Albspirit

Media/News/Publishing

Vizita e presidentit të Serbisë Vuçiç në Kralevë, këmbane alarmi për SHBA-të dhe BE-në

PhD Dritan Demiraj

Vizita e presidentit te Serbisë, Aleksandër Vuçiç (ministrit të kryekriminelit Milosheviç) në Kralevë për të vizituar xhandarmërinë serbe, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabandës së mallrave dhe krimit të organizuar është padyshim provokimi i radhës i tij ndaj botës së civilizuar. Vetë kënaqësia e tij, zgërdhimjet dhe mbështetja që i bënte trupave të xhandarmërisë, të cilët njëlloj sikur ishin nën efektet e kokainës e si ujqërit përpara gjakut këndonin si të çmendur këngën famëkeqe me motive urrejtje ndaj shqiptarëve: “Të nisemi drejt për në Kosovë”.

Këto sjellje të papërgjegjshme në prani të presidentit të “moderuar” dhe “perëndimor” Vuçiç duhet te jene nje këmbanë alarmi për SHBA-të dhe BE-në. Serbia edhe pse ka shkaktuar tri lufta civile në Ballkan, duke shkaktuar genocid, vrasje, masakra dhe përdhunime të mijëra grave dhe fëmijëve të pafajshëm në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci, përsëri është e etur për t’u kthyer në Kosovë dhe të përsëris të kaluarën e saj të tmerrshme. Ka ardhur koha që SHBA dhe BE të shpallin përgjegjës presidentin Vuçiç, ministrin e Mbrojtjes Stefanoviç dhe ministrin e Brendshëm Vulin si persona përgjegjës që nxisin urrejtje dhe po destabilizojnë rajonin. Të gjithë si qytetarë shqiptarë mbështesim plotësisht vendimet e qeverisë së Kosovës për të kontrolluar plotësisht territorin, zbatuar ligjin, siguruar rendin publik dhe luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar në Republikën e Kosovës. Perpara milicisë Vuçiç deklaroi se: “Paqen dhe stabilitetin do ta ruajmë me çfarëdo çmimi. Nëse na sulmojnë, nëse vrasin njerëzit tanë, atëherë do të na duhet t’i mbrojmë ata”. Sa për vrasje, e gjithë bota e civilizuar Serbinë e njeh vetëm për krimet kundër njerëzimit. Jeni ju që nxisnit në atë kohë luftëra së bashku me forcat tuaja të armatosura, xhandarmarinë, milicinë dhe mercenarët tuaj duke vrarë, shkatërruar, masakruar dhe përdhunuar me mijëra gra dhe fëmijë të pafajshëm. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë vrarë dhe sulmuar fqinjët e tyre, por gjithmonë kanë qenë viktimat e tyre. Të nderuar miq! Mos mendoni se bota e ka harruar Ministrin e Propagandës në kohën e kasapit te Ballkanit, Milosheviç, i cili me automatik në dorë deklaronte se për një serb do vriste një mijë muslimanë.

Post Scriptum: Aleksandër! Edhe ti vetë e di mirë që në Kosovë s’ta mban të futesh për shumë arsye që unë nuk dua t’i përmend këtu ne FB. Pse i gënjen dhe i nxit milicët dhe xhandarët e tu? A mos vallë ata i kanë harruar fotot e shumë kolegëve të tyre që kanë lënë kockat në Kosovë?

Michigan.

Please follow and like us: