Albspirit

Media/News/Publishing

Albina Deda: Figura e mjekut duhet të ridimensionohet!

 

Mjekësia duhet të dijë të vërtetën mbi cilësinë-larg propagandës.

Sektori shëndetësor ka kohë që rënkon nga keqmenaxhimi, keqfinancimi, abuzimi, korrupsioni, keqinformimi, subjektiviteti e manipulimi i rezultateve dhe të dhënave.

Modernia dhe primitivja sot bashkjëtojnë!

Pjesa kryesore e performancës në shëndetësi është mjeku si person dhe qytetar, primare është ana profesionale, por mjaft me rëndësi është etika, bota e brendshme, ana psikologjike e shpirtërore.

Janë të ndërvarura aftësia profesionale, mirësia dhe përkushtimi.

“Pa qenë njeri i mirë nuk mund të bëhesh mjek i mirë”!

Kujdesi shëndetësor nuk është aq teknologjik sesa empatik dhe afeksional, ai ofrohet nga njeriu tek njeriu çka kërkon dije, ndjenjë, altruizëm.

Pakënaqësia e personelit sot është shenjë e dështimit, por nga ana tjeter dhe pengesë e një kujdesi cilësor!

Balancat e duhura mes pushtetit administrativ dhe atij profesional, kërkesave të pacientëve dhe vlerësimi i ngarkesës e mundësive të shërbimit mjekësor nuk janë  adresuar qartë ashtu siç duhet të adresohen.

Mjekësia është tamam si një adoleshent kurioz, pasionant dhe i guximshëm që nëpërmjet sfidave duhet të rritet e maturohet.

Mjekët kanë gjithmonë nevojë të ndihmohen në vendimmarrje, por dhe të mbështeten psikologjikisht.

Rëndësi i duhet dhënë sot sigurisë së barnave.

Me ndryshimin e ligjit të barnave nga Rilindja në vend futen medikamente të pasigurta, joefikase, të falsifikuara, të skaduara, që shumica e tyre prodhohen dhe amballazhohen në bodrume  e skuta të Ballkanit!

Barnat janë padyshim një ndër armët më efikase të mjekut kundër sëmundjeve, por si të gjitha armët në rast se nuk janë të sigurta dhe keqpërdoren ato në vend që të na sigurojnë mbrojtje mundet edhe të na vrasin ose të vetvritemi.

Mjekësia e sotme ka kapërcyer kufijtë shkencorë të natyrshëm dhe legjitim me performimin e tepruar të barnave.

Ajo është medikalizuar dhe është kthyer nga ndihmesë e mjekësisë ne drejtuese e mjekësisë, duke kaluar në plan të dytë parandalimin dhe zgjidhjet efikase jo medikamentoze.

Barnat sot nuk janë aq të lidhura me sëmundjen, por lidhen me ankesat simptomatike e mënyrën e jetesës.

Mbipërdorimi dhe keqpërdorimi i tyre po bëhet e rrezikshme sidomos për antibiotikët që edhe tani në pandemi kanë marrë përmasa të rrezikshme!

Bakteret po marrin revansh duke paralizuar antibiotikët dhe mundur mjekësinë.

Shqipëria aktualisht është kampione në Europë për keqpërdorimin e antibiotikëve.

Shoqëria jonë sa më shpejt duhet të arrijë standartet universale etike, humane dhe figura e mjekut duhet të ridimensionohet në përmasat që ata meritojnë.

Dhe kjo gjen sigurisht vend të merituar në programin e PD për shëndetësinë!/albspirit.com

Please follow and like us: