Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Një enciklopedi për Durrësin

Studjuesi dhe publicisti i mirënjohur durrsak Bashkim S. Kadiu promovoi këto ditë librin e tij “Vlerë e jetuar”, që përbën volumin e pestë të kolanës shumëvjeçare të librave të tij për figurat e shquara të qytetit të Durrësit në fusha të ndryshme të krijimtarisë dhe të veprimtarisë. Enciklopedia durrsake e studjuesit Bashkim S. Kadiu është frut i një pune të gjatë studimore, i njohjes së thellë të historisë së qytetit më të vjetër të Shqipërisë dhe hulumtim skrupuloz shkencor për të ndriçuar dinamikën historike të qytetit të Durrësit nëpërmjet profileve dhe kontributeve të figurave me vlera për qytetin. Autori dëshmon një punë kolosale prej studjuesi dhe publicisti me përvojë, që ka derdhur talentin, dashurinë dhe kulturën e tij të spikatur qytetare për të krijuar monumentin me emrin “Vlerat e qytetit tim”. Një monument i duhur letrar për qytetin bazik të qytetërimit shqiptar, qytet i cili duke qenë i ndërgjegjshëm për vlerën dhe historinë e tij të pashoqe, ka zgjedhur heshtjen krenare si shoqëruese e pandarë e lavdisë së vet tremijëvjeçare. Kam nderin që në librin “Vlerë e jetuar” të përfshihet edhe emri im në rradhën e shumë figurave me kontribute qytetare dhe kombëtare, për të cilën e falenderoj përzemërsisht studjuesin dhe qytetarin autokton durrsak Bashkim S.Kadiu. Ja çfarë shkruan autori ndër të tjera për profilin tim: “Një jetë me ndikim të jashtëzakonshëm, ku përqendrohet një ndershmëri e kulturë qyetare, një jetë e veprimtari krijuese, ku në arenën botërore me zërin e tij ndër vite ka përcjellë falë detyrës si një diplomat i karrierës zhvillimet shqiptare. Ai është dhe mbetet një institucion më vete. Me punën e tij voluminoze Shaban Murati ngriti lart e më lart identitetin dhe krenarinë kombëtare. Model i figurës së diplomacisë shqiptare. Një mjeshtër në artin diplomatik. Përvoja e punës së tij na sjell risi të reja diplomatike, ndaj dhe duhet studjuar për autoritetin, që ai demostron në diplomacinë shqiptare. Një nga figurat më të spikatura historike në fushën diplomatike. Nder i qytetit të tij të lindjes dhe në shkallë kombëtare”. Ky nderim në enciklopedinë e qyteti tim i lindjes më bën krenar dhe është rasti për të kujtuar se në vitin 2012 kam botuar librin “Hije në diplomacinë shqiptare”, të cilin ia kam kushtuar Durrësit me këtë dedikim: “Ia kushtoj Durrësit, qytetit tim të lindjes, qytetit më të vjetër të Shqipërisë, simbiozë e autoktonisë ilire me qytetërimet kryesore antike europiane. Për Shqipërinë Europa nis nga Durrësi”./albspirit.com

Please follow and like us: