Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Gurë kandari, por pa peshë!

Ndofta është nga të vetmet qeveri post diktature, ku njerëzit e kanë parë me habi dhe me nënqeshje. Zakonisht qeveritë e reja priten si një lloj sfide për shkak se gjithkush mendon se do ketë një zhvillim të ri. Guri i madh i kandarit vërtetë, por edhe gurët e tjerë kanë peshë. Në fund të fundit nuk hahet mëngjes, drekë, darkë vetëm fasule. Fundqeverisja e mëparshme sjell gjithmonë një përgjumje, vjen çasti dhe thua se ka mbaruar. Për më tepër, klima e ashpër e zgjedhjeve elektorale që herë më herë përfundojnë deri me marrje jetësh. Ka familje që për shkak të bindjeve sot kanë humbur njeriun e tyre, janë akoma me të zeza, ashtu sikur ka edhe nga ato që shohin pas hekurave po njëriun e tyre. Madje në mes rri peng, frika e gjakmarrjes, sa më të vegjlit shihen me sy lutës prindëror, që Zoti t’ua ruaj jetën. Megjithatë ai që është ”fituesi” krejt periferik del në një studio televizive dhe shpall me të njëjtin perversitet dhe pa vrarje ndërgjegje sfidat personale dhe jo ato kombëtare. Pra në të s’ëmës ata qe vriten dhe ata që bëjnë burg për karriken time. Rama mbledh supet, nuk ka asnjë punë me subjekte të tilla. Kështu edhe ata që gjoja janë kundërshtarë të tij. Jeta vazhdon vërtetë, por plagët mbeten. Fajtori ikën në drejtim të paditur, por mund edhe ta gjesh në një sfidë të re, madje kombëtare. Si edhe po vepron Rama me këtë Damian Tërmetin e zgjedhjeve lokale në Dibër. Kështu kanë mbetur pa emër plot krime në Shqipëri, Gërdeci, 21 janari, Thesari i Krrabës, por korifejtë vazhdojnë. Ndofta për herë të parë edhe vetë socialistët kanë mbledhur supet duke e kuptuar më në fund se ai që ka ”fituar zgjedhjet” është realisht ai Edi Rama dhe jo socialistët apo shqiptarët dhe demokracia e tyre. Madje kjo e fundit ka vdekur duke e vulosur po vet Edi Rama i cili tha publikisht se, listën e ministrave e kishte shpallur aty në sallë dhe se me askënd nuk ishte konsoltuar për emrat. Sado e përkorë mund të jetë një listë, u duhej parashtruar forumeve për diskutim. Kjo është një nga praktikat më më rutinë në prodhimin e një kabineti qeveritar. Qeveria nuk është ushtri, ku hirearkia dominon në bazë të urdhrit. Qeveria apo qeverisja është një rrahje mendimesh për të përfituar rezultate, që dmth, nëse ata që ke përballë vetëm të binden, të thonë gjithë ditën si urdhëron, ke mbaruar pa filluar. Por kjo nuk ka kuptimin se do e shohim Edi Ramën shumë shpejtë në tokë. Asesi! Do kalojnë vite. Sidomos në një vend si Shqipëria ku gjithkush sheh punën e vete dhe jo të shoqërisë. Për më tepër që kemi kapur pikun e firimit me eksodin e heshtur të formave si lloto, aplikime për punësim, trenat e lamanshit, apo pasaportat fallco. Në demokraci nuk ka ti do të bësh këtë punë, ti atë, dhe ju aty do të duartrokisni. Tërësia e emrave në kabinetin e ri është një shfaqje e radhës, njëshi e ka shumë të lehtë të të lëvizi, të bëj si të dojë. Kush do ngrej shpresën tek socialistët për kthimin në shina të partisë socialiste të shqiptarëve, Olta Xhaçka. As mos e çoni nëpër mend. Ata emra që mund edhe të të kundërshtojnë janë aneksuar tërësisht, edhe pse kanë votë masive. Kjo është strategjia e njëshave, të përdorin, pastaj të hedhin. Shikoni me vëmendje, ministrja që dështoj në arsim sot shpallet të drejtoj Kuvendin e Shqipërisë. Kujtoni protestat e studentëve në dimrin e viteve 2018-2019, për kundërshtimin e tarifave të larta. Por Edi Rama nuk rrëzohet më edhe për shkak të një opozite inekzistente, imituese, e cila po voton po këto metoda të njëshit të rilindjes. Madje kur shikon artikuj në shtyp që merren me ansambletë e Edi Ramës, kur edhe ato Bashës janë saktësisht 100% si të Edi Ramës, kupton se trysnia e shqoërisë mbi njëshat është thuajse e pashpresë. Kësisoj
mund të thuhet pa frikë, se, tanimë është plotësisht Shqipëria e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Për ata që mendojnë se nuk je demokrat kur i kërkon Berishës të mbaj përgjegjësi personale, ta dinë mirë se është pikërisht ”demokrati” Basha që e ka shitur i pari. Kjo lloj rënie fillon pikërisht nga zhbërja e forumeve dhe vota e fshehtë duke i hapur udhë katapultimit. Madje mos u çudisni kur nga fundi i vitit të kemi edhe një qeverisje të përbashkët, për më tepër, që po sillet në skenë Helmut Kohli dhe modeli gjerman. Po a është Shqipëria një Gjermani? Mundet edhe është, veç në mendjen e Ramës dhe Bashës.
Please follow and like us: