Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Emiri: MEDALJA

Ibrahim Emiri

 

Tregim

 

 -Propozoj të dekorohet me medaljen e punës inxhinieri. – foli një punonjës nga salla, në mbledhjen e kolektivit të institucionit. – Të vlerësohet për punën e veçantë projektuese, që ka bërë, jo vetem me profesionalizëm, por edhe me përkushtim të lartë.  E meriton plotësisht! Propozimi jo vetem nuk u komentua, por u prit me duartrokitje nga kolektivi, mbasi të gjithë ishin entuziastë për transformimin e dukshëm urbanistik e arkitektonik të qytetit, të realizuar me rastin e festës së përvjetorit jubilar. Mbas mbledhjes, të gjithë shokët me dashamirësi po e uronin inxhinierin, sikur të mos ishte vetëm një propozim për dekorim, por medalja të ishte akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, bile sikur t’ia kishin vendosur me ceremoni në gjoks ‘inxhos’, siç u thërrisnin inxhinierëve në Përmet.

Ai nuk e kishte ëndëruar ndonjëherë se mund të dekorohej, për shkak të ‘hijes në biografi’. Fjala ‘dekorim’ dukej aq e huaj per atë, sikur ajo fjalë të kishte kuptim vetëm për të tjerët, ndërsa për inxhinierin të ishte ‘mollë e ndaluar’.

(Mbas përmbysjes së komunizmit, në arkivat e K.Q. të P.P.SH u gjetën dokumente tronditëse të kohës së luftës, ku fjala ‘dekorim’ kishte një kuptim të tmerrshëm. ‘Të dekorohet’, shkruante E. Hoxha për ata ‘shokë’, që pushkatoheshin pabesisht pas krahëve. “Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, më pas me nderime, sipas rastit, por pa lënë shenjë gur-varri…”).

Inxhinierit i kalonin mornica në trup, kur mendonte se nuk ishin pak ata fatkeqë, të cilësuar armiq, që ishin ‘dekoruar’ në këtë mënyrë të neveritshme.

Nga fëmijëria i kujtoheshin ushtarakët, që kishin të mbërthyera në xhaketa shenja me ngjyra të ndryshme, kuptimin e të cilave nuk e dinte. Në raste festash zyrtare, sidomos në paradat pompoze ushtarake, kishte parë me kureshtje fëminore ushtarakët e veteranët me gjokset plot me dekorata, duke imagjinuar me naivitet heroizmat e shumta të tyre në luftë. Për ato dekorata të heroizmave, miku im, shkrimtari Pëllumb Kulla, ka shkruar: “Askush nuk habitej dhe nuk ngrinte zërin, kur një komandant, për të njëjtat merita lufte merrte ‘Medaljen e Trimërisë’, e pastaj, pas ca vjetësh merrte ‘Urdhërin e Flamurit’ dhe, kur mbushte 50 vjetët, shpallej ‘Hero i Popullit’! Edhe pse meritat tashmë qenë po ato, të asaj medaljes së parë. Dukej sikur bëhej një herë lufta, e pastaj bëhej heroizmi për atë luftë”!

Më vonë, kur partia me vigjilencë të lartë revolucionare zbulonte  ‘grupe armiqësore’ në gjirin e saj, dënimin më të rëndë e të pamëshirshëm e ruante për ata, ‘heronjtë’ me më shumë dekorata në gjoks. Pesha e shkëlqimi i dekoratave, në vend që t’i lehtësonte nga ‘mëkatet’, çuditërisht i fundoste më keq.

Nga ‘aksionet e rinisë’, sidomos të viteve të para të pasluftës, inxhinieri kujtonte si vinin mjaft vullnetarë, në xhaketat e vjetra të të cilëve ishin qepur shenja të kuqe me shkronjën ‘S’, që kishte kuptimin ‘Sulmues’. Shenjat e kuqe ‘S’ vullnetarët e aksioneve me siguri i kishin merituar me djersën e ballit, por ato shenja atij i dukeshin fare pa vlerë, sidomos kur kishte parë që në tregun e qytetit shiteshin lirisht e mund t’i blente kushdo për t’i qepur në xhaketë. Ato iu zhvlerësuan veçanërisht, kur kishte parë që edhe xhaketa e rrjepur ushtarake e Vejselit, teveqelit të aziles së pleqve, ishte e mbushur me shënjat ‘S’.

Ndoshta kjo ishte arsyeja që për dekoratat, sidomos kur vareshin në xhaketë, inxhinieri kishte alergji, derisa një ditë dy fëmijët e tij të vegjël i bënë një pyetje befasuese: “Po ti o babi pse nuk punon mirë, që të marrësh medalje si mami”?!

Kjo ishte pyetja, sa naive, po aq therëse, që i bënë befas fëmijët atë ditë, kur bashkëshortja e tij solli në shtëpi medaljen, me të cilën ishte vlerësuar për punë të mirë. Nuk ishte pyetje, ishte akuzë. Ndihej i akuzuar, pavarësisht se ishte i pafajshëm. Fëmijët nuk arrinin ta kuptonin pafajësinë e tij. Ata nuk mund të kuptonin se, ‘për arsye biografie’, atij nuk i jepnin medalje, pavarësisht se me punë e meritonte, kurse mami, për fat, kishte qëlluar pa ‘hije në biografi’. Ishin tepër të vegjël për t’i sqaruar për famëkeqen ‘luftë të klasave’. Ishte e kotë t’u tregonte për justifikim fletë-lavdërimet e shumta, që kishte marrë gjithmonë në shkollë. Ato s’kishin asnjë vlerë para medaljes së mamit, që shkëlqente në kutinë e bukur me kadife të kuqe. I dukej se fëmijët tani po e adhuronin më shumë mamin, kurse atë…Padashur, po bëhej xheloz!

Kujtonte i mërzitur zhgënjimin, që pësoi kur mbaroi gjimnazin:

Sihariq! – tha gjithë dashamirësi një mësues veteran, sapo takoi babain e inxhinierit. – Djali tënd, do të vlerësohet me medalje ari, si maturant i dalluar! E tha vetë shoku Enver. Isha pranë tij bashkë me Basho Thomain kur na i tha, në shfaqjen që dha gjimnazi për nder të  ardhjes së tij në Gjirokastër.

Është nxënës i shkëlqier – i thamë, kur doli djali tënd në skenë.

 – Nxënësit e shkëlqier do të vlerësohen me medalje ari – na tha ai, duke vënë buzën në gaz… Edhe ne u gëzuam shumë. Urime për medaljen e arit të djalit! Lum’ si ti!

 Babai i inxhinierit, doemos që u gëzua pa masë nga ‘sihariqi’, por s’qe e thënë që të realizohej. Siç duket, kishte qenë vetëm një ide e Enverit, që kushedi pse nuk u bë realitet.

Por ja… më në fund, po shkonte haka tek i zoti. Kot nuk thoshte populli “e drejta vonon, por nuk harron”! Pas shumë vitesh pune si inxhinier, u kujtuan më në fund edhe për atë, që ta vlerësojnë me një medalje!

Fëmijët e tij, sigurisht do të gëzonin më shumë, sepse edhe babi do të vlerësohej njëlloj si mami. Atë e gëzonte sidomos, jo marrja e medaljes si vlerësim i merituar për përkushtimin në punë, por veçanërisht lumturimi i fëmijëve, kur ta çonte medaljen në shtëpi, në kutinë me kadife të kuqe. Rastësisht iu kujtua pëshpëritja si anekdotë e një ndodhie të vërtetë në sektorin e dekorimeve në Kuvendin Popullor… Dikujt i ishte akorduar dekoratë, por në motivacion gabimisht ishte vënë shënimi ‘Pas vdekjes’, ndërsa ai merhumi vazhdonte të jetonte akoma. Titullari e ‘zgjidhi situatën’, duke urdhëruar:“Të mos i jepet tani! T’i jepet medalja pas vdekjes”!

Kur kujtonte këtë ndodhi, një mendim i mbrapshtë sepse i shkonte nëpër mend inxhinierit: “Zoti mos e dhëntë të ndodhte kështu edhe me medaljen e tij”! Dekoratat përgjithësisht shpërndaheshin me ceremoni në mbledhjet e kolektivit, bile shumë herë, në mënyrë demonstrative, i vareshin në qafë të dekoruarit, sikur të ishin medalje sporti. Nuk do të donte kursesi që t’ia varnin edhe atij në qafë me këtë lloj ceremonie. I dukeshin më shumë butaforike, se sa solemne këto lloj ceremonish. Në një ceremoni të tillë, të organizuar në ndërmarrjen komunale të qytetit, drejtorit të ndërmarrjes i mbeti varur në dorë medalja, kur me solemnitet njoftoi dekorimin e Teki evgjitit, punëtorit të dalluar të pastrimit të qytetit.

– Varja gruas tënde shoku drejtor, atë varëse! – klithi e revoltuar nga fundi i sallës gruaja e Tekiut, që ishte punëtore në të njëjtën ndërmarrje – Nuk ka nevojë për medalje ai!  Të lutem shumë, Tekiut tim shtoi një çikë rrogën, se ka një radhë fëmijë për të ushqyer e ata nuk hanë medalje

Salla ngriu. Drejtori u nxi në fytyrë, kurse Tekiu nuk guxoi as të ngrihej nga karrikja. Le ta provonte, po të donte! Gruas së Tekiut, fshesares së qytetit, nuk kishin ç’ti bënin. T’i hiqnin fshesën?!

Sipas procedurës së mirënjohur ‘nga posht-lart’, mbas disa ditësh propozimet e kolektivit u shqyrtuan në mbledhjen e organizatës bazë të partisë të institucionit. Kur u lexua emri i inxhinierit, në diskutime befas ‘u zgjua’ lufta e klasave e u përmendën ‘hijet në biografi’. Prandaj u konkludua që medalja nuk mund t’i jepej atij individualisht, pavarësisht nga puna e lavdërueshme që kishte bërë, por mund t’i jepej të gjithë stafit të zyrës ku punonte ‘inxhua’, pra t’i jepej zyrës në tërësi. Kur u komunikua ky konkluzion, ai e ndjeu ‘erën e shpifur’ të luftës së klasave, por bëri indiferentin.

Me stafin e zyrës filluan të diskutojnë gjysëm-seriozisht e gjysëm me humor, për të caktuar vendin e nderit ku do ta vendosnin me kornizë, siç e meritonte, medaljen në zyrë. Kur t’u jepej medalja e kur ta vendosnin në vendin e nderit në mur, ata do të ishin krenarë, se do të punonin në zyrë me dekorate. Zyra e tyre do të ishte e vetmja në ndonjë institucion, në rreth e ndoshta në republike, që do të ishte e vlerësuar me medalje. Kishin të drejtë legjitime të krenoheshin! Ndërsa atë, inxhinierin, çuditërisht e ka ndjekur gjithmonë ‘fati’! Quhej ‘me fat’ që do të punonte në një zyrë të dalluar, të vlerësuar me medalje, sikundër kish qenë ‘me fat’ në gjimnaz në Gjirokastër, që kish mësuar në “klasën muze”, ku thuhej se kishte mësuar vetë shoku Enver. Kishte lindur me këmishë!!!  Nuk e miklonte aspak ky lloj ‘fati’, që e ndiqte çuditërisht, ‘kur kujtonte atë shprehjen e shpifur popullore “paç fatin e kurvës”! Miratimin përfundimtar të propozimeve për dekorimet e bënte Komiteti i Partisë i Rrethit.

Në mbledhjen e organizuar me këtë rast, dikush u kujtua që shoku S., veteran i luftës me shumë merita, kishte 60 vjetorin e lindjes e me këtë rast duhej dekoruar patjetër. Meqenëse ishte punonjës i institucionit ku punonte edhe inxhinieri, medalja që do t’i akordohej atij duhej të përfshihej në numrin total të miratuar për atë institucion. Pra, dikujt duhej të mos i miratohej medalja e propozuar. Fatkeqësisht i qëlloi ‘medaljes së zyrës’ që të sakrifikohej për shokun S. S’qe e thënë që ta merrnin as si zyrë atë të shkretë medalje! Nuk do kishin fatin të ishin ‘zyrë e dekoruar’, por do të mbeteshin të zakonshëm, si gjithë të tjerët. Ndërsa ‘u mërzitën’ se do t’u mbetej bosh ‘vendi i nderit’ në murin e zyrës, ku kishin parashikuar të vendosnin me kornizë medaljen, po pyesnin të çuditur njeri-tjetrin se a do të kishte vallë akoma vend të lirë ne gjoksin e shokut S., për të shtuar edhe këtë medalje?!

Please follow and like us: