Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: In memoriam, profesor Petro Fundo, që lindi dhe u nda nga jeta në Mars

Petro Fundo, 19 Mars 1909 – 1 Mars 1989

Ishte viti 1991 – 92, kur fillova me mendue me shkrue diçka për tri figura të mëdha që kam njohtë në Shkodër: At Pjetër Meshkalla S.J., Profesor Petro Fundo dhe Pjetër Gjini, mujta me realizue deri ku mujta vetëm At Pjetër Mëshkallën, ndërsa, dy figurat tjera nuk pata dhe as nuk mujta me sigurue material aqsa më duhej për ta. Dij vetëm se një material i Prof. Fundos iu dorëzue nga e shoqja Angjelina, At Zef Pëllumbit por, asgja ma gjatë…

Prof. Fundon unë e njohta në vitin 1955, posa erdhi në Shkodër të dytën herë mbas vitit 1946, kur pat kenë profesor matematike në Gjimnazin “29 Nandori” dhe u pat largue pak kohë mbasi studentët e komitetit të rinisë komuniste, e patën nxjerrë në një karikaturë në gazetën e murit të shkollës me një automatik në dorë, tue pushkatue ata “me njëshka”. Ishte kërkues i landës sepse atë që shpjegonte donte që të përvetsohej nga nxanësit.

Profesori asht lind në Korçë, me 19 Mars 1909. Ishte nga një familje intelektuale dhe me pikpamje përparimtare antikomuniste. Mbante korrespondencë vetëm me vëllanë e vet Prof. Kristaqin në Tiranë dhe një motër të martueme me një shqiptar në Rumani.

Korespondenca me vëllain ishte e rregullt dhe e vazhdueshme, sepse jepshin e merrshin ndërmjet tyne vazhdimisht rezultatet e problemave të matematikës dhe siç më tregonte me humor: “Kam harruar ta pyes si është me shëndet…”.

Mbasi pat krye gjimnazin e Korçës, ka përfundue studimet e larta për ingjenjeri elektrike, por i apasionuem që atëherë mbas matematikës së lartë në Montepelier të Francës dhe njihte gjuhën frengjishte, greqishte, italishte dhe rumanishte.

Më tregonte njëherë, kur ishte me studime në universitet në Francë, “nota më e mirë atje ishte 20. Unë arrija deri tak 14. Mbas shumë përpjekjesh arrita deri tek 16. Ndërsa, 18 e lart tek 20 ishte për ata studentë, që ishin shkencëtarë që në bankat e shkollës…”.

Mbas sa vitesh në universitetin e Tiranës, në fakultetin e matematikës, komunistët e larguan se, tha: “nuk shpjegoj unë lëndën sipas tekstëve sovjetike sepse ata kanë gabime”!
Kishte takue njëherë shokun e tij të vjetër, me të cilin njihej që në Francë, posa ai kishte dalë nga burgu i Burrelit, Foto Balën, nga Himara. Me kërkesën e atij, kishin shkue në Komitetin Qendror të PPSH, mbasi Foto donte me takue një shok tjetër po t’asaj kohë, Enver Hoxhën, me të cilin, kishin “ngrenë në një trapez”, siç thonte Prof. Fundo. Mbasi kishin shkrue emnat tek ‘dezhurni’, kishin prit një orë. Mbas një ore “dolli sekretari i tij dhe na tha, shoku Enver është shumë i zenë dhe nuk ju pret dot”. Prej asaj kohë (rreth vitit 1953 – 54?) nuk kishin ba ma asnjë përpjekje me e takue asnjëni as tjetri. Mendimi i tij për E.Hoxhën ishte: “Një terrorist i lindur aq sa imoral”, si dhe atë që kam shkrue edhe tek libri “Një Monument nën dhé” ,të cilën e përsëriste shpesh: “Diktatorët si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjës”. Një thanje që koha e ka vërtetue plotsisht në Shqipni!

At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” shkruen: “I vetmi në botë që ka mujt me realizue dëshirën e Leninit asht kenë Enver Hoxha, që e ka qeverisë këte popull si shaka (bushtra – shen. FR), tue hangër klysht e vet e, tue shkye njerzit e pafajshëm për andjet e tija të ndyta, në të gjitha normat e moralit njerzor”.

Tregonte i nderuemi Prof. Petro Fundo (që nuk e kuptoj si i ka shpëtue): “Ishim duke ngrënë në një trapez, kur ishim studentë në Francë, unë dhe Foto Bala nga Himara. Erdhi aty edhe Enver Hoxha, ky ishte i rregjistruar në universitet, por nuk di mëse merrej. Provime nuk jepte. Ishte i pashëm. Pak mbasi u ul, pyeti Foton, çfarë do të dëshroje të bëje kur të mbarosh shkollën? Foto iu përgjigj, do të doja të tregëtoja me Francën. Më pyeti edhe mua, po ti Petro? – Unë i përgjigja, Profesor. Mbas pak u kujtova ta pyes edhe unë atë, po ti Enver, çfarë do të bëhesh? – Ai u përgjigj: “TERRORIST”! Edhe sot nuk e di sësi më shpëtoi nga dora piruni që isha duke ngrenë… e, për çudi, vetëm atij ia plotësoi Zoti dëshirën!…” (fq 216).

Në mëngjez kur përgatitej me dalë prej shtëpisë vet me shkue në punë, në shkollën e mesme të zooteknikës (ku matematika vlersohej edhe mbas fiskulturës), kur e sollën në Shkoder rrinte pak minuta tek dritaria nalt, vërente nëse ka dalë apo jo përpara tij drejtori i “njohtun”i gjimnazit Skënder Villa, ish hetuesi i vitëve 1945 në qytetin e Korçës, i cili banonte në katin e poshtëm (mbasi i tillë ishte edhe Skënderi) dhe mbasi kalonte ai delte Prof. Fundo, për mos me i thanë as “mirë mengjezi”, mbasi nuk donte jo ta përshëndeste por, as ta shihte me sy të ballit… “atë spijun të qelbur”, siç e cilësonte Profesori.

Profesor Fundo deklarohej katolik. Kjo nuk ishte falso, mbasi në biseda dhe bindje të shprehuna prej tij, besimi tek Papa ishte i palëkundun. Mund të tham me plot gojë se ishte ma katolik se shumë të tjerë, që kanë lindë e vdekë prej familjeve katolike të njohtuna në Shkodër. E diela dhe ditët e festave fetare për të ishin ditë lutjesh dhe bamirësije. Një të vorfën që ai mund ta takonte në rrugë dhe nuk kishte të holla me e ndihmue, për Profesor Fundon, ishte “vuajtje”. Kur trokiste dera dhe flitëj se asht tue pritë një fukara aty, Ai hapte raftat e sirtarët me gjetë bukën ma të mirën dhe, jo, kafshata, për me ia dhanë. Xhepat e tij gjithnjë ishin bosh nga lypsit. Madje, tregonte njëherë: “Kam shkuar tek berberi dhe, mbasi jam qethur, u detyrova me i thënë bërberit se, do t’i sjellë paratë nesër, se ata 30 lekë që kisha në xhep, ia fala një fukarasë duke ardhur tek ti!…”. Berberi, i cili e njihte me kohë Profesorin kishte qeshë dhe, i kishte thanë: “Po edhe mos mi sjellë fare, nuk ka rëndësi!…”.

Për lypsit thonte gjithmonë: “Mos i zeni më gojë kurrë emrat e tyre, se është shumë më e vështirë për të lypur, se për të falur”.

Profesori ishte shumë mikpritës dhe bujar. I ndrronte fëtyra nga gëzimi kur hapëj dera e dhomës ku rrinte dhe shihte një mik që i shkonte për vizitë. Gjithmonë kërkonte me sy një karrigë boshe karrshi ku ishte tue qendrue vetë, për me shkëmbye biseda e mendime.
Kushrinjtë e të shoqës së tij Angjelinës, i donte me të vërtetë me gjithë zemër.

Ai kishte shtëpinë e hapun për shumë miqë, intelektual si Gaspër Ugashi, Sandër Bushati, Xhavit Beli, Kol Ashta, Petro Zheji, Rrok Ndoja etj. si, dhe për Klerikët e njohtun: At Pjetër Meshkalla, At Aleks Baqli, Don Mark Hasi, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani, etj. me të cilët i ka vazhdue lidhjet deri në 1967, me “Revolucionin Kultural”, kohë në të cilën, Ai u detyrue me u vetizolue ashtu si gjithë populli shqiptar.

Mbas arestimit të Klerit Katolik, ai vazhdonte me ndigjue Meshën në radio.
Me anën e Motër Davës, Ai ka ndihmue klerikët edhe ndër burgje me aqsa kishte mundësi, kryesisht, Ata që nuk kishin asnjë ndihmë ekonomike nga asnjë njeri.

Shkonte dhe sillej rreth gurve të themeleve të Kishës së Zojës tek Kalaja dhe shpesh përsëriste: “Unë nuk di a do ta shoh por, ju, do ta shihni atë Kishë të rindërtuar mbi ata gurë të atyre themeleve…Të gjithë rrënonjësit e Kishave historikisht kanë dështuar me turp dhe shëmbull i kësaj çmendie ishte edhe Bonaparti, që përfundoi në Sant Elena.…”.

Kur u pat sëmue me sy në vitin 1968 dhe e dërguen në Rumani për operacion, para se me hy në sallën e operacionit, mjeku e ka pyet: “A ke dëshirë për ndonjë gjë, mbasi nesër do të bëjmë operacionin? – Ky i asht përgjigj: Do të dëshëroja të më sillni një Prift Katolik, mbasi kam dëshirë për tu rrëfyer dhe kunguar, mbasi ka pak vite që në Shqipëri, nuk kam patur mundësi ti bëja”. Mjeku ia ka sjellë Priftin aty mbas gjysëm ore. “Kur dola nga operacioni, – shpjegonte Prof., – më trajtuan shumë më mirë se më përpara operacionit, mbasi një motër (murgeshë), që i shërbente i kishte treguar, se: Nuk të njihnim, mbasi këtu nga Shqipëria sjellin vetëm komunistë për mjekim.…”.

Një natë mbas uratave të darkës aty nga viti 1986, e shoqja, i thotë: “Ti vazhdo e thuej edhe një Rruzare Purgatorësh, se unë po prëgatis çajën…” .Ky i asht përgjigj: “Mirë, edhe unë do them një Rruzare për Enver Hoxhën, mbasi për shpirtin e tij nuk lutet njëri në Shqipëri, ndoshta, Zoti ka mëshirë dhe e falë për ato të zeza që ka bërë”. Angjelina i ka kundërshtue me ngulm, se Zoti nuk ka me ta vue veshin ma as ty, kur të kesh nëvojë, që lute për té! Por, Prof. ka vazhdue punën e vet… me Rruzare në dorë ka vazhdue lutjen.

“Unë vëndosa të lutëm për té, se Zoti na porositë, që né ti falim armiqët tonë, por edhe të lutemi për ata. Unë po kryeja detyren time ndaj Përendisë, jo ndaj Enverit”.

Profesori ishte shumë i çiltër dhe i gjithanshëm në bisedat e tij. Ai vërtetë ecte pa përshëndetë njeri, por mendja gjithnjë vazhdonte me i punue në fushën e shkencës. Kur ai fliste për fluturimet në hapsinë, shpjegonte me kompetencë vërtetsinë e kenjes së Zotit të provueme nga përparimi i shkencës, kryesisht me fluturimet që bahën në kozmos. Për këte arësye ai gjithnjë veprën e vet ia dedikonte dhuratës që i kishte dhanë Zoti me arrijtë në ato rezultate pune shkencore, tue i shndritë mendjen dhe tue i ruejt shëndetin. Në çdo rezultat të shkruem me dorë në fletët e fletorëve të punimëve të tij, nalt shënohet K.L.J.K. që dmth, “Kjoftë Levdue Jezu Krishti”, mandej vazhdon punimi!… Ja bindja e nje dijetari!

Punonte pa pushue në fushën e matematikës edhe pse ishte krejt i izoluem nga bota shkencore, gjithmonë me shpresën e hapjes së Shqipnisë “njëditë”, të cilën nuk e arriti…

Kishte një humor shumë të hollë e domethanës. Më pyeste: “Hë, ke bërë gjë këto ditë në pikturë”?
Unë, shpesh, i thojshe: “Asgja, Profesor, më ka ra një demeli e nuk i kam prekë penelat me dorë”!
Ai qeshej dhe, më thonte: “Shumë mirë, shpejtë ke për të bërë një vepër arti të bukur, mbasi koha e “dembelisë” është periudhë mendimi, krijuesit që mendojnë bëjnë gjëra të bukura. Ata që kujtojnë se duke punuar përditë truri ju krijon gjëra të bukura e me vlerë artistike, apo shkencore, gabojnë! Kur njeriu kujton se ka rënë në njëfarë plogështije apo dëmbelie, atëherë, truri i tij prodhon diçka me vlerë”.

Kur ka pa veprën teme grafike “Krishti i vdekun” (1961), (vepër e vendosun në kopertinën e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990”, që i asht dhurue Papës Gjon Pali II, në vitin 1993), më ka thanë: “Të gjithë artistët që punojnë Jezu Krishtin, mbesin të përjetëshëm në art dhe, shpesh ka ndodhur që, ajo vepër ka mbetur kryevepra e atij artisti”. Kishe me thanë se, ky përkufizim asht i pakundërshtueshëm në rastim tem!

Në vitin 1985 – 86, u bisedue se Shtraus i Bavarisë së Gjermanisë, kërkonte nga udhëheqësit komunistë të Shqipnisë, hapjën e kufinjve, lirimin e të burgosunve politik dhe lirinë e Fesë në Shqipni. Kur unë i tregova këte Prof. Fundos, Ai tha: “Ja pra, i erdhe fundi i pritur edhe komunizmit në Shqipëri, Zoti do ta bënte njëditë shkatërrimin e këtij sistemi, por Mbrekullia e shkatërrimit qëndron në faktin se, fundi komunizmit i erdhi me Lirinë e Fesë, dyert e ferrit u shpartalluan përgjithmonë! Vërtetë më ke dhënë lajmin më të gëzuar”!

Ai vërtetë vdiq me 1 Mars 1989, në pragun e ramjes së Murit Berlinit, por siguria e Fitores së Lirisë së Fesë dhe kapitullimi i sistemit komunist në botë tek ai ishin një bindje e plotë, arritja e kësaj fitore të madhe të shumë të pritun për té ishte e padiskutueshme.

Kjo lidhej kryesisht me besimin e tij të palëkundun tek Zoti dhe me Veprat e Tij, nëpërmjet Mëkambësit të Vet në tokë, Papës Gjon Pali II, fjala e të cilit, gjithnjë për Prof. Petro Fundon ishte një “aksiomë matematike”: “Zoti, Até e ka shpëtuar nga atentati i Ali Akça, më datën 13 Maji 1981, për t’i treguar njërëzimit se Ky Papë i zgjedhur nga Unë, është Ai, që do të shpëtojë Botën mbarë nga komunizmi”…

Prof. Petro Zheji, në ceremoninë private të vorrimit nga familia, tek vorri, tha:
“Sot, këtu, po varrosim një shkencëtar…” dhe, me të vërtetë aty na varrosëm:
“Një shkencëtar, Një dijetar, Një pedagog, Një Qytetar Nderi të Shkodres që na dhuroi Korça dhe, Një Katolik të vërtetë dhe të denjë në vazhdën e Martirëve të heshtun….”

Këta pak rreshta në shenjë nderimi dhe dashnije por, ma shumë respekti për virtytet që na mësoi dhe edukoi me sjelljen e Tij dashamirse Kristjane, të një Prindi të vërtetë!…

Ja kushtoj, në përvjetorin e lindjes…

Please follow and like us: