Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Në Tiranë ka një gjykatës të mirë

Tregim

Retë gjithë natën kishin fjetur mbi mal dhe në mëngjes u turrën si të çakërdisura mbi krye, atje në Qafë të Pazarit. Aty nga ora nëntë ato sikur ndoqën pas grumbullin e njerëzve që erdhi e u mblodh qark në sheshin e ngushtë si pjatancë buzëholle, tek Klubi i Gjuetarëve. Klubi mbushur përplot me karreklla e teraqinj rakie e kafeje. Deri tek ai minishesh ngjitej mjeti. më tutje s’mundej. Mbi të ishte Gjykata e Apelit që ngrihej si përmendore ndjellakeqe me tetëmbëdhjetë shkallë të rënda e të thepisura.

Do ta bien të lidhur, këmbë e duar – tha dikush i paduruar.

Jo mor i varfëri – ia preu një tjetër.

Do ta kenë lyer me raki që të mos ndihet kutërbimi, vajti tri javë në birucë – shpotitën ca të tjerë në qoshe si majmunë të droguar.

Po turma? Turma atë mesele ka, duartroket, madje brohoret në ekstazë, ndërkohë që qielli është nxirë i gjithi. Disa shkrepëtima në qiell paralajmëruan rrebesh.

Mbylle gojën more…! – burri që foli quhej Vejsel. Vinte rondokop, shkurtan, vetullkalesh, me kapele që s’merrej vesh se ç’markë a model ishte, por ngjante edhe si qylaf Turqie edhe si “shapka-adam”, d.m.th. kapele zotërinjsh. Mbante veshur xhaketë ushtarake. Ngjyrën e xhaketës nuk mund ta përcaktoje, pasi dikur ajo duhej të kishte qënë jeshile e me kalimin e viteve, brerja, pisllëku i kohës e kishin kthyer në të murme, ose më saktë të pangjyrtë. E gjithë sipërfaqja e xhaketës së tij ishte e mbushur me dekorata, prej xhepave e deri tek spaletat. Pjesa më e madhe ishin dekorata lufte, të tjerat gjithëfarëlloj. Sipër në krye, kishte doemos edhe shiritat e gradave, nga tetar gjer tek kolonel e madje gjeneral brigade. Asnjë hero i Luftës së Dytë Botërore nuk ia kalonte atij shkurtani për nga dekoratat.

Vejseli lëvizte ngadalë, jo vetëm prej peshës së dekoratave, por dhe mendimeve filozofike që bluante papushim koka e vogël si e gorricës apo lajmeve të çuditshme që sillte hera – herës krejt si padashur. Ai njihej dhe si agjensia më e çuditshme e lajmeve të Qafës së Pazarit. Njëherë Vejseli mori një hinkë dhe mu atje në Qafë të Pazarit dha lajmin e pabesueshëm: “Kush ka gomar të niset për në Kërrabë, është derdhur floriri sheshit, më njoftuan nga radio Moska”. Herën tjetër i shastisi të gjithë kur bërtiti: “Bëhuni gati, bëhuni gati se do sulmojmë Mogadishon. Më ka ardhur telegram nga Sorosi”.

Asaj dite, në atë shesh Vejselin e kish sjellë vëllai i tij me bark tjetër nëne, por që jetonte nën një kulm çatie. Vëllai nga bark tjetër, kishte rradhën të dilte duarlidhur prej mjetit Autoburg dhe të ecte mespërmes, përpara turmës kureshtare që shtyhej si e tromaksur për të parë çdo gjë.

Kundërshtoni sa të doni, po vetëm mos bërtisni – iu hakërrye Vejseli grupit shpotitës që shkrihej gazit me historinë e pabesueshme të vëllait të burgosur që pritej të vinte nga çasti në çast. Kalimi duarlidhur i të gjorëve që ngjiteshin lart për t’u gjykuar ishte një argëtim mjeran, gati – gati një festë të çmendurish.

Besoj ia kanë mbyllur gojën – e shqepi njëri që rrinte ngulur tek bytha e rrapit njëqindvjeçar të klubit. Kishte hypyr sipër e s’pushonte – i kanë vënë mëgojëzën e kalit mbase, se atij s’i pushon gjuha.

Shihe se si do t’i jetë ngulur çengeli metalik në gojë dhe tani gëlltit gjakun që i rrjedh nga plaga – shfryu gjithë zemërimin e tij një gjatovino me kollare që s’u mor vesh nga mbiu aty dhe përse kishte gjithë atë zemëratë.

Jam kurioz të di në e bëri abjurën apo jo – i shtyu më tutje urët e zjarrit kasapi mëngëpërveshur i shitores përballë.

I burgosuri që do të vinte për t’u gjykuar pas pak minutash ishte kovaçi, hekurpunuesi i vjetër i pazarit. Usta i papërtuar, po dhe pijanec me nam. Hokatar e namuzlli. Bënte kangjella për varoshet e të vdekurve. Në qytetin me gjysma të marrë e po aq të fandaksur, të vdekurve iu bëjnë shërbime të veçanta, atje në banesë të fundit në Aliqe, në rrafshultën ndanë lumit, tek trëndafili i errërave. Varroshet i ngrenë me mermer e lule dhe i rrethojnë me kangjella të rënda ngjyrë floriri. Një të tillë punoi për merak kovaçi për Yzon, ish-drejtor në kohë të ligë, që ia porositi djali. Djali sipas zakonit të trashëgimit u bë dhe ai shef e kapadai i madh në qytet.

E punoi me merak i varfëri kovaç dhe shkoi e zbukuroi varroshin e Yzos. Të mbeteshin sytë tek ato kangjella. Dekoracione elegante dhe vija të holla delikate. U kënaq i biri sa s’thuhet, po dorën nuk e futi në xhep.

Do takohemi – i tha kovaçit. Dhe iku. Kaluan ditë e muaj.

I biri Yzos shkonte kapardisur nëpër pazar dhe s’kthente kokën nga shitore e kovaçit. Hëm. Një ditë, eh në një ditë të keqe, kovaçi u bë tapë nga marazet në kubetë e pazarit. Nuk njihej më kush ishte. Duke iu marrë këmbët, aty – këtu kalldrëmit, si nëpër ura zjarri a mespërmes ferrit, mesnatës së errët, arriti të zbresë gjer në mes të tatëpjetës, mu aty ku ngrihej vila e të birit të Yzos.

Dhe nisi të bërtasë që nga poshtë me sa zë që nxirrte gryka: O i biri Yzos! Do m’i japësh paratë e kangjellave apo si e ke punën …!

O i biri Yzos! O…

Thërrit e s’ka. Heshtte heshtja. Thërrit e tund dynjanë. Një nga një nisën të ndizen dritat në komshinj.

O i biri Yzos! Do m’i japësh paratë …! O…

Më në fund del i biri Yzos në ballkonin e gjatë. Me shenja, këmbë e duar i kërkon kovaçit të largohet se zgjoi mëhallën.

Kovaçi s’tundet.

Kishte ngulur këmbët mbi gurë e bërtiste: O i biri Yzos! Do m’i japësh paratë…!

Të birit të Yzos i hipën gjaku në kokë. Bën shenja kërcënuese. Dhe një shenjë fatale me krah, kokëprerje. Në mëhallë atë kohë dritat u ndezën thuajse të gjitha. Ndonjë qen lehu ca më tutje i trembur.

Kovaçi nuk duroi më: O i biri Yzos! Do m’i japësh paratë apo të vete t’i shkul ato kangjella andej e t’i ngul tek varroshi i Fates!

Kaq tha i gjori kovaç. Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Po mëhalla qeshi. Qeshi dhe e thërmoi natën në mijëra copëza. E griu. Mëhalla e dinte që Fatja i kishte vënë brirët Yzos. E qeshura e mëhallës e xhindosi edhe më të birin e Yzos që lajmëroi policinë dhe e rrasi në birucë kovaçin e dehur. E akuzoi për prishje të rendit publik dhe qetësisë së mëhallës. Gjykata e faktit e dënoi kovaçin me gjashtë muaj heqje lirie. Pritej me sekonda që ai të vinte me mjetin Autoburg. Do të gjykohej në shkallën e dytë, në Apel.

Kur pikat e mëdha të shiut ia nisën revanit, mjeti erdhi sa hap e mbyll sytë dhe kovaçi duarlidhur zbriti duke vendosur ngadalë shputat e këmbëve mbi kalldrëm sikur kishte frikë mos lëndonte gurët e thinjur. Afër, u la të qëndronte vetëm Vejseli, vëllai nga bark tjetër nëne.

Të thashë mor derdimen – iu turr Vejseli – ç’të duhej gjykata e Apelit këtu. Vetëm në Tiranë ka një gjykatës të mirë.

Kovaçi i lodhur, pagjumë, me rrathë të thellë poshtë syve të nxirë, s’e duroi dot më të vëllanë nga bark tjetër nëne, dhe iu gërmush: O ç’më çan kokën! E ç’të bëri ty gjykatësi i mirë i Tiranës?

Ç’më bëri? – shpërtheu Vejseli që e dinte se kur ta kuptonte gabimin vëllai nga bark tjetër nëne, do ishte tepër vonë. Më dha statusin e veteranit duke qënë pesë vjeç në kohë të luftës more derdimen, ja ç’më bëri! Më bëri njeri të nderuar dhe me peshë! – iu mburr gjithë krenari kovaçit të gjorë që dridhej nga të ftohit dhe frika e gjykimit.

Nuk pati kohë për përgjigje se dy policë e tërhoqën fort për krahësh të burgosurin, ndërsa rrebeshi e përplasi gjithë furinë e verbër mbi kokat e tyre.

Please follow and like us: