Albspirit

Media/News/Publishing

Promovimi i librit në kolegjin AAB, përcillet edhe në disa media të tjera

U promovua libri “Krime serbe në Kosovë”
Në ambientet e Qendrës Mediale të Kolegjit AAB u promovua libri “Krime serbe në Kosovë” i autorit Çerçiz Loloçi.
Ky libër pasqyron krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe është ndarë në 4 kapituj. Libri “Krime serbe në Kosovë”, i cili ishte botuar për herë të parë para 21 vjetësh me titull “Holokaust, dosja pa koment për krimet e Millosheviqit”, u vlerësua lartë nga pjesëmarrësit
Ramë Buja, profesor universitar tha se ky libër vjen në kohën kur po sfidohemi seriozisht si popull, si komb dhe si shtet, duke iu referuar procesit gjyqësor të ish krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Ky libër, pa pretenduar se ka shteruar, ka përmbledhur në mënyrën më të strukturuar atë që duhet thënë… Ato që janë renditur në këtë libër për mua janë edhe emocion edhe rikujtim i asaj që kemi përjetuar por edhe rikujtim i asaj që ka filluar të harrohet”, tha Buja.
Ai tërhoqi vëmendjen, se megjithatë ne nuk e kemi përfunduar ende punën, për shkak të lojërave që po bëhen nga politika jonë e pa strukturuar.
Ndërsa, botuesi i librit Rexhep Shahu, duke falënderuar Kolegjin AAB për organizimin e këtij promovimi tha se është obligim i universiteteve që të sjellin librin te lexuesit. Si dëshmitar i shumë ngjarjeve që kanë ndodhur gjatë kohës së luftës, ndërkohë që po ushtronte profesionin e gazetarit të Radio Kukësit, Shahu bëri vërejtje se pak po bëhet në ndriçimin dhe arkivimin e këtyre fakteve.
“Nëse s’ i njohim krimet serbe nuk them që do përsëriten, por do të trashet e keqja brenda nesh… Nëse Kosova e Shqipëria do të kishin bërë ndonjë padi ndërkombëtare Serbisë në Gjykatat Ndërkombëtare, Serbia do të strukej, sepse ajo e njeh frikën e ligjeve ndërkombëtare”, tha Shahu.
Ndërsa profesori nga Shqipëria Sadik Bejko, duke folur për librin tha se në këtë libër përveç dëshmive të gjalla, të të deportuarve nga Kosova në Shqipëri, përfshin edhe dëshmi ndërkombëtare, si ato të BBC, Deutche Welle, etj.
“Krimet që nuk denoncohen janë fyerje për viktimat dhe ne përfaqësuesit e padenjë që nuk bëjmë asgjë”, tërhoqi vëmendjen Bejko duke shtuar se Serbia që ka kryer këto krime ka çuar në pranga disa nga figurat më të shquara të politikës së Kosovës.
Në fund të promovimit, autori i librit Çerçiz Loloçi, theksoi se ky botim i librit është risjellë nga botimi i parë në 1999 kur ky libër kishte dalë për një kohë të shpejtë.
“Ky libër është një kontribut modest, së pari për të mos i harruar krimet, për t’i denoncuar ato dhe të jemi më të mençur për të mbrojtur të drejtat tona”, tha Loloçi, duke shtuar se ka ardhur koha që edhe akademitë e shkencave të punojnë më shumë në këtë fushë.
Në fund të promovimit, prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji falënderoi autorin e librit dhe pjesëmarrësit në këtë promovim duke theksuar se historia duhet shkruar dhe duhet dokumentuar për t’ ua lënë gjeneratave që do të vijnë, ashtu që historia plot krime që e kemi përjetuar të mos përsëritet.
Please follow and like us: