Albspirit

Media/News/Publishing

Yuri Kim: Reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka thënë ditën e sotme se Gjykata Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet të ndërmerret për të vazhduar ngjitjen e malit.

Këtë deklaratë Kim e ka dhënë në një aktivitet për garantimin e drejtësisë së efektshme në Gjykatën e Lartë.

 “Një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale është një hap që duhet ta ndërmerrni për të vazhduar ngjitjen e malit. Ju po lëvizni në drejtimin e duhur, por unë e nxis Këshillin e Lartë Gjyqësor që të përfundojë procedurat për vlerësimin dhe të rendisë e caktojë kandidatët më të mirë të verifikuar që kanë aplikuar për ngritje në detyrë në Gjykatën e Lartë. Sapo Këshilli ta bëjë këtë, kjo do të hapë rrugën për udhëtimin e Gjykatës së Lartë drejt majës së malit. Majën mund ta arrini vetëm nëse punoni së bashku”, tha Kim.

Më tej Kim tha se institucionet e drejtësisë tashmë janë funksionale dhe se reforma po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive.

“Institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën e Lartë, janë tashmë funksionale dhe reforma në drejtësi po sjell zhvillime dhe rezultate pozitive. Publiku shqiptar meriton të shohë se çfarë janë të afta të bëjnë këto institucione me të pasur kapacitet të plotë! Të gjithë jemi duke iu ngjitur së bashku majës së atij mali. Shqipëria është tani në kulmin e reformës reale në drejtësi. Shtetet e Bashkuara ju nxisin të ruani ritmin dhe punën e mirë, pavarësisht nga pengesat që hasni, dhe pavarësisht nga shkëmbinjtë që bllokojnë rrugën tuaj. Të japësh drejtësi është një sipërmarrje e rëndësishme dhe sfiduese. Mbështetja jonë për ju dhe sistemin do të vazhdojë! Do të takohemi në majë”, tha Kim.

Më herët Gjykata e Lartë njoftoi se ka rinisur procedurat për plotësimin e 3 vakancave që kanë mbetur në Gjykatën Kushtetuese, anëtarë që duhet të zgjidhen nga radhët e gjyqësorit nga vetë ky institucion. Një prej vendeve vakant është ai i gjyqtares Vitore Tushës, të cilës i mbaroi mandatin 9-vjeçar. Po ashtu vakant është edhe vendi i Fatmir Hoxhës, i cili u shkarkua në vitin 2018, si dhe i Gani Dizdarit, që u shkarkua në vitin 2019. /Opinion.al

Please follow and like us: