Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: JAM GRINDUR…

Jam grindur me të gjithë, kohët e fundit,
jam grindur me diellin sa herë që fsheh rrezet,
jam grindur me lulet pse thahen në dimër,
jam grindur me pemët pse i hedhin gjethet.
Jam grindur me çezmën në hyrje të fshatit,
jam grindur me të dhe kam bërë rrëmujë,
ku kane shkuar vajzat, në ç’ëndërr janë fshehur?!
pse nuk vijnë sërish për të mbushur ujë?!
Jam grindur me erën tek shkolla e braktisur,
kam qarë e kam heshtur i ulur pranë derës,
nuk kishte mësues, nuk kishte as nxënës,
më dhembi në shpirt vajtimi i erës!
Jam grindur me hënën se di se sa herë,
(vallë në ç’pllajë mali në gjumë po ç’lodhet?)
dhe nata e errët ashtu si tinzare,
ka zbritur kudo e s’do të largohet.
Jam grindur shpesh herë edhe me një grua,
se me shfaqet ëndrrash thuajse gjithë natën,
jam grindur me të e pastaj me veten,
siç grindet një i sëmurë kronik me plagën.
Jam grindur me mjegullën atje në luginë,
që lumin ca ditë me radhë ma fshehu,
jam grindur çdo mbrëmje me gotën e verës,
se shpirtin timi ajo kurrë nuk ma dehu…
Jam grindur me ëndrrat pse largohen shpejt,
mëngjesesh të trishtë kur ende s’është gdhirë,
jam grindur me shiun që vjen krejt papritur,
dhe borën e parë kudo e kish shkrirë…
Jam grindur me gjumin (eh, gjumë i thënçin),
natën arratiset e nuk di se ku shkon,
unë pres që të vijë, po kot që e pres,
dhe mua gjithe nata pa gjumë më kalon…
Jam grindur me te gjithe kohet e fundit…
Please follow and like us: