Albspirit

Media/News/Publishing

MUSINE KOKALARI – IKONË E OPOZITËS ANTIKOMUNISTE, SHKRIMTARE, POZATORJA E PARË NË HISTORINË E LETRAVE SHQIPE

Sadik Bejko
MUSINE KOKALARI – IKONË E OPOZITËS ANTIKOMUNISTE, SHKRIMTARE,
POZATORJA E PARË NË HISTORINË E LETRAVE SHQIPE
(10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983)
“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni se keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!
1. Jetëshkrimi
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adana të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri, në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.
Nëntë vjet më pas, Kokalarët vendosen në Tiranë.
Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”. “Muza” është pseudonimi letrar i përdorur nga Musine Kokalari në shtypin e këtyre viteve. Studimet në universitetin e Romës në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disertacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonëse i çmuar në literaturën naimjane.
Në vitin 1939, botoi librin e parë “Siç më thotë nëna plakë”, një rrëfim mbi jetën, doket e zakonet e qytetit të Gjirokastrës. Më 1942 punoi te shkolla “Nëna Mbretëreshë’.
Edhe pse e diplomuar në Itali, ajo nuk u pajtua me pushtimin italian të Shqipërisë. Në vitin 1943 themeloi Partinë Socialdemokrate. Aktiviteti i saj politik dëshmon se krahun e rezistencës kundër pushtimit të vendit dhe të regjimit fashist, nuk e kishin vetëm komunistët, por dhe forca të tjera të majta brenda vendit.
Një vit më vonë, nën drejtimin e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e dytë “Rreth vatrës”.
Më 12 nëntor 1944 vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari u pushkatuan pa gjyq bashkë me 60 intelektualë e njerëz të shquar. Gogo Nushi në Pleniumin e Beratit do ta pranonte se ata ishin pushkatuar pa pasur asnjë faj.
Më 16 nëntor 1944 Musinenë e arrestuan, e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945 botoi librin e tretë “Sa u tund jeta”.
23 janar 1946, Musine Kokalari u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit. U dënua me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, pas burgut, e internuan në Rrëshen, ku punoi në ndërtim derisa doli në pension me gjysmë page.
Në vitin 1970 Pen Klubi italian nëpërmjet OKB-së kërkoi lirimin e M. Kokalarit. Kërkesës së OKB për lirimin e saj, diktatori shqiptar iu përgjigj: Qenka gjallë ajo vrroma.
Në vitin 1981, Musineja sëmuret nga kanceri. Dy vjet më pas, më 13 gusht 1983 ndahet përgjithmonë nga jeta.
2. Gjyqi
Musine Kokalari u gjykua si drejtuese e socialdemokratëve në procesin ndaj anëtarëve të Koalicionit Demokratik, një formacion i përbërë dhe nga monarkistë, nga grupi i rezistencës etj. U akuzuan se kishin kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të Frontit Demoktatik të dhjetorit 1945 deri në organizimin e opozitës, që edhe këta të kishin të drejtën e fjalës, të drejtën të shpalosnin programet e tyre. Të drejta që u mohuan.
Musineja (opozita) kërkuan ndihmë te përfaqësitë e atëhershme diplomatike perëndimore në Tiranë, por dhe prej tyre u refuzua.
Procesi gjyqësor u zhvillua nga 17 – 30 qershor dhe dha vendimin më 2 korrik 1946. Musineja (arrestuar më 23.1.1946, liruar nga burgu më 8.10.1961) u dënua me 20 vjet burgim.
Në gjyq ajo nuk i pranoi akuzat. Refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve që iu bënë nga gjyqtarët dhe nga prokurori. Ju mohua fjala e mbrojtjes para gjyqit.
3. Kredo intelektuale
Intelektuale antikomuniste e paepur, ajo moralisht mbetet ikona më e ndritur e opozitës shqiptare për kohën e diktaturës. Me guxim qytetar e njerëzor të pazakontë, në gjyq ajo e formuloi kështu kredon e saj: “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste që të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburremi se keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi që doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia”!
Fjalë që mund të gdhendeshin në bronz në një memorial të saj.
4. “La mia vita universitaria”…
Antropologu Mauro Geraci në bashkëpunim me Simonetta Ceglie, arkiviste në Arkivin e Shtetit në Romë, (Simonetta ka bërë transkriptimin jashtëzakonisht të vështirë të dorëshkrimit origjinal, plot me ndërhyrje, korrektime, fshirje e mendime të shtuara,) kanë botuar në Itali një punim kritik të ditarit-roman të Musine Kokalarit… “La mia vita universitaria”.
“Jeta ime universitare”, përkthyer shqip, (2016) është një libër autobiografik, historik, etnografik dhe filozofik, i shkruar nga Musine Kokalari në vitet 1940-1942 në Romë, kur ishte në vitin e fundit të studimeve. Ditari u shkrua në italisht. Kokalari përshkruan në të momentet më të rëndësishme të jetës së saj studentore. Libri, një përvojë e M. Kokalarit, një rrëfim, sjell me detaje përjetimet, ngjarjet deri dhe dashurinë e saj për një djalë italian.
Këto vitet e fundit është deklasifikur dosja formulare ky dokumentohet përndjekja nga Sigurimi e Musine Kokalarit.
Vepra e saj letrare është botuar në dy vëllime.
Është nderuar me dekorata të larta prej shtetit të sotëm shqiptar.
5. Dëshmi mbi fundin tragjik
Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”… “Këtu, (në spitalin onkologjik) kuptova një gjë. Për mua, jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç’do të ngjasë”?
6. Epilogu
“Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’domethënë familje”.
Një Nesibe Dobi nga Gjirokastra, poete me një poezi shqip në dorëshkrim, shkruar me alfabet arab, njihet si shkrimtarja (poetja) e parë grua në letrat shqipe.
Musine Kokalari ka qenë shkrimtarja, prozatorja e parë e letërsisë shqipe, shkrimtare me tre libra të botuar që me gjalljen e saj./albspirit.com
Please follow and like us: