Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: FJALË PËR ‘MILIONERIN’ E KOÇO DEVOLES

S’ka pak ditë që TVSH-ja ritransmetoi komedinë e Koço Devoles “Milioneri” që nuk është vetëm e Koço Devoles, po e qindra-mijëra “milionerëve” të rinj të ngritur befas nga asgjëja! Shumë bukur! E qëlluar!Për të thënë se rruga e ndershme e pasurimit në sistemin e ri shoqëror është vetem puna e ndershme dhe talenti i njeriut. E jo ajo e mashtrimit të ronxho-bonxhëve që mbinë papritur! Si këtu, në këtë komedi fshikulluese që vërehet çdo ditë e netë në realitetin shqiptar, si fenomen tronditës, kur papritur e papandehur mund të gdhihesh edhe milioner! Përmes një satire që, le ta themi fshaçe, “të shpëton shurra” kur e sheh, nga mbingarkesa e një humori të gjallë e të ngjeshur, me gjetje e detaje të njëpasnjëshme, me forcën goditëse të satirës, shumë më të madhe nga shkrimet e gazetave, fjalimeve të zyrtarëve e të pushtetarëve të të dyja krahëve, kundër korrupsionit. Po edhe të atyre qindra-mijëra dosjeve që “flejnë akoma!” dhe që ende priten të shqyrtohen nga Drejtësia…
E interpretuar nga dy aktorë të njohur e fortë të talentuar, si Koço Devole e Bujar Asqeriu, i pari në rolin e personazhit që kërkon të hipotekojë pronën e tij dhe i dyti, në rolin e hipotekuesit,- të një personazhi që nuk ka kurfarë gjëje në pronësi, përveç një zyre në komitetin e shpërndarjes e të legalzimit të pronave, si edhe një biçikletë rrangallë për të vajtur në këtë “punë të shkëlqyer”, që mezi e ka rregulluar me miq e shokë! Po edhe nga dy aktorë të këndshëm si Xhemal Myftiu e Sokol Angjeli e nga dy vajza të reja që “ushqejnë” televizionin me proçka të tilla të hatashme! Subjekti i komedisë (i shkruar nga komediografi Devole), është fare i thjeshtë: Hallexhiu zotron në planimetri truallin dhe vjen ta ligjërojë pronën tek zyrtari i “kësaj pune”, i cili është duke dhënë një intervistë televizive për lehtësirat që (kinse), u janë krijuar pronarëve, duke e përfshirë edhe hallexhiun që vjen përpara “ujqërve të stërvitur”, në entuziazmin televiziv të kohërave te reja, kur befas “është kapur peshku!” e të vjen në derë “Milioneri”! E lind vetiu flluckimi i milionerit të ardhshëm, përqafimet e përzëmërta qafë më qafë, premtimet për ta zgjidhur brenda pak ditësh, derisa merr zarfin e parë, më vonë të dytin e më pastajë të tretin… Deri në raskapitjen e pronarit të ligjshëm, pas edhe një “Odiseje” të njëllojtë dhjetë vjeçare, para se të vinte deri këtu, penguar edhe nga “Çirçja  tek dera, një qerrata i përkryer i luajtur nga Kaçja, që s’ia bënte të bardhë hyrjen pa ia “krruar xhepin”, të cilit nuk i ka mbetur më asgjë përveç “xhepave të boshatisura” dhe një çadre të prishur që i ka ngelur në dorë, që as hapet e as mbyllet!… Derisa zyrtari, si e ka vjelur mirë njeriun e “kthyer në Derr”! nuk ka më dëshirë të flas me të e as e pranon më tek dera, bile duke i zënë kokën me derë “gjynahqarit”! Ndërkohë që, tanimë, zyrtari nuk do të vijë më në pune me biçikletën e tij rrangallë, po me një makinë të përdorur fillimisht e në vijim, me një “Land Rover” fringo! Dhe fundi i komedisë: Drejtori i Hipotekës transferohet në një detyrë më të lartë, pas një dreke të pasur në nje restorant luksoz me pasardhësin, -një marifetçi edhe më elastik se i pari ,-lozur prej Sokol Angjelit, i cili e nis “proçesin” nga e para, duke fërkuar gëzueshëm duart, po me një intervistë televizive, ku shprehet e njëjta gjë, me të njëjtat fjalë, se është vendosur aty që “të zgjidhë hallet e popullit”… se “nuk e zë gjumi natën” për këtë… e broçkulla të tjera të këtij rangu shpërfillës! Dhe që “i ziu njeri” duhet të kalojë përsëri e përsëri nga “Çirçja”, tek dera poshtë, me dorën në xhep, në një “rrjepje së gjalli” e të pafundme! Ndërkohë që, të ashtuquajturit “milioner”, nuk i mjaftojnë qindarkat për të blerë edhe një shishe uji të shuaj etjen!
Regjisori Ilir Bega e shpreh natyrshën lëndën satirizuese të Devoles, me nje puls jetësor, shoqëruar me “ethet e pasurimit” nga të dyja krahët dhe me aktorë të mëvetshëm që i dinë “hiletë” e burimit të së qeshurës, si mjeshtëri. Me një vërtetësi të jashtëzakonshme. Nga njera anë, me varavingon e lodhshme të të ashtuquajturit “milioner i ri”, si i “eturi i shkretëtirës”, i cili vjen këtu duke kënduar arien e një opere komike dhe përfundon në Varrezat e Sharës dhe nga ana tjetër, me etjen e babëzitur të “bythëgrisurit” që kërkon të bëhet milioner mbi kusuremëdhenjtë që presin tek dera, me vite e dekada!
Zylyfi,-që interpretohet nga Koçoja,- ndjesë pastë,-si gjithmonë ëndërrues në rolin e tij, i gatshëm të jap edhe jetën për atë çikë pronë, me portretin e një varfanjaku që “të këputë shpirtin”, duke shtrënguar në gjoks çadrën që as hapet e as mbyllet, si edhe me belbëzimet e lodhshme, për të marrë firmën që s’e merr dot kurrë! Dhe Kryetari i Bujar Asqeriut, me atë tip zyrtari dallkauk, megalloman, që duket sikur ka zbritur nga planetet që nuk janë zbuluar akoma, me maninë e pazakontë të një zhvatësi “të kulturuar” që të “lanë e të lyen”, pa të zgjidhur asgjë, në mënyrë që të fitojë sa të mundet më shumë! Ndërkohe që “komedia” përsëritet me vite, dekada dhe dosjet për Drejtësinë shtohen e shtohen pambarimisht… Nga 5 ditë, deri në 25 vite,-thuajse aq sa ka “filluar” historia e ndarjes së pronës,-një nga gangrenat më të tmerrshme të të gjithë periudhës së tranzicionit! Sikur të fshiheshin në ato dosje,” minierat e arit”…
I ndjeri Koço Devole, një talent i rrallë për ne, pa shkollë të lartë aktrimi, regjie e dramaturgjie, e ka “qarë” këtë komedi 25 minutshe, si për ironi të fatit të tij “të mbrapsht”, duke i dhënë asaj, jo vetëm komicitetin, po edhe vërtetësinë therëse, me mesazh aktual qytetar e politik, me interpretimin e tij viruoz… Ja që, ARTI GODET, zbulon ngjarje e fenomene, të cilat “ulërijnë” ende… Me ritmikë e ekspresivitet të pazakontë, personazhi i tij me “urinë” që ka me të drejtë, për të marrë hakun e vet që i jep ligji dhe tjetri, personazhi i Bujarit, me “urinë” që i shkakton fjala “milioner” , të cilën përse ta ketë ky “Zarbo” dhe jo ai?! E, regjisori Bega e bën që aktori Asqeri, të ketë edhe një “Lojë teatrale”, kinse me fatkeqin. Bëhet një tallje, sa e madhe, e zhurmshme, qesharake, aq edhe e neveritshme… Loja, rrengu, mospërfillja dhe situata e tanishme me “kthimin e timonit”, përbëjnë së bashku, karakterin dramatik të fenomenit, thelbin e veprimit të komedisë, e cila jep shanse për një vepër komike skenike edhe më të madhe e gjithpërfshirëse…
Ky njësim e kjo “gjetje” i japin vlerë e besueshmëri gjithë komedisë për të pandehur se ishte thjesht një shaka, po ama një “shaka e vërtetë”! Këtu qëndron pra, forca e artit, rrezatimi i tij mbi politikën e zyrtarëve që nuk kanë mundur ta zgjidhin dot përfundimisht këtë “mesele” po e kanë lënë “varur në qiell”, si të ishin “mëlçitë e qëngjit”,-pre e ujqërve realë! Shkruar e interpretuar që në vitin 2005, parë me qindra herë edhe nga “hajdutët e pronës” e përsëri mbetet aktuale, bile me alarmin e lemerishm që jep tani edhe Vetingu e SPAK!
Mirëpo ky talent i jashtzakonshëm, njëherësh dramaturg, regjisor e aktor, nuk është më. Po mbetet gjithmonë i pranishëm me veprat që ka realizuar me shumë sukses… Bile, edhe aty ku kemi vuajtur më shumë, në gjininë e komedisë, e cila e vlen të shihet, sa herë që jemi të rraskapitur nga “Covidet”, po edhe nga hallet e mëdha të rimëkëmbjes. “Me të qeshurën,-thoshte Bernard Shou,-mposhtet e keqja pa inat dhe mund të shprehësh përzëmërsi pa u spërdredhur!”… Të qeshësh pak, është si një lehtësim i madh, për mos të thënë si “shtim jete”, po si kënaqësi shpirtërore. Dhe jo vetëm kaq. Satira e humori përbëjnë “Katharsin e njeriut” , shërimin e tij nga “viruset” e tjera. Sa qe gjalle ky artist poliedrik, kjo komedi 25 minutshe, e cila tallet me ata që thonë se “zgjidhja e këtij problemi, mund të shkojë deri në 25 vite”(!) është dhënë nga kanalet tona televizive, jo pak herë dhe e plotë… Si, e plotë? Askush nuk e ka çensuruar, redaktuar e shkurtuar me “gërshërë”, si tani që i është hequr asaj “kripa e fundit”, mesazhi dhe “ajka”, ai pesë minutshi tronditës i raskapitjes përfundimtare të personazhit, alivanosja, e cili e shpie personazhin drejt vdekjes, pa arritur të marrë pronën e tij e të bëhet vërtetë, pse jo, edhe milioner!… Po milionerë do të bëhet realisht dallkauku, me “qethjen e pronave të të tjerëve”, ai, kryetari i regjistrimit të pronave që sjell një kurorë në varrimin e tij, duke thënë batutën asgjësuese të hipokrizisë, se “iku i shkreti pa e marr pronën, që sapo i doli nga kadastra”(!?!)… Këtij njeriu që jep shpirt diku, ne Pazarin e Ri, tek i bëhen komb në fyt qoftet e zgarës, mollët e dardhët e “Rahmet pastë”, rrëzohet mbi thasët e fasuleve, që as i bleu e as i hëngri dot!… Komedia bën punën e vet, me hiperbolën dhe groteskun, me atë zmadhim që i takon gjinisë së artit… E, derisa është letërsi, vepër arti, komedi, pra edhe një lojë, askush muk ka të drejtën ta shkurtojë me gërshërë a t’i bjerë me sopatë “kokës së komedisë”, sikur t’i binte të ndjerit, atje ku ndodhet tani! Le t’i ndjejë Perëndia këta “redaktorë”, kasapë të tmerrshëm të artit!… Servantesi e shkroi veprën e vet gjeniale komike “Don Kishoti” në kohën më të errët të Spanjës, po askush nuk guxoi ta prekë veprën e tij Unikale”! Po kush e mori kurajën t’i bjere me “sopatë ” komediografit tonë të ndjerë, që sapo e qamë dhe e përcollëm?! Që nga koha e diktaturës nuk kishim dëgjuar më veprime të tilla çensuruese!Përse vallë , duhet “redaktuar “, a “therrur”, ky Koço Devole, me këtë Komedi 25 minutshe dhe tepër konçize, pa u hequr ende nga shtyllat e rrugës, letrat e vdekjes së tij, atje ku shkoi e ku i mjaftojnë, si të gjithëve ne, vetëm dy metra vënd?!
Shkruar në javën e parë të marsit 2021, në Athinë, në rrethana “LOCK DOWN”!
Please follow and like us: