Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Pranvera po vjen nga Prishtina

Ajo që po ndodh në Kosovë, është një ogur i mirë edhe për Shqipërinë. Kjo për rotacionin aq të domosdoshëm. Fryma e vjetër politike qe aq e dhunshme sa fati i Kosovës u njëjtësua me të ndenjurat personale në karrike. Në lidhje me këtë për t’u treguar me gisht është sot partia e një ikone kombëtare, LDK-ja por pa Ibrahim Rugovën. Dhe mos u çudisni nëse Isa Mustafa nuk e jep dorëheqjen. Nëse në Kosovë Albin Kurtin e rrëzuan me makinacione koalicionesh. Në Shqipëri e sulmojnë me preteksin se është një neomarksist. Megjithatë ai iu nështrua sfidave politike dhe ndofta është i vetmi që mënjanoi makthin shqiptar të bisedimeve me Beogradin. Solli reciprocitetin. Nuk e di përse tema e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë akoma gangrenë mentale. Kosovës i duhet të forcojë ekonominë dhe aq. Madje shqiptarët në përgjithësi këtej dhe andej, këtë duhet të bëjnë. Sa më shumë rrugë kombëtare, tregtare, shkëmbime produktesh. Sa më shumë dogana prej kunjash shkrepsesh që të marrin flakë nga sirenat e lokomotivave. Na njeh Serbia, mirë. Nuk na njeh, akoma më mirë. Jemi në tokën tonë, truallin tonë. Sa më shumë njehësim programesh arsimore. Ta dini, nuk kemi nevojë për kërkënd. Në këtë aspekt qytetari i Kosovës i jep të drejtë Albin Kurtit dhe reciprocitetit. Nuk jetoj për sytë e tu, por për qejfin tim. Praktika e bisedemeve të tejzgjatura nuk ka bërë asgjë tjetër veç na ka futur në ujrat e Serbisë. Stop bisedimeve dhe të shikojmë njëri-tjetrin. Boll u hodhën rrugëve prodhimet bujqësore të Myzeqesë dhe anasjelltas. Përpara se të bëjmë minishengen me të tjerët, le ta bëjmë mes vedit. Dhe ja ndryshimi erdhi. Askush nuk është i përjetshëm në pushtet. Madje duhen neveritur ata që kërkojnë pushtet pa fund. Më vjen keq që 25 prilli i Tiranës, është akoma larg, duhej të ishte nesër. Dhentë Zoti shqiptarët e dheut amë mësojnë nga vëllezërit në Dardani. Të dish se çfarë vitaliteti ka vendi yt, nuk ke për tu qaravitur kurrë dyerve të Beogradit, Stambollit a Dubait. E ne e kemi. Por janë një kategori e tërë shushunjash që të vrasin po t’u kërkosh të hapin rrugën. Ndaj ndryshimi në Prishtinë të kujton ato lulet e bajameve që çelin herët, mundin acarin e çelin. Dhëntë Zoti e çelin edhe bajamet në kodrat e Shqipërisë amë./albspirit.com
Please follow and like us: