Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Antivlerat e demokracisë shqiptare

Shpesh herë në çdo bisedë nëpër kafene dëgjon të njëtat shprehje: “Ne shqiptarët nuk bëhemi… Kemi politikanë amatorë që njohin vetëm xhepat e tyre… Reforma në drejtësi ka ngjallur një shpresë…”. SPAK e ka të të hapur rrrugën le të shkojë tek gjiri Lalëzit apo tek vilat qindra milionëshe në hyrje të Tiranës dhe të hetojë se ku u ku u gjetën paratë.

Për ta kuptuar më mirë realitetin e demokracisë në oborrin shqiptar do të duhet të kthehemi në orët e para të sistemit pluralist.  Megjithatë, edhe sistemi i ri, që në fakt për shqiptarët ishte me shumë të panjohura, kërkonte individë që do t’i  prinin proceseve demokratike që buronin nga vlerat e demokracisë, por edhe nga ringjallja e vetëdijes kombëtare, e cila gjatë epokës komuniste, në mënyrë konstante ishte mbajtur e ndrydhur. Por, ishte e qartë se mungonte përvoja në raport me demokracinë, përfshi edhe ringjalljen shpirtërore, sepse shqiptarët kishin nevojë për çlirim shpirtëror.

Megjithatë, përvojë me organizimin partiak kishin vetëm udhëheqësit komunistë, të cilët, duke nuhatur fundin, i kishin hedhur librezat e kuqe dhe, duke vërejtur se komunizmi ishte në grahmat e fundit, kishin pritur momentin e përshtatshëm për t’u shpërndarë nëpër partitë e reja që shënuan hapin e parë të sistemit pluralist.

Pikëpamjet e këtyre grupimeve kishin domethënie të ndryshme, siç ishte e ndryshme edhe logjika e tyre për politikën dhe pushtetin. Megjithatë, më elastik u treguan ish-komunistët, që brenda natës u transformuan në demokratë.

Ndërkohë, shtegu iu hap edhe shumë anonimëve, të cilët, duke shfrytëzuar anarkinë e natyrshme për orët e para të tranzicionit, kuptuan se në politikën shqiptare nuk ka dyer të mbyllura, mjafton që të veshësh një bluze blu apo rozë dhe je në rregull pasi të gjitha partitë kanë dalë nga një miter, ajo e PPSH. Pra anonimët bënë disa përpjekje të lehta dhe sakaq arritën të faktorizohen, ndonëse pa i plotësuar as kushtet elementare. Dhe, kur morën vulën e “politikanit”, ata shpejtuan që ta dëshmojnë edhe “inteligjencën” e tyre përmes vënies në kornizë të një diplome, të marrë nëpër universitetet private tip kioske.  Kjo ishte e mjaftueshme për t’i lënë pa fjalë, sipas tyre, gojë-këqijtë. Ishte ky grupimi që sapo u rehatua në kolltuk, i harroi të gjitha idealet dhe sakrificat për një organizim të natyrshëm të shqiptarëve, me të gjitha atributet e qëndrueshme të një kombi. Edhe drejtësinë e bëmë me një kurs 6 mujor tek plepat në Durrës, madje këtë hibritë na kanë mbërritur deri në Gjykatën e Lartë. Gjyqtarë pa integritet që ishin bërë si misri me kubik në kohën e bujqësisë socialiste tashmë grinin para me gërshërë, krimineli dilte nga burgu si grindavec, hajduti si i penduar që kishte bërë këtë veprim padashje, me të fortët që vinin gjoba nuk merrej njeri…

Pavarësisht dallimeve të brendshme, një gjë ishte e dukshme: potenca shpirtërore e shqiptarëve, në konstelacion të një filozofie të çoroditur, nuk jepte asnjë shprese se ka kurajë jo vetëm për ta thënë të vërtetën e argumentuar, por edhe për ta shikuar atë në sy. Çuditërisht, shqiptarët u vunë vullnetarisht në pozicionin e kërkuesit të asaj që ishte e drejtë e tyre e natyrshme. Arsyetimet se është mirë të zgjidhet një kohë e përshtatshme, që nuk do të shkaktojë kundër-reaksion të palës tjetër, u tregua kundër-produktive, mbase edhe djallëzore, të cilën strategji pala shqiptare asnjëherë nuk diti ta lexojë, ndonëse ishte e qartë se po përgatitej diçka e dhunshëm, diçka që do t’ua bënte me dije shqiptarëve se kush është pronar e kush qiraxhi.

Konfuzioni në politikën shqiptare është përdorur në mënyrë të shkëlqyeshme nga ana e palës joshqiptare, e cila në çdo kohë ka ditur t’i plotësojë kërkesat e klaneve të përfaqësuesve shqiptarë si kompensim për lehtësimin e realizimeve të projekteve antishqiptare. Dhe, pikërisht kjo politikë e ngecjes shqiptare edhe një herë erdhi në shprehje dhe u dëshmua në zgjedhjet e fundit parlamentare me ç’rast, në konstelacion të forcave politike, sërish mbeti me të vjetrën.

Po ç’mbeti nga ideali i atyre që luftuan dhe dhanë jetën për çështjen kombëtare, për bashkimin përfundimtar të trojeve shqiptare? Akoma shqiptarët janë i vetmi popull i ndarë me shumë kufij. Shqiptarët kanë një gjuhë, një alfabet, një kulturë, një histori, një flamur kombëtar, por janë të shpërndarë.

Çështja e Ballkanit, përkatësisht konfigurimi i saj, akoma nuk ka marrë fund, ndërkaq çelësi dhe dryni i gjithë kësaj mbetet Kosova, e cila edhe përkundër çlirimit nga shtypja serbe dhe pavarësisë së saj, vazhdon të mbetet dhe të trajtohet si një çështje pa epilogun përfundimtar. Disa shtete evropiane akoma kanë rezerva ndaj njohjes së Kosovës, duke e trajtuar atë si pjesë të Serbisë. Dhe, kur bëhet fjalë për raportin Kosovë–Serbi që sërish është intensifikuar në agjendat euro-amerikane, duhet bërë të qartë se shqiptarët nuk e kapërcyen realitetin (e kaluar) historik dhe asnjë vijë të kuqe, por thjeshtë ecën me shekuj e dekada nëpër këtë realitet të zymtë për të arritur në realitetin e sotëm, që aspak nuk ndryshon nga ai realitet qindravjeçar, i cila i është lënë historisë. Duhet të vetëdijesohemi dhe ta kuptojmë se padrejtësitë historike do të duhet t’i përmirësojmë vetë, përmes qasjes me një gjuhë të faktorit shqiptar në Ballkan ndaj të gjitha problemeve, natyrisht duke e argumentuar këtë me fakte.

Diplomacia shqiptare duhet të jetë më këmbëngulëse dhe përfundimisht, shqiptarët duhet ta shmangin kosmopolitizmin dhe dashurinë e pakontrolluar ndaj vlerave internacionale, duke e lënë anash dashurinë ndaj vetvetes. Diplomacia shqiptare, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të flasin me një gjuhë dhe jo, bie fjala, problemi me Serbinë të trajtohet nga dy këndvështrime ose edhe më keq, diplomacia e Tiranës të bëjë presion mbi diplomacinë e Prishtinës (rasti i Shengenit ballkanik). Është koha që të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përkatësisht qendrat e vendosjes, ta ndjejnë një lloj presioni nga vetë shqiptarët: raporti Kosovë–Serbi ose zgjidhet me dialog konstruktiv ose Kosova dhe Shqipëria bëhen bashkë. Sepse Kosova as ka qenë e as është problemi i Ballkanit, por Serbia, kurse këtë e ka dëshmuar dhe e historia e mbushur me mijëra fakte për terrorin serb mbi shqiptarët

Pra, mungesa e vullnetit për njohje reciproke ka vetëm një alternativë: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e një realiteti të ri në Ballkan

Shqiptarët duhet t’i japin fund mungesës së lumturisë, zhytjes në poshtërsi e intriga, heronjve të rremë, analfabetëve në politikë, të cilët na mjaftuan si shembull i së keqes. Duhet t’i kthehemi edhe realitetit tonë të brendshëm, nëse duhet edhe nga pika zero dhe të mbërrijmë te thelbi i çështjes sonë të mbetur pezull më shumë se një shekull. Ndryshe, do të mbetemi të shpërndarë…

Realisht shumica e problemeve që na janë shkaktuar ne si komb nga disa njerëz që duan të jenë të rëndësihëm pa pasur asnjë vlerë reale. Nuk ka gjë më të tmerrshme se sa injorantët në veprim. Ka disa kufij që budallallëku duhet të frenohet. Jeta nuk i jep askujt mësime falas, kur ne themi që jeta na mësoi sigurisht që ne kemi paguar një çmim. Nuk ka çmenduri më të madhe në botë kur politikanët shqiptarë thonë se kanë të drejtë dhe ata e dinë si t’i drejtojnë punët, nuk ka gjë më të keqe se injoranca në veprim. Të gjitha këto kanë sjellë zhgënjimin e shqiptarëve, sepse zhgënjimi është një dhimbje që buron nga një besim i tradhëtuar. Por këta politikanët shqiptarë nuk kanë turp as kur gënjejnë dhe as kur hanë premtimet. Frojdi ka thënë: Mungesa e plotë e turpit është tregues i çmendurisë.

Zgjedhjet e 25 prillit janë tek dera… Pas humbjes kur fiton kundërshtari kryetarët e partive shprehin keqardhje për votuesit e tyre që nuk i kanë kuptuar… Keqardhja është humbje e tmerrshme e energjisë, por dihet se asnjëherë nuk mund të ndërtosh diçka mbi keqardhjen… Sa krime dhe abuzime janë kryer në Shqipëri në këto 30 vjet? Asnjëherë autorët e tyre nuk kanë pranuar që kanë gabuar. U vranë njerëz të pafajshëm në Gërdec, u vranë 4 të pafajshëm në boulevard, është vjedhur ekonomia deri në palcë me CEZ apo me naftën. Është çmenduri për votuesit shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë duke pritur rezultate të ndryshme me të njëtit njerëz që i kanë çuar në humnerë…

 

 

Please follow and like us: