Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Ëndrra ime në zgjedhjet historike të viteve ‘91- ‘92

Mbyll pak sytë prej diellit të sotëm, por më pëlqen të kujtoj zgjedhjet e para të marsit 31 dhe marsit 22 të tridhjetë vjetëve më parë kur shumica e njerëzve as fjalës pluralizëm nuk ia dinin mirë kuptimin. Vrapoja ato herë si e marrë në mes çudirave të paimagjinueshme, që të arrinim deri sot. Shumë veta as e dinë se ku kam qenë dhe çfarë kam bërë… Dhe sot me fatin që na troket gjithnjë të dera që prej atyre viteve arritëm të gëzojmë mendime dhe qëndrime kaq të ndryshme, që po bëhen pasuri e madhe e këtij vendi. Dhe kjo duket edhe nga një farë shpengimi i njerëzve nëpër qendra votimi, ku nuk ka më militantë të vendosur si në rradhë kërcënuese, të paktën në Tiranë.

Kur hyra në qendrën time të votimit dhe, si ka bërë një shumicë e madhe, sigurova identitetin tim, sikur po kaloja në ndonjë vend tjetër të botës, mendova se kemi filluar t’u besojmë më tepër makinerive se sa njerëzve. Por ja që kjo ndodh dhe na shpëton edhe në mjekësi. Vura re pastaj se e vetmja qendër votimi ku komisionerët mbanin maskat mbrojtëse ndaj pandemisë, si pashë nga ekrani, ishte vetëm qendra ku votoi kryeministri a e ndonjë kryetar tjetër. Në të tjerat i vetmi preokupim me sa duket ishte të punonin mirë makinat e identifikimit ku përsëri e përsëri e përsëri mbeteshin të dhënat tona. Po kur më pëlqeu vetja në foton që më kishin zgjedhur! Dhe m’u kujtua posteri im i parë, i atyre zgjedhjeve të mëdha, kur disa muzikantë  të një orkestre  tradicionale të gjithë dasmave korçare  më sollën të shihja në restorantin e një hoteli pothuajse të mjerë. I bije që fjala inat të jetë zvogëluar që atëhere, sa inati vetë të ketë qarkulluar këto ditë si për herë të fundit dhe i zbrazët. Se e keni vënë re se fjalitë tona gojë më gojë fillojnë me shprehjen sa inat e kam dhe jo çfarë bën ai apo ajo. Dhe sigurisht edhe me ca ndihmë miqsh po mësojmë nga kjo ditë e bukur që diçka tjetër e madhe po arrihet me mundësitë e përzgjedhjeve edhe brenda një liste, megjithëse fushatat shqiptare marrin trajtat e zgjedhjeve presidenciale dhe ngatërrohemi lesh e li.

Ata që nuk mbajnë mend se sa pak deputete femra ka pasur dhjetëvjetshi  ynë  i parë, i atij që për fat quhet pluralizëm qëndrimesh, interesash, por edhe influencash, edhe si një mungesë e përfaqësimit femëror, le të mendojnë se unë pothuaje e vetme, kam fituar të paktën në lëmin e shumëzimit të shumë pasardhësve të mia nga më të ndryshme të përfaqësimit. E le t’i gëzohemi së bashku sot dhjetra vajzave të reja që kandidojnë në partitë e ndryshme. Pa le që edhe një kryetar i një partie të vogël ka cilësi të dijë të zgjedhë për kandidim edhe në bukuri kampione.

Na pëlqen kjo larmi e madhe dhe le të mos bëhemi tinzarë. Kemi shanse plot. Unë besoj shumë te intuita e popullit tim. Përditë kemi arritur atë që nuk e kishim më parë, por brezat e sotëm as mund ta kuptojnë se kishte njerëz që jo vetëm nuk guxonin, por as dinin ta ëndërronin atë që është arritur sot. Po mirë unë kush jam në këtë identitetin tim? Qoftë një grua skenariste vetëm me dekoratën Urdhëri Naim Frashërit, por ama i klasit të tretë ndoshta se në daljen time të parë në një vend fqinj kam sjellë me vete një kovë plastike së bashku me shtupën që nuk e çova në shtëpi, por në fabrikën e plasmasit e bindur se mund ta merrnin model për ta prodhuar. Njësoj si një Kozetë me kovë në dorë e Hygoit, por ama me një kovë të zbrazët. Dhe kush mund ta kuptojë sot këtë? Dhe kjo kur udhëtoja nga Tirana në Durrës a Kavajë me tren. E mendoj gjithnjë atë kovë të shkretë që nuk ia dita fatin.

Dhe shumë herë më pyesnin. Po ty ç’të duhet. Ti je poete a shkrimtare. Po vërtet ç’më duhet mua të shkruaj për këtë ditë zgjedhjesh, mund të thonë përsëri. Po ja t’i kisha thënë ca më parë Celibashit në krye të organizimit të zgjedhjeve që në këto lidhje kaq herë të drejpërdrejta t’i porosiste komisionerët të vënë maskat mbrojtëse kundër Covid-19 në rast se nuk ka qenë kriter të kenë kaluar tani shpejt virusin. Megjithëse edhe fjala maskë në këto momente duket torturuese!

Po komisionerët i kemi të bukur dhe më të bukur që kur filluan të përdoreshin ato kovat që vinin a vijnë nga larg, doganë më doganë.

Kaq e thjeshtë është jeta. Nuk kompikohet as me marrëzitë e imagjinatës më të ligë. Shqiptarët përditë bëhen më të mençur për të gëzuar ditën dhe jetën që iu troket në prag. Unë pres të realizohet pas kaq komplikacioneve matematika më e thjeshtë: e drejta që lirinë e tjetrit kurrë nuk e shkel. Kjo ka qenë ëndrra ime që në zgjedhjet e para historike të viteve ‘91- ‘92. Dhe ky do të jetë gjithnjë edhe zëri im. Të tjerat shkojnë e vijnë themi ne në shqip.

Please follow and like us: