Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho GOLEMI: MISIONI I PARË PAQERUAJTËS I USHTRISË SË KOSOVËS

Sot, ditë e shënuar në historinë e re të kombit shqiptar sepse Forca e Sigurisë së Kosovës nis misionin e parë jashtë vendit. Djemtë e shtetit shqiptar të Kosovës marrin pjesë në një mision në Kuvajt, që është rasti i parë i përfshirjes së ushtrisë së Kosovës në një mision paqeruajtës ndërkombëtar. Kazermat e Forcës së Sigurisë në Prishtinë, rregjistrojnë sot eventin e një faqeje të re bashkëpunimi dhe partneritetit me shtetin lider të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para më shumë se dy dekadash askush nuk e imagjinonte, që djemtë dardanë nën uniformë do të ishin pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës e paqebërës në botë. Por liria solli realitete të reja edhe në fushën e paqeruajtjes me partnerët dhe miqtë strategjikë ndërkombëtarë.
Dardanët nga sot po kthejmë një pjesë të kontributit të tyre duke u bërë partner në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes botërore. Nga importues të paqeruajtësve, në eksportues të sigurisë ndërkombëtare paqeruajtëse. Ky është eveniment cilësisht i vlerësueshëm për Kosovën, që e rreshton ushtrinë e saj në mesin e ushtrive dhe partnerëve të saj strategjik më potencialë që ka njohur bota.
Falënderimin dhe mirënjohje djemve të Dardanisë, Kosovës sonë, por edhe partnerëve tanë, që besojnë në misionarët e paqeruajtjes që aktualisht ka filluar të dalë nga Kosova e martirizuar.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane ka goditur në shenjë me këtë kërkesë dhe djemtë e Kosovës të ushtrisë së saj do ta justifikojnë plotësisht besimin e ShBA-së, partnerit dhe mikut strategjik të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve.
Djemtë që pulsojnë me zemrën e kombit që ditën të bëjnë ushtri nën pushtim, dinë sot të bëjnë shtet të ofrojnë qëndrueshmëri dhe siguri, por edhe të prodhojnë siguri për të tjerët. Tridhjetëedy ushtarakët e parë shqiptarë të Kosovës janë dallëndyshet e para të Forcës së Sigurisë që do të shërbejnë në Kuvajt me dinjitet, me flamurin e tyre bashkë me miqtë amerikanë.
Fakt është se në dhjetor të vitit 2018, Parlamenti i Kosovës miratoi shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, një process i gjatë, që nuk zëvendësojnë rreth 4000 forcave paqeruajtëse të NATO-s në shtetin e Kosovës, ku amerikanët kanë qenë prezentë dhe vijojnë të jenë.

Ju urojmë ushtarakëve të ushtrisë së Kosovës SUKSESE dhe faqebardhë në misionin paqeruajtës!

Please follow and like us: