heshta të gjelbra iu ngulën në shalët e bukura prej drite xixëllonjash, ku trokisnin e vdisnin pika të zeza shiu. Heroi largoi bronxin me dritën e rreme dhe duke u dridhur nga etja për dritën magjepse të kurmit të saj të zhveshur, u derdh në bar. Flokët e tij u ndezën zjarr. Bronxi bosh nxorri një piskamë të fortë. Era nisi të ulërinte si sirenë brenda boshit të tij. Qe një thirrje e ndryshkur. Befas u shfaq turma gri. Heroi vazhdonte të bënte dashuri nën dritën e zogjve të varur në erën e kaltër. Bari marshonte drejt hapësirave të bardha. Turma, ndërsa qante me lot të kuq, rropatej të futej brenda bronxit heroik. Historia nuk ndërpritet për asnjë çast.
Po bie shi edhe mbi xixëllonjën me dritë njerëzore, edhe mbi bronxin heroik me dritë të rreme, edhe mbi turmën me zë të ndryshkur, edhe mbi zogjtë prej drite të verdhë, mbërthyer me kthetra mbi erën e kaltër…
Please follow and like us: