Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta këngëtarja e muzikës popullore Drita Papajani

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare këngëtarja e madhe e muzikës popullore Drita Papajani. Lajmi është bërë i ditur nga Vasil Sofokli Tole përmes një postimi në rrjete sociale.

“U nda nga jeta sot në orën 10.00 edhe një zonjë e madhe e këngës popullore shqiptare: Drita Papajani!  Si bijë prifti, pas viteve 1990 mori pjesë aktive në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri. Znj. Drita ishte nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit  kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale, të cilin e drejtoi fillimisht maestro Eno Koço, e më pas i ndjeri prof. Milto Vako. E njihja nga afër artisten tonë dhe çmoja pa masë tek ajo shpirtin artistik dhe qytetarinë e lartë që rrezatonte.  I përjetshëm kujtimi i artistes së madhe Drita Papajani!  P.s: Ceremonia e nderimit dhe përcjellja do të  bëhet nesër në 12.00, në kishën e Ungjillëzimit,  tek rruga e Kavajës, Tiranë”, shkruan Vasil Sofokli Tole.

Kujtojmë që Drita Papajani hyri në interpretimet e këngës popullore në fillim të viteve 1960 si zbulim i të madhit shkodran Paulin Pali.

Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivi Filmit. Pas viteve 1990 mori pjesë në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri, duke u bërë nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale.

Në jetën e saj artistike si pjestare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Papajani ia doli të vendoste emrin e saj krahas interpretuesve të mëdhenj të këngës sonë popullore si Luçije Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergji, Kel Sota, Emil Miloti, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, e të tjerë.

Please follow and like us: