Albspirit

Media/News/Publishing

Ekskluzive/Inxh. Luan Pogaçi: Kush e përgjonte Mehmet Shehun? (1)

Tani dilte problemi tjetër dhe më i vështirë, i cili konsistonte në kthimin e përgjigjes për Kryeministrin, sipas kërkesës së tij, që të qe i pranueshëm nga ai, pasi e dinim rreptësinë e tij për gjërat që nuk ishin ashtu si i mendonte ai.

Lamë te mblidhemi në ora 7 të mbrëmjes me Ing. Perikli Panin, i cili qe Drejtor i Përgjithshëm i Post telekomunikacionit, zv. Ministri Xhule Çiraku dhe unë, që të takoheshim në zyrën e tij për të shkruar përgjigjen për kryeministrin. Telefoni për të cilin kishte shqetësim Kryeministri qe ai katërshifror i centralit të qytetit të  Tiranës. Për këtë arsye Perikliu qe më i shqetësuari.

Ing. Perikliu kishte rreth 4 vjet që ishte emëruar në këtë detyrë. Më parë ishte Drejtor i Ndërlidhjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ishte shefi im në atë kohë. Kishte mbaruar për Inxhinieri ne Bashkimin Sovjetik, qe shumë i përgatitur, njeri me mjaft humor dhe mjaft komunikues. Njëherë kur unë sa kisha filluar punën në Drejtorinë e Dytë, ai erdhi të takonte Zv. Ministrin, Xhulen, për problemet e ndërlidhjes P.T.14 Kërrabë qe mbulonte ndërlidhjen e Udhëheqjes në Vendkomandat tip tunel. Unë, me porosi te Zv.Ministrit, i dola para tek lulishtja (para piramidës që është sot) për ta pritur.

Drejtoria jonë në këtë kohë ishte atje ku sot është piramida dhe qe ngjitur me vilën e Ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu. Na ndante vetëm një mur i hollë me tulla ku ishte bërë një vrimë e madhe dhe shpesh nëpër të kalonte nipi i vogël i Ministrit dhe luante me oficerët apo me një qen gjahu të tij në oborrin e drejtorisë.

Kur e prita dhe po e shoqëroja, Perikliu më pyeti si po më shkonte puna, si i ri që isha, e unë ju përgjigja me një mirë të dobët. Dëgjo, tha, ti je tani si ai parashutisti që është hedhur dhe nuk është as në aeroplan dhe as ne tokë, por valëvitet në ajër. Ai pa reagimin tim dhe me tha: mos u mërzit se këtë ma ka thënë dhe mua ish drejtori im Kadri Brahimaj kur u ktheva nga studimet nga Bashkimi Sovjetik. Unë qesha i lehtësuar dhe vijuam rrugën për në drejtori.

Le të kthehemi ku e lamë. Në zyrën e Perikliut ishim, ai, Xhule Çiraku dhe unë. Kemi punuar gjatë gjithë natës për të shkruar vetëm dy rreshta si përgjigje. Kemi hedhur në kosh dhjetëra e dhjetëra variante, deri sa në fund, rreth orës 6 të mëngjesit, me kokë të rënduar dhe sy të buhavitur nga ajri i rëndë i ambientit pasi Perikliu pinte duhan me llullë (kishte një llullë shumë të bukur me kapak metalik), ngelëm tek njeri nga variantet ku theksonim se kemi bërë këto e këto kontrolle dhe nuk kemi konstatuar asnjë lloj përgjimi apo ndërhyrje në rrjetet telefonike apo central telefonik.

Pasi i dorëzuam Kryeministrit konkluzionin tonë, pritëm ndonjë reagim, por nuk pati, thjesht na thanë që nuk i kishte pëlqyer shumë përgjigja, pasi ai ishte i bindur që përgjohej.

***

Në këto vite Enver Hoxha shkonte shpesh për pushime në Vilën e Vlorës. Ajo ndodhej në kodër, mbi tunel, e rrethuar me agrume te cilat kishin çelur dhe lëshonin një aromë dehëse. Ishte pranvera e vitit 1981. Disa rikonstruksione të thjeshta në vilën e tij kishin mbaruar, ndërsa në vilën e Mehmetit vazhdonin punimet me intensitet pasi ajo po ndërtohej nga e para. Kjo vilë ishte e veçuar nga vilat e tjera të udhëheqjes. Ajo ndodhej në breg të detit në një tokë të dalë si gjuhë në det. Majtas dhe djathtas saj në det rridhnin ujëra të ëmbla burimore me sasi të konsiderueshme, ndërsa përpara kishte një plantacion me agrume i cili kufizohej nga rruga kombëtare automobilistike. Kishte një plazh goxha të madh që varionte nga tuneli deri tek vila. Këtu ishin ngritur disa kabina për plazhistët që frekuentoheshin nga ministrat dhe anëtarët e Komitetit Qendror. Në krah të kabinave kishte pemë dhe disa drurë palme.

Gjithmonë kur Enver Hoxha shkonte me pushime në Vlorë, rajoni i banimit ruhej në mënyrë të përforcuar nga Garda e Republikës. Drejtimi bëhej nga Komandanti i Gardës, që në atë kohë qe Dane Binaj dhe vendkomandën e ngrinin në hotelin që ishte te plazhi i vjetër. Unë shkoja nganjëherë aty dhe luanim shah me Danen. Ne si shërbim i drejtorisë ( Zv.Ministri dhe unë) akomodoheshim tek vila 4 që ndodhej po në bllok, mbi tunel, që kishte një pamje shumë te bukur nga  deti. Vila qe me disa  dhoma dhe secili flinte në një dhomë të veçantë. Kur vinin oficerë të tjerë gjatë shërbimit flinin tek dhoma ime. Televizorin, telefonin dhe radion i mbanim në sallon ku dhe rrinim gjatë ditës. Gjatë natës telefonin dhe radion i merrja unë. Ushqimin e hanim te Vila 3, që ishte ngjitur me tonën, kur tek kjo vilë kishte ardhur ndonjë udhëheqës tjetër (zakonisht ministra) për pushime dhe kuzhina gatuante edhe për ne. Ne rastet e tjera hanim në një restorant që ishte para tunelit te Uji i Ftohtë.

Zv. Ministri në shumicën e rasteve nuk hante darkë, ose vetëm një kos, e unë që haja e pija në darkë, shpesh i thoja që stomaku kërkon të bluaj, prandaj mirë ishte të hante, ai ma kthente me dashamirësi se ashtu flinte më rehat. Vila ishte e rrethuar nga portokallet e mandarinat dhe unë në kohën e tyre haja, pak me droje, ndërsa Xhulia asnjëherë nuk mori një kokërr. Kishte një korrektësi të jashtëzakonshme. Më kujtohet në 60-vjetorin e ditëlindjes së tij u gjendëm me shërbim në Vlorë dhe e festoi shumë thjesht, pa pije, ndërsa unë i dhurova librin ¨Pavarësia e Shqipërisë¨ të Arben Putos i cili sapo ishte botuar, unë e kisha lexuar dhe më kishte pëlqyer shumë.

Gjatë kohës që në Vlorë stabilizoheshin shërbimet e sigurisë dhe ato të Gardës, ditët e para, unë kisha mjaft punë.

Fillimisht unë instaloja dy grupe ripetitorësh në frekuenca të ndryshme, njërin në Kusbaba, për ndërlidhje me repartet ushtarake dhe shërbimet jashtë Drejtorisë dhe tjetrin në vilën 9 në bllok për shërbimet e sigurisë të drejtorisë dhe Gardës.

Mbas kësaj shkoja në komandën e divizionit që ishte në hyrje të Vlorës, nga ullishtet; pas kësaj shkoja në komandën e flotës detare që ishte pranë portit dhe së fundmi në Degën e Punëve të Brendshme. Ju shpija nga një radio portative për oficerin e gatshëm, po ashtu me komandantët e reparteve shkëmbeja kodet dhe frekuencat  e ndërlidhjes për radiostacionet stacionare kryesore si dhe informacionet e tjera të dobishme për sigurimin e pushimeve pa probleme të udhëheqjes.

Nga shërbimet e drejtorisë në Vlorë ishim gjithmonë prezent Zv.Ministri Xhule Çiraku dhe unë. Shërbimet e tjera vinin me raste sipas punës. Po ashtu ishte prezent gjithmonë dhe zv. Drejtori i Drejtorisë së Pritjes Petraq Postoli. Siç thashë më lart, ne akomodoheshim te vila 4 dhe që aty bëhej drejtimi i të gjitha shërbimeve të drejtorisë. Çdo mëngjes rreth orës 7 vinte posta sekrete dhe shtypi i ditës, të shoqëruara nga një oficer i shërbimit të Drejtorisë së Dytë. Tek vila shpesh vinte dhe na vizitonte Kryetari i Degës së Brendshme, që në atë kohë ishte Llambi Peçini. Në darkë luanim me letra të katër deri vonë. Llambin e merrte herë pas here në telefon e shoqja, Jorgjia, e pyeste ku je se kam ngrohur dushin që të lahesh. Dushet qenë në atë kohë nga ata që ngroheshin me vajguri dhe s’ndizeshin kollaj. Llambi qe njeri me shumë humor dhe bënte shumë shaka në muhabet. Kërkesës së Jorgjies i përgjigjej duke qeshur “lermë rehat për kokën tënde se po punoj, jam me Xhulen (zv.Ministrin)” edhe kur ndërkohe luante letra deri vonë. Prapëseprapë ishim në gatishmëri.

 

***

Meqenëse vila ne Vlorë po ndërtohej akoma, Mehmeti  shkonte për pushime në Durrës, gjithmonë me ndërprerje të shkurtra kur Enver Hoxha qe me pushime në Vlorë apo në Pogradec.

Unë kur veja me shërbim në Durrës shpesh shkoja tek grupi i tij dhe ndonjëherë edhe drekoja aty, pasi siç kam theksuar më lart kisha marrëdhënie të mira me ta dhe veçanërisht se gatuanin peshk për drekë. Shoqëruesit shkonin thuajse çdo ditë herët në mëngjes. Gjithmonë gjuanin për peshk me parangalla apo me rrjeta ngjitëse. Nganjëherë me këta shkonte dhe Mehmeti. Në këto raste për efekt të sigurimit të tij merrnin me vete një radio 708 tip kinez, ndërsa me një radio tjetër rrinte oficeri i shërbimit në breg.

Për sigurimin e radiove dhe për disa probleme të ndërlidhjes së udhëheqjes që duhet t’i siguronte Ministria e Mbrojtjes, patëm një debat disa muaj më parë.

Unë i sugjerova Zv Ministrit, Xhules, që duhet të ndërrojmë radiostacionet e vjetra të valëve ultra të shkurtra me radio të tipit të ri me tranzistorë, po ashtu duhej të  forcohej grupi i shoqërimit me ndërlidhje nga ushtria për Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxha dhe për Kryeministrin. Në të njëjtën kohë duhej të avancoheshin punimet e ndërlidhjes për objektet e rëndësisë së veçantë tip tunel në malin e Dajtit, në Kërrabë, objektet “Lumi” dhe “Katarakti” dhe në Skrapar në Krorëz. Për këto duhej të angazhohej më shumë Ministria e Mbrojtjes e në veçanti Drejtoria e Ndërlidhjes në atë ministri. Për këto probleme Xhulia la një takim me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Veli Llakaj. Takimi u bë në zyrën e Veli Llakajt, ku merrnin pjesë Zv. Ministri i Brendshëm Xhule Çiraku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Veli Llaka, Abaz Thana (drejtor i ndëlidhjes së ushtrisë) dhe unë Luan Pogaçi, përgjegjës për garancinë dhe ndërlidhjen e udhëheqjes.

U debatua gjatë e nganjëherë edhe me tone të larta ndërmjet dy drejtuesve kryesorë. Unë ndihesha rehat dhe rrija i qetë sepse ia kisha sqaruar më parë Zv/Ministrit problemet që do të ngrinim. Më parë e kisha biseduar me Zv/Drejtorin e Drejtorisë sonë, Jaup Dabulla, një nëpunës shumë i aftë dhe gjirokastrit shumë i zgjuar i cili më dha këshilla të vlefshme.

Pala tjetër nuk kishte marrë dijeni më parë për problemet konkrete që do të diskutonim. Drejtori i  Ndërlidhjes  së Ushtrisë, Abazi, futej shpesh në debat duke kundërshtuar fort se nuk kishin pajisje të tepërta, nuk kishin fonde rezervë etj, pasi ai me Shefin e Shtabit nuk ishin konsultuar më parë pasi nuk i dinin problemet konkrete që ne do të paraqisnim. Kur u nxeh shumë debati u propozua nga ana e Shefit të Shtabit Veli Llakaj të bënim pushim për një kafe. Në pushim e tërheq mënjanë Abazin, për të cilin kisha shumë respekt, pasi më parë kishte qenë dhe drejtori im dhe për t’i bërë pak presion. I thashë, shiko Abaz, kij parasysh dhe kujdes se ata janë shefat tanë dhe sot mund të përplasen fort, por nesër mund të merren vesh dhe do të pyesin kush na futi në këtë përplasje të panevojshme dhe do dalësh që ishe ti. Pas kësaj ata të dy mund të të kthehen ty e të godasin fort si arbitri ndërmjet dy boksierëve. Mesa duket biseda vlejti. Abazi dëgjoi me kujdes ra dakord me mua dhe kur u futëm përsëri në takim nuk foli fare dhe problemet u miratuan menjëherë. Me sa duket edhe Xhulia me Veliun ishin marrë vesh gjatë kafesë.

Lind pyetja: a e dinte Enver Hoxha këtë tendencë të  Kryeministrit dhe rrethit të tij për t’u forcuar dhe dubluar?

Patjetër e dinte se kishte informacionin e nevojshëm, por nuk kishte shqetësim për arsye se: e para e ndjente veten më të zgjuar dhe më të fuqishëm politikisht, e dyta kishte shumë besim tek besnikëria e Mehmetit, kishte kohë që i kishte lënë dorë të lirë Mehmetit, mbase qe nga viti 1974, ishin shokë që kishin mbajtur njëri-tjetrin dhe Enveri e pranonte se Mehmeti do të ishte më i miri dhe më i përshtatshmi për ta zëvendësuar atë mbas vdekjes dhe treta ata kishin një program të përbashkët për çlirimin e Kosovës i cili po jepte rezultatet e para.

Përsëri qëndron pyetja: Kujt i interesonte me çdo kusht vdekja e Kryeministrit, Mehmet Shehu?/gazeta dita

Please follow and like us: