Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Fati i një kryevepre ‘Prima della pioggia’

Ishte vjeshtë e vitit 1994 kur ika në një kinema të Firences të shihja filmin e maqedonasit Manchevski. Filmi sapo kishte fituar festivalin e Venecias dhe kurioziteti im kishte arritur kulmin. Jo vetëm që filmi nuk më zhgënjeu dhe për më tepër më mbushi me mallin e ëndërrimtarit dhe dashurinë për gjithçka që është shqiptare, ballkanase, por gjithnjë e më shumë po bindesha se nga ana artistike ishte një kryevepër. Filmi ishte i ndarë me sekuenca atemporale siç kishte bërë Jim Jarmusch tek Mystery Train, apo Tarantino tek Pulp Fiction.  Dhe historia e tij ishte një grusht i fortë moral, kundër mentalitetit dhe botkuptimit të rëndë dhe të prapambetur të atyre krahinave dhe trevave ballkanese ku ka ende konflikte etnike. Por mbi të gjitha ai tregon edhe një të vërtetë shumë të hidhur. E cila, edhe pse ekstreme, ka ekzistuar dhe ekziston akoma. Shpresoj jo më në ato forma aq ekstreme si tregohen në film.
 Që prej shumë dhjetëvjeçarëve tashmë, ato treva dëshmojnë ngjarje të dhimbshme bashkjetese. Histori tragjike deri tek lufta për indipendencën e Kosovës. Apo deri tek ndodhia e dhimbshme në stadjumin e Beogradit pak vite më parë. Por filma si ky i Manchevskit, kanë si qëllim vetëm ta evidencojnë problemin duke e parë atë nga një pikvështrim fare parcial. Pa marrë pozicjon. Qëllimi i autorit është vetëm denoncimi i tij. Me shpresën që t’i bëjë të reflektojnë edhe ballkanasit vetë.
 Nga ana artistike filmi është një kryevepër e pa diskutueshme. Dhe mua, sidomos, ky aspekt më interesonte shumë. Aq shumë, sa! Që kur kisha vendosur të shkruaja romane dhe libra e merrja filmin si model tregimtar. Në atë epokë tashmë të largët, e shtrydhja gjatë trurin se si do t’i tregoja historitë e mia? Ç’stil, ç’formë stilistike do të përdorja? Mes shumë librave që kisha lexuar dhe filmave qe kisha parë, – nga Kurosawa, Antonioni, Fellini, Tornatore, Faulknaire, Marquez, Wolf apo Tarantino, deri tek kjo histori e mrekullueshme treguar nga maqedonasi Manchevsky; – kisha krijua një ide timen mbi konceptin e të treguarit një histori. Edhe filmi: “Koha e Ciganëve” i Kusturicës, gjithashtu më kishte mahnitur me skenat e tij barroke, Felliniane. Isha vetëm 24 vjeç atëherë dhe entuzjazmi më rrëmbente tërësisht dhe më linte gati pa gjumë. Më kujtohet që e pashë filmin në kinema disa herë dhe emocioni ishte aq i fortë sa mbresat mbetnin pezull mbi flokë. Meloditë ballkanase, më preknin thellë në shpirt, sidomos kthimi në atdhe i personazhit fotograf dhe gjeja shumë lidhje mes këtij filmi dhe historive që unë vetë, doja të tregoja.
Sa herë që kthehesha në shtëpi nga kinemaja, merrja gjithmonë shënime mbi strukturën e mrekullueshme dhe intrigante të filmit. Ai kishte sjellë shumë risi në koncepte. Dialogët më pëlqenin jashtë mase. Fotografia ishte e mrekullueshme, por sidomos loja aktoriale dhe lidhja, që regjizori i kishte bërë historisë dhe sidomos personazheve. Ishte për mua si një minierë e pasur, nga ku unë filloja të mendoja, ta studjoja, të reflektoja mbi stilin e këtij filmi. Film i cili ishte sipas meje, largpamës, intuitiv edhe profetik.
Që një film të mbetet në historinë e kinematografisë, duhet të plotësoi disa kritere bazë dhe të palëkundshme. Duhet të ketë në radhë të parë një histori origjinale, organike, të shëndetshme dhe plot jetë. Marrë nga jeta pra dhe jo një histori “bastarde”, e krijuar nga asgjëja, pa taban, pa origjinë. Sepse përndryshe mbetet përherë false dhe duket që është krijuar në tavolinë. E dyta. Kjo histori origjinale dhe e marrë nga jeta, duhej treguar edhe me një stil origjinal. Duhej pra që regjizori të sjelli risi në artin e të treguarit. Siç kanë sjellë edhe regjizorët më të mëdhenj në botë. Mundësisht, filmi duhet të ketë edhe një strukturë të paparë kurrë mundësisht, ose të ripërtërirë! Është e çuditshme por qe thjeshtë një rastësi kurioze që filmi: “Përpara shiut”, doli pak a shumë në të njejtën periudhë me filmin e Tarantinos: “Pulp Fiction”. Strukturat çuditërisht, pak a shumë janë të ngjashme. Veç se filmi i amerikanit respektonte rregullat e tregut hollivudian. Historia ishte tërësisht: – una americanata -, diçka e trilluar. Larg jetës së vërtetë, edhe pse loja e aktorëve, mjeshtëria e regjizorit dhe stili me të cilin ai ishte paraqitur, bënë që të arrihej suksesi i padiskutueshëm. Ndërsa historia e maqedonasit, i kishte rrënjët në kulturën maqedonase.
 Më pak e kuptueshme ndoshta nga publiku internacjonal se sa filmat western amerikanë, por gjithmonë e bukur. E largtët, absurde dhe e deri diku e çuditshme për mentalitetin perendimor, filmi ishte  po aq i pakapshëm për europianët sa ç ishte për ne ballkanasit ndoshta, filmi i Tarantinos Pulp Fiction. Ngjarjet e këtij të fundi, tregonin stilin e jetës në Kaliforni. Bëmat e gangsterave, dinamikat mafioze të kontrabandës, tentakulat e krimit, etj. Një fenomen akoma i panjohur, për ne. Popujt e sapo dalë nga zgjedha e komunizmit. Manchevskit, merrej me temat e popullit tim. Një popull, i cili shtu sikurse ai maqedonas, serb, kroat, grek etj, kishte vuajtur nën thundrën e turkut për shekuj.
Edhe pse kaluan shumë vite, filmi, i parë akoma me kujdes, nuk e zbehte fare shijen e vet prej kryevepre. Ishte diçka që kishte mrekullinë brenda. Një regjizor i ri, i panjohur, 34-vjeçar, i prezantohej publikut, botës mbarë me një film kaq të pjekur.
 Mesazhi human i thellë që autori sjell, i kalon barrierat e mentalitetit ballkanas. Ai i kapërcen pengesat, mendësinë e mbyllur, plot urrejtje dhe hakmarrje mes etnive. Zona akoma të mbytura nga errësira turke. Filmi, merr jetë, gjallërohet, por ai trasmeton edhe një mesazh të madh paqje. Përmbi urrejtjet e grupeve, mërive të tyre etnike. Përmbi gjakun e gjyshërve dhe stërrgjyshërve, ngrihet ideja e madhe e bashkjetesës paqësore. Dhënë nëpërmjet fotografit Aleksandër. Atij i kishin mjaftuar 13 vjet në Londër, për të reflektuar dhe ndryshuar tërësisht mënyrën e të menduarit. Për t’a parë botën me sytë e njeriut të emancipuar. Më në fund ai kishte kuptuar, se urrejtja mes dy etnive, maqedonase dhe shqiptare, – fshat ku ai vetë ishte rritur -, ishte veç diçka absurde. Ai ngrihet kundër këtij absurditeti duke marrë pozicion, derisa vetë bie viktimë e këtij sistemi çmendurak. Sistemi i urrejtjes dhe i gjakderdhjes, i cili vinte që prej shekujve, si një ingranazh i pamëshirshëm, dhe e shtyp atë vetë duke e shndërruar në viktimë absurde.
Mesazhi i filmit është ai i vëllazërisë dhe i bashkjetesës paqësore. Aleksandri, jo vetëm që nuk e kupton më atë llogjikë urrejtjeje falas, humus vrastar ku ai vetë është rritur, por ai ngrihet fuqishëm kundër saj, kundër kësaj bote të lënë pas krahëve ku vëllai vret motrën dhe kushëriri vret kushëririn.
Nuk mundohet vallë bota sot, edhe falë internetit të hapi mendjen? Nuk kërkojnë vallë njerëzit të njohin më mirë njëri-tjetrin? Sidomos në këto kohë pandemie, njerëzimi po mëson të ndjehet më afër në fshatin e madh njerëzor. Kjo do jetë bota e së ardhmes.
Njerëzimi nuk ka ashnjë shans tjetër, përveç mirëkuptimit, njohjes së ndërsjelltë, vëllazërisë, faljes dhe bashkëpunimit.
Mikrokozmosi i Mançevskit, është vetë makrokozmosi i botës sonë me kontraditat dhe dramat e saj! Ndoshta prelud i një bote që do të vijë. Botë hibride dhe e shkrirë. Ku kinezi të njihet me europianin, indiani me amerikanin, rusi me arabin etj.
Nga ana stilistike filmi ka nevojë për një hulumtim siç e meriton vërtetë. Filmi, i parë nga pikpamja strukturale, është i menduar deri në detajet më të padukshme. Vrasjet që ndodhin në film, janë motorri i emocioneve të egra, gati primordiale, shtazërore të njeriut. Instikte dhe pulsjone vëllavrasje të cilat personazhet nuk arrijnë t’i frenojnë dhe as nuk munden t’i frenojnë. Sepse mendësia është aq e fortë. Trysnia e opinionit është aq shtypëse sa ato, etnitë. Të dyja palët urrehen si në tragjeditë e Shekspirit. Duke lozur me kohën Mancevski, jo vetem na mbush mendjen si regjizor i madh, por ai, shkon me tutje dhe bën eksperimente të reja. Na sjell risi dhe ia arrin më së miri qëllimit. Të luash me kohën me kaq zhdervjelltësi dhe largpamësi, do të thotë të keshë një koncept shumë të qartë dhe të avancuar mbi të. Koha nuk vdes kurrë, thotë ai. Dhe qarku nuk është i mbyllur. Me këto pak fjalë esenciale, të cilat përsëriten në mënyrë posesive gjatë ngjarjes, ai na jep edhe idenë e tij mbi kohën. E cila i ngjet konceptit të Markezit në ‘100 vjet vetmi’. Koha nuk është as lineare, as qark i mbyllur, por ajo, është në formë spirale. Pra, ajo, nuk kthehet kurrë aty ku ishte. Stinët pra, kthehen, xhirojnë, por kurrë ato prekin të njëjtën hapësirë kohore. Fakti që regjizori eshte një njohës i mirë konceptesh, duket sidomos tek mënyra se si ai e  hulumton  dhe se si ai luan me të. Ky obsesion i kohës që kthehet, kjo përsëritje e herë mbas hershme e ndjesisë së kohës, (tre herë ajo përsëritet në film) aludon edhe mbi një plagë të fortë të shoqërisë ballkanase: Gjakmarrjen. Një plagë e cila ka ndjekur, ndezur dhe shuar breza të tëra familjesh. Është për t’u përmendur këtu paradoksi i Anës. Ajo sheh fotot e Zamirës së vrarë përpara se Aleksandri të kishte shkuar në fshat dhe të ndodhte ajo që ndodhi. Paradoksi është shumë domethënës. Këtu autori na fut në spiralen e kohës. Gjithcka përsëritet, gjithcka kthehet, do të thotë ai. Por filmi nuk ka vetëm obsesionin e kohës. Autori është edhe njohës i mirë i veprave të Shekspirit sepse kur Ana ecën pranë kishës në Londër ajo thotë se “ndërgjegja na bën frikacakë”, shprehje e thellë shekspiriane. Ose mjafton të përmendim zgjidhjen artistike si në ëndërr, që regjizori i bën zgjimit të Aleksandrit apo Kirilit. Aty personazhet Hana-Zamira, zhduken dhe shfaqen si në një gjendje ëndrre. Pra filmi ka edhe një vizion onirik. Duket qartë që flitet për një film, krijuar nga një njohës i thellë jo vetëm i teknikave të tregimit, por edhe i letërsisë klasike. Thellësia e mesazhit na vjen me dialogjet. “Meriton një koment gjithë kjo bukuri hyjnore”, shprehet në fillim të filmit prifti ortodoks Mark, kur i drejtohet priftit të heshtur Kiril. Lëvizja e kamerës, detajet bashkë me fotografinë janë të mrekullueshme. Mjafton të kujtosh lëvizjen inteligjente të kameras tek këmbët e personazheve, në fillim të filmit, kur varrosin fotografin shoqëruar me tonin epik të muzikës. Një gjysmë enigmë e cila zgjidhet vetëm në fund. Autori me shumë zgjuarsi luan me vrasjet Bojan/Aleksandër dhe mëdyshja e spektatorit mbetet pezull. Regjizori është një njohës i hollë i strukturave narrative. Dhe motorri i filmit bëhet jo vetëm kurjoziteti, por edhe urrejtja atavike. Përse po e kërkojnë Zamirën? Kush është i vdekuri që e qajnë? Çfarë e shtyn nxënësin/priftin e heshtur Kiril, (figurë gati hyjnore, i cili rrezaton veç pafajsi dhe pasterti shpirtërore) të mos e denoncojë Zamirën e fshehur tek dhoma e tij? Kjo dinamikë e studiuar me kujdes, rrit jo vetëm kureshtjen, por e shtyn spektatorin t’i ngjitet ekranit. Duhet të ndiqet deri dhe sekuenca e fundit, për t’i lidhur të gjithë pjesët e shkëputura dhe për të krijuar mozakun e plotë të ngjarjes.
Loja aktorjale është e përkryer. Kthimi, pak naiv ndoshta i Aleksandrit në fshatin e lindjes, është edhe materializimi i zjarrtë i ëndrrës së fshehtë të çdo emigranti që jeton nëpër botë. Eshtë kthimi në origjinë pra. Eshtrat e lodhura, si elefanti kanë nevojë të prehen aty ku kanë lindur. Nuk ka të ardhme pa të shkuar, duket sikur na thotë regjizori me këtë film. Të shumtë janë mesazhet, përveç atyre humane. Hulumtimi është i thellë. Aleksandri ka dështuar në dashuri me Hanën, por ai e ka realizuar dashurine me londinezen  Ana. Nga e cila ka ikur pa i dhënë asnjë shpjegim. Janē histori që përsëriten. Manchevski është një vëzhgues i kujdesshëm i fenomenit jetë. Personazhi  Aleksandër nuk kërkon t’i bëjë një analizë, nën optikën perëndimore, kësaj urrejtje absurde mes dy etnive. Ai veç nuk e pranon atë. Por nuk merr pozicion. Atij me të drejtë, i duket një absurditet. I duket çmendurake, anakronike, e prapambetur, gati feudale, që njerëzit, të llangosur në llumin e ideve të tyre të mbyllura, të urrehen kaq shumë dhe në formë kaq sistematike. E shtyu dashuria e dikurshme për Hanën, Aleksandrin për të shpëtuar Zamirën? Apo e shtyu humanizmi? Hapja mendore e tij? Nuk ka rëndësi? E rëndësishme është që filmi, me një pikë vështrimi perendimor, ka treguar qartë, plagët etnike shekullore, të një ballkanasi, i cili gjithmonë ka vuajtur ndër shekuj. Mesazhi edhe pse në to duken nuancat kristiane, (falja, etj) ka më tepër nuanca humaniste.
 E pamundur të bësh listën e detajeve mjeshtërore. Mjafton të kujtoj, muzikën Rap në sfond, e cila përsëritet si në Londër, (nga vajza angleze në varreza) ashtu edhe në fshatin e humbur maqedonas. Radjoja në dorën e budallait të fshatit. Shenjë, prelud globalizimi? Nje globalizim ( i cili ndodhi 30 vjet më vonë), të cilën vetëm artistët arrijnë ta kapin me intuitë, ta deshifrojnë me antenat e tyre perceptive, dhe ta vënë atë në dukje.
Autori nuk zbukuron jetën. Ai e tregon atë me vërtetësi dhe qëllimi i tij është të zgjojë ndërgjegjet. Ti bëjë njerëzit të reflektojnë mbi absurditetin, mbi çmendurinë deliruese të kësaj mënyre të të menduarit. Zgjidhja është tek aftësia reflektuese e spektatorit. Dhe pika e vështrimit të regjizorit është ajo e Aleksandrit.
 Autori siç e thashë është një njohës i përkryer i teknikave të filmit. Fëmijë që lozin me armët nëpër duar, urrejtja e dy fiseve etnike e cila, me dashje apo pa dashje ndërthuret me kapriçot e dashurisë dhe humorin e zemrës. Kemi disa detaje në film ku ndërthurja alla Romeo e Xhuljet duket qartë. Kiril gati sa nuk dashurohet me Zamirën dhe duket qartë e ardhmja e tyre e përbashkët në Londër. Aleksandri, dikur, adoleshent, kishte dashur Hana Halilin. Kemi edhe lidhjen e turbullt, gati me ngjyrim pedofil të Bojanit, i cili ka një lidhje misterjoze me Zamirën. Vajzën shqiptare.
Film i mrekullueshëm. Sidomos, loja dopje e aktorëve, gjatë darkës në restorantin Londinez, ku paralel me dialogun e vështirë të Anës me Nick-un, ndodh edhe grindja etnike.
Një botë në krizë na jep regjizori Manchevski. Një krizë jo vetëm identiteti por edhe mendësie. Fryma e re perëndimore që  Aleksandri sjell, është edhe reflektimi i parë që regjizori maqedonas bën mbi këtë bashkjetesë të vështirë. Krizë shpirtërore, sepse Kiril, për hir të humanitetit ai dëbohet nga manastiri. Krizë sentimentale. Personazhi londinez Ana, ka bërë një zgjidhje krejt të gabuar dhe të papjekur sentimentale në jetën e saj private. Krizë e dy botëve të cilat tani ndodhen ballë për ballë. Ajo e emancipuara perëndimore, dhe ajo antikja, feudalja, obskurantistja e trashguar nga stërrgjyshërit. Një botë e cila duhet të ndryshojë, dhe ky është ballafaqimi i parë i saj me europën.
Kryevepër ky film. Tematika, është sa provincjale dhe e izoluar, po aq edhe universale dhe bashkëkohore.
Filmi është bashkëkohorë. Sa bashkjetesa etnike të vështira akoma janë plagë plot gjak nëpër botë? Ato mes kurdve dhe Irakut. Ato mes armenëve dhe turqisë. Ato mes irlandes dhe anglisë, për të mos përmendur konfliktet etnike në Afrikë apo gjethkë. Bashkjetesat etnike kanë qenë dhe janë akoma një plagë e thellë e shoqërive së sotme. Pra ky film sipas mendimit tim, sa më shumë të kalojë koha, aq më tepër ai do të marrë vlera dhe do të bëhet popullor. Ky është fati i kryeveprave.
Please follow and like us: