Albspirit

Media/News/Publishing

Kërkonte favore seksuale dhe para në këmbim të vendimeve, shkarkohet gjyqtari i Fierit

Këshili i Lartë Gjyqësor pranon kërkesën e ILD Artur Metani, për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit R.H. dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare të tij. Bëhet fjalë pikërisht për R.Hysin, i cili u denoncua të emisionet investigative, pasi kërkonte favore në këmbin të vendimeve.

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, R.H është arrestuar në Dhjetor të vitit 2020, pasi u denoncua, se kërkonte favore seksuale për dhënien e një vendimi gjyqësor mbi kujdestarinë e një fëmije, prindërit e të cilit janë të divorcuar. Ai u prangos nga Drejtoria Hetimore Qendrore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Tiranë.

“Vepra penale është kryer me dashje direkte, me motiv kryesor përfitimin e një shume të konsiderueshme monetare, si dhe kërkimi i favoreve seksuale përkundrejt dhënies së një vendimi civil, në favor të njërës palë në proces gjykimi nga gjyqtari R.H”, thuhet në kërkesën e ILD.

NOTE INFORMATIVE

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për procedim disiplinor me masën “ shkarkim nga detyra” ndaj magjistratit R.H.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka finalizuar hetimin disiplinor të nisur me iniciativëndajmagjistratit R.H., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar.

Bazuar në provat e administruara gjatë hetimit disiplinor, rezulton se ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë më datë 17.10.2019,e ka  deklaruar fajtor të pandehurin R.H. për veprën penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, dhe e ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim. Në zbatim të nenit 406 të K.Pr.Penale dënimin përfundimisht të të pandehurit R.H. me 3 vjet burgim, si dhe heqjen e  së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5 vjeçare. Ish- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë,ka refuzuar ankimimin e të pandehurit R.H. dhe ka vendosurlënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Regjistrimi i procedimit penal ndaj magjistratit është bërë kryesisht nga organi procedues, mbi të dhënat e përftuara nga emisioni investigativ “Stop” në televizionin “Klan” të datës 08.01.2019. I pandehuri R.H., si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka patur në shqyrtim çështjen familjare të regjistruar në këtë Gjykatë me palë paditëse A.N (M) dhe e paditur: M.K, për Ndryshim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore për fëmijën e mitur, duke e lënë për rritje dhe edukim pranë paditësit dhe detyrimin e të paditurës të paguajë pension ushqimor në masën 5000 lekë në muaj.

I pandehuri R.H. ka kërkuar takim me të paditurën, përmes psikologes E.M.,  i zhvilluar në një sallë të një hoteli në Fier, ku gjyqtari i ka kërkuar favore seksuale, ndërsa e paditura është larguar. Në bashkëpunim me “Stop”, denoncuesja ka regjistruar një takim me psikologen E.M, e cila e ka orientuar për t`i dhënë gjyqtarit ryshfet prej 500 Euro, që të merrte kujdestarinë e fëmijës. Takimi tjetër është zhvilluar sërish në një lokal në një ambient të veçuar nga publiku, ku denoncuesja i jep gjyqtarit vlerën prej 500 Euro dhe pamjet filmike e kanë regjistruar këtë moment. C’ka konstatohet nga përmbajtja e bisedës, është fakti se vlera prej 500 Euro lidhet pikërisht, me çështjen që gjyqtari kishte në proces gjykimi.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

o   Gjyqtari R.H. është gjetur fajtor për veprime, të cilat për nga natyra e tyre janë të shkallës më të rëndë, sic janë aktet korruptive të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit.

o   Veprimet eR.H.kanë diskretituarrëndë figurën e gjyqtarit, imazhin e tij në publik, si dhe kanë ulur besimin e publikut tek figura e gjyqtarit e tek gjyqësori. Kjo pasi i pandehuri ka kërkuar e pranuar ryshfet në favor të tij dhe e ka përfituar atë për shkak të detyrës së tij, si gjyqtar dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar favor seksual nga një palë ndërgjyqëse.

o   Veprimet e gjyqtarit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm, por edhe nga veprimet e vetë atij si funksionar i drejtësisë.

o   Vepra penale është kryer me dashje direkte, me motiv kryesor përfitimin e një shume të konsiderueshme monetare, si dhe kërkimi i favoreve seksuale përkundrejt dhënies së një vendimi civil, në favor të njërës palë në proces gjykimi nga gjyqtari R.H.

o   Kur shkelja disiplinore e kryer është aq e rëndë sa e bën magjistratin të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e tij, atëherë masa disiplinore nuk mund të luajë më rol edukues. Në këtë rast, masa disiplinore merr përsipër të mbrojë interesin publik, duke larguar nga detyra magjistratin dhe duke u kthyer kështu në masë me natyrë të pastër ndëshkuese ndaj tij. Dënimi i gjyqtarit për kryerjen e një krimi dhe forma e prerë e këtij vendimi, sugjerojnë caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

I kërkohet Këshillit të Lartë Gjyqësor pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit R.H., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja “b” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 104, pika 3, dhe neni 111, pika 1, shkronja “b” të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

https://lajme.rtsh.al/artikull/kerkonte-favore-seksuale-dhe-para-ne-kembim-te-vendimeve-shkarkohet-gjyqtari-i-fierit

Please follow and like us: