Albspirit

Media/News/Publishing

 I kujt është libri: I shkrimtarit apo i shtëpisë botuese?!

Bardhyl Berberi

 

Të jesh shkrimtar është një detyrë e vështirë është njëlloj sikur të kesh detyra shtëpie çdo natë. Vjen mbrëmja dhe ti duhet të hedhësh atë pikanten e ditës që të ka lënë mbresa, që më pas do të marri rrrugën e stërmundishme të të shkruarit të librit… Por vemë re kohët e fundit që shtëpitë botuese e paraqitin librin si prodhim i shtëpisë botuese. Jo, në mënyrë kategorike, libri është vepër e shkrimtari, është copa e shpirtit të tij, është shkëndijë e mendjes së tij, ndaj i vetmi që duhet të përfitojë është shkrimtari, autori që ka derdhur tërë arsenalin e tij në qindra e qindra net pagjumë deri sa e ka nxjerrë veprën.

Mbi të gjitha, libri është pronë intelektuale e shkrimtarit! Nuk mund të jetë pronë as e shtëpive botuese, as e Ministrisë së Kulturës apo institucioneve të librit. Libri ka vulën, ka autorësinë e shkrimtarit! Për librin mund të flasin vetëm shkrimtarët, ndërsa dashamirët e librit mund të japin ndonjë vlerësim kryekëput subjektiv! Libri shkruhet për ta dëshmuar gjuhën si shtyllën kryesor të kulturës së një etnie, libri nuk shkruhet për t’u bërë mall tregtie apo për përfitime të segmenteve të caktuara që librin e shohin vetëm si relikt tezgash! Kohëve të fundit nga disa individë që ‘strehohen’ pranë partive që t’iu sponsorizojnë libra të tyret që ngelen në pluhurin e harresës që nuk kanë asnjë vlerë… Ka dalë një ushtri e tërë dështakësh që shkruajnë emrin e tyre me gabime dhe duke gjetur një oligark që i ka paratë më thasë apo ndonjë femër lajkaxhicë që iu vjen rrotull atyre dhe nxjerrin libra e quajnë veten poetë apo shkrimtarë.
A e dinë pronarët e shtëpive botuese se cili është funksioni i tyre parësor, pse ekzistojnë ato, çka pasqyrojnë ato në një shoqëri bashkëkohore? Në botën e civilizuar ministritë kulturore shërbejnë ekskluzivisht për arritje dhe realizime të politikave të larta kulturore të shtetit përkatës dhe jo për blerje të heshtjes intelektuale përmes ‘sponsorizimeve’ të projekteve të paverifikuara nga asnjë profil krijues i sferave të ndryshme të artit e të kulturës. Vjen një diletant politik i cili kurrë në jetën e vet nuk ka lexuar asnjë liber, por që ka hipur në atë karrike me një tesër partie dhe gjykon për veprën tënde! Ministria e Kulturës në botën e civilizuar, veç të tjerash, e përcjell edhe aktivitetin e shtëpive botuese dhe automatikisht i godet të gjitha ato “shtëpi botuese”, aktiviteti i të cilave është matrapazllëku dhe, me këto politika, vetvetiu nisin e profilizohen shtëpitë botuese profesionale, pa ndikuar në politikat e tyre redaktuese e botuese. Domethënë, profilizimi i tyre arrihet me vlera, me promovim të vlerave dhe me ekskluzivitet në tregun e librit dhe jo me pozicionime politiko-partiake dhe me “dhurim buxheti” nga programet vjetore të ministrive kulturore.
Në Perëndim, bie fjala në Gjermani, konkretisht në Panairin e Frankfurtit, ku kam qënë pjesëmarrës libri nuk trajtohet si pite apo hamburger që vendosen nëpër tezga. Këto panaire kryesisht organizohen për të zbuluar veprën e ndonjë autori me vlera të veçanta që ia vlen të botohet, në gjuhë të ndryshme! Në stafin e shtëpive botuese serioze merr pjesë edhe një përkthyes, edhe një kritik, një njohës i rrjedhave të letërsisë botërore, edhe një noter për kontratat eventuale! Përfaqësuesit e shtëpive botuese flasin mbi veprat më të mira të botuara, dikush mund të shprehë interesim për ta botuar në gjuhën e lexuesve që i përfaqëson aty. Thjesht, drejtuesit e shtëpive botuese janë në gjah pas autorëve të cilët do t’ua shtonin popullaritetin, famën dhe seriozitetin. Dhe tërë kjo pastaj përkthehet në përpjekje për të përfituar materialisht nga një aktivitet kulturor. Kjo pastaj është pjesa që flet për menaxhimin e librit dhe për ngritje ekonomike prej tij! Që të arrihet kjo, shtëpia botuese (pra, jo ministritë përkatëse) kontaktojnë me autorin, e marrin të drejtën ekskluzive për botim dhe, praktikisht, vitin e parë e shndërrojnë autori në “rob” të tyre, sepse shtëpia botuese pas botimit të veprës, do të ketë shumë aktivitete promovuese, publike, si të veprës ashtu edhe të autorit. Shto këtij aktiviteti edhe nja 4-5 recensione, kritika letrare dhe ja, brenda një kohe të caktuar, ikën komplet tirazhi, pastaj nis ribotimi, me kontratë tjetër me autorin, botimi i tretë, i katërt etj.

Cila shtëpi botuese te ne i ka të blera të drejtat autoriale të një autori bashkëkohor? Çka na servirin shtëpitë botuese? Kush i redakton dhe kush vlerëson se cili libër duhet të botohet? Këtu mund të botohet vetëm ai autor që paraprakisht do të heq dorë nga honorari në këmbim të dhjetë librave që do t’i marrë! Libri nuk është prodhim i shtëpisë botuese, as prodhim i Ministrisë së Kulturës! Libri është vepër e shkrimtari, është copa e shpirtit të tij, është shkëndijë e mendjes së tij, ndaj i vetmi që duhet të përfitojë është shkrimtari, autori! Shtëpitë botuese duhet të jenë në gjah të këtij autori që ka kaluar këtë sitë, t’ia blejnë të drejtën autoriale për botim dhe pastaj le të fitojnë sa të duan shtëpitë botuese prej atij libri! Por, për të ardhur deri te fitimi, ata duhet të bëjnë një sërë aktivitetesh kulturore mbi atë libër, sepse botimi në vete nuk paraqet kurrfarë eventi kulturor. Shtëpitë botuese janë biznes privat i personit që ka vendosur të pasurohet ose të mbijetojë përmes librit! Paramendoni një dyqan me plotë rafte, me produkte ushqimore të cilat ua ka paguar ministria ekonomike, që të kenë se çfarë të shesin dhe të fitojnë pa kurrfarë shpenzimi!
Mbi të gjitha, kjo që ndodh te ne është një politikë e arritjes së ujdisë për “heshtje intelektuale”, sepse, kur i sponsorizon qeveria, apo Ministria e Kulturës gjithë ato shtëpi botuese ku frekuentojnë dhjetëra shkrimtarë dhe qindra pseudoshkrimtarë, që të gjithë pastaj e humbin të drejtën dhe kredibilitetin që të kritikojnë qeverinë apo ministrinë. Dhe kjo pastaj ndikon në vrasjen e shpirtit të një populli! Popullit, të cilit arrin t’ia partizosh dhe t’ia politizosh shkrimtarët, atë popull e ke mbytur fare, e ke lënë pa shtresën disidente, pa elitë kombëtare, pa përkujdesës të vlerave kulturore e civilizuese.

Ministria e Kulturës në shtetet perëndimore, përveç përkujdesit për politika të larta kombëtare, përkujdesen ekskluzivisht për trashëgiminë kulturore të kombit të vet. Në këtë kornizë i fusin edhe shkrimtarët, artistët kombëtarë, që me vlerat e tyre dëshmojnë se kanë arritur stadin e artistit apo shkrimtarit unversale, botëror dhe ndodh që këtyre ua sponsorizon ndonjë komplet librash, ndonjë koncert grandioz, ndonjë film që rritë vlerat e kombit, ndonjë shfaqe që do ta bëjë krenar kombin etj.

Sa i përket botimeve në këto 30 vite demokraci vemë re që  kemi një partizim dhe politizim të skajshëm, i cili institucionalisht po e degradon kulturën tonë. Ajo që vihet re në drejtim të kulturës sonë kombëtare, është diletantizëm si dhe, fatkeqësisht blerje e “heshtjes intelektuale” që do të duhej t’i shkërmoqte këto politika të akulturimit tonë.

 

 

Please follow and like us: