Albspirit

Media/News/Publishing

Boniek kujton Shqipërinë e viteve të komunizmit

Shqipëri-Poloni, një histori që ka nisur 36 vite më parë dhe që me siguri nuk do të mbyllet të martën në Tiranë. Përballje përherë të luftuara dhe në momente vendimtare për të ardhmen e dy skuadrave. Ashtu si eleminatoret e Katar 2022 edhe Botërori Meksikë 1986 i shortoi kuqezinjtë me një prej skuadrave më të forta. Zbigniew Boniek, ish-sulmesi në vitet 70-80 ka dhënë një intervistë të gjatë ku është ndalur edhe në përballjen e vitit 1985, kur ylli polak, vinte në Tiranë me charter, pas finales së Championsit mes Juventusit dhe Liverpool.

Skuadra nuk po luan keq, por situata është se humbja në Tiranë na eliminon nga lufta për “play-offin”?

Është e vërtetë, nëse humbasim, nuk do të shkojmë në Kupën e Botës dhe nëse fitojmë, ne ende kemi një shans për të luajtur në play-off. Megjithatë, ndeshjet e vështira ende nuk kanë ardhur.

A shihni një analogji me vitin 1985? është e vërtetë që ka dallime, sepse tani Shqipëria është përpara skuadrës sonë, dhe atëherë ishte e kundërta?

Ne gjithashtu duhej të fitonim. Në ato vite, ne nuk luanim aq shumë ndeshje kualifikuese sa bëjnë tani. Zakonisht ne luanim kundër dy ose tre skuadrave. Nuk kishte vend për gabime. Tani luhen dhjetë ndeshje në grup dhe realiteti është ndryshe.

Shënuat golin e fitores, edhe pse një ditë më parë luajtët në finalen e Champions League kundër Liverpool. Nga perspektiva e sotme, veçanërisht për dikë që nuk i mban mend ato kohë, tingëllon e pabesueshme.

Nuk kishte kalendar si tani. Më duhej të vija për paratë e mia, të organizoja gjithçka vetë, i thashë drejtuesve të Juventusit se do të luaja në finale, nëse nuk më rregullonin një aeroplan që të mund të fluturoja për në Shqipëri për të luajtur me Poloninë në Tiranë.

Ju me të vërtetë nuk do donit të luanit në finalen e Champions League?

Nuk kishte asnjë problem të tillë sepse e dija që Juventusi do të pajtohej.

Sidoqoftë, nuk ishte e lehtë?

Nëse gjithçka do të kishte shkuar normalisht, nuk do të kisha probleme. Finalja duhej të fillonte në orën 20:30 dhe do të mbaronte në orën 23:00, më pas do të hipja në aeroplan në mesnatë dhe do të luaja për Poloninë një ditë më pas. Por pas ngjarjeve në Heysel, pati njëqind mijë probleme. Kur shkova në aeroportin privat në Bruksel, nuk gjeta aeroplanin me të cilin duhej të fluturoja. Pastaj, kur donim të zbarkonim në Tiranë, doli që ata nuk mund të na prisnin deri në orën 8 të mëngjesit. Na u desh të ktheheshim në Bari, ku për fat është afër Shqipërisë. Arritëm atje rreth orës 5-6 të mëngjesit. Në orën 10:00 isha në Tiranë, dhe në orën 14:00 ose 15:00 filloi ndeshja.

Duket e mahnitshme. Lojtarët e futbollit ankohen se ata luajnë çdo tre ditë?

Nuk e di nëse ata ankohen apo njerëzit përreth tyre. Në çdo rast, nuk ka asgjë për t’u ankuar, për mua të luaja në përfaqësuese ishte parësore. Aq më shumë që na priste një ndeshje e rëndësishme. Duhej të fitonim. Kam shënuar pas aksionit me Jas Urban, kam luajtur 90 minuta. Isha aq i përgatitur sa mund të luaja dy ndeshje njëra pas tjetrës. Unë isha përgatitur mendërisht për një kohë të gjatë.

Si e kujtoni Shqipërinë e asaj kohe?
Mbaj mend që gjatë rrugës nga aeroporti në hotel, nuk kishte makina. Më bëri përshtypje si i vetmi kryeqytet ku pashë vetëm biçikleta, besoj se ishte në modë.(Dosja.al)

Please follow and like us: