Albspirit

Media/News/Publishing

Mirela Oktrova: Nëse do të jetonte, im atë do të kishte mbushur sot 90 vjeç

Nëna ime dhe unë do të kishim dashur shumë, që këtë ditëlindje – edhe pse në mungesë të tij – ta festonim fort… Dhe ka se pse… Individualiteti i spikatur në regjinë skenike, krijimi i profilit artistik të teatrit “Migjeni”, themelimi dhe drejtimi i Katedrave të Dramës dhe Regjisë në ish-Akademinë e Arteve, qindra studentët e kaluar nëpër „duar“, prezenca në kinematografi dhe studimet për teatrin s’ janë pak… Veç njëri prej kontributeve, duhej të mjaftonte për vëmendje shoqërore… Pa folur për profilin qytetar, pedagogun, familjarin, bashkëshortin, prindin…
Po kohërat, që jetojmë, nuk lënë vend… Dhe kjo s’ka të bëjë me Koronën!!!
Nderimi i kontributorëve paraardhës po bëhet gjithnjë e më i bezdisshëm ndër ne…! Dikur mendoja, se brezi ynë – brezi i mesëm – është ai, që e ka për detyrë të mos harrojë, se në e bëfshim, kush do mbetej t’u rrëfejë të rinjve…?! Po tash jam bindur, se ne ka kohë që kemi harruar dhe vetveten, se njëri-tjetrin po se po, nëse nuk i bie rruga, nga kafeneja, partia apo biznesi ynë…
Dhe meqë tim eti as në të gjallë nuk para i binte rruga nga kafenetë, partitë dhe aq më pak nga bizneset e të tjerëve, ai pushon – i qetë a i trazuar (këtë s’e di… do ma thotë ndonjëherë, kur të takohemi…!) – veç me titullin akademik të Profesorit (që e meriton, si pakkush në shkencat teatrore) dhe respektin që Pogradeci dhe Shkodra i dhanë, duke e shpallur Qytetar Nderi.
Para disa vitesh, një tjetër regjisor i shquar, i të njëjtit brez, Mihal Luarasi, më erdhi në zyrë dhe disi i indinjuar, që kjo s’kishte ndodhur më parë, më shtyu të ndiqja, propozimin, që ai kishte bërë, që im atë të dekorohej nga Presidenti i Republikës. Ia ktheva, se familja mund të kontribuonte vetëm me dokumenta – që s’ishin të pakta – pasi do të ishte kundër natyrës së tim eti, që unë të endesha zyrave, duke u lutur t’i akordonin nderimin, që duhet ta dinin vetë, se i takonte…
Po i madhi Luarasi, kishte pasur të drejtë! Propozimi tij dhe dokumentat tona nuk sosën udhë kurrë, po u tretën në sirtarët, koshin apo porositë e kafenesë, partisë apo biznesit të rastit, që zyrtarit apo zyrtares së radhës iu dukën më të rëndësishme se kontributi i një jete…
Ndaj sot, kur përreth nesh edhe gurët e rrugës stolisin gjoksin, muret a bufetë me urdhra, medalje e dekorata të merituara ose jo, kujtimi i tij shkëlqen në harresën, që i bën veç nder…!
I përjetshëm kujtimi, Babi!
Faleminderit, që s’ishe dhe që s’më mësove të bëhem si të tjerët!/albspirit.com
Please follow and like us: