Albspirit

Media/News/Publishing

Ina Kosturi: Liceu artistik dhe violina shqiptare

Nëse duam të reflektojmë mbi historikun e violinës në Shqipëri, një rëndësi të veçantë në krijim e shkollës së violinës, talenteve, programeve të interpretuara e deri në përfaqësimin e saj përtej kufijve, i takon institucionit të Liceut Artsitik, i cili në 75 vite u bë qendra dhe promotori i artit shqiptar dhe violinës në veçanti. Ky 75 vjetor është një moment reflektimi, bashkëpunimi, evidentimi dhe frymëzim për të nesërmen në disa fusha të artit shqiptar, e mes tyre dhe violinës shqiptare si krenari dhe histori suksesi. Liceu Aristik ishte dhe është një nga institucionet më të bukura, ku drurët e mëdhenj të udhës së artit zaptojnë ndërtesën si një oaz frymëzimi ku marrin jetë tingujt e ngjyrat. Është institucioni rinor i artit ku thuren ëndërra me skena, teatro, galeri, janë qindra ëndërra bashkë vit pas viti që përçojnë kulturë, art, pasion në gjithë Shqipërinë e suksesshëm si ambasadorë të heshtur me gjuhën e artit janë lajmëtarë të kulturës e përparimit si komb. Çdo dritare, klasë, korridor fsheh mijëra histori suksesi e pasioni, studimi, melodi të pafundme, që vetëm artistët arrijnë ti njohin e perceptojnë.

Historiku 75 vjeçar kërkon padyshim evidentimin e etapave të zhvillimit të secilës degë. I takon studiuesve të skicojnë momente, evente, emra pedagogësh, instrumentistësh të cilët e çuan krahas degëve të tjera në nivele të larta interpretimin muzikor e violinën shqiptare. Nëse në fillimet e tij përparimin e sollën violinistë, muzikantë shqiptarë që studiuan jashtë, e të huaj më të paktë, vitet më pas do e përmbysnin këtë raport, duke promovuar talente të cilët zakonisht do ushtronin aktivitetin në orkestra në mbarë botën e një pjesë si solistë e pedagogë në institucione prestigjioze. Ky ndryshim duket se vulosi atë sukses që artet dhe violina në veçanti arriti, falë dhe kontributit 75 vjeçar të një institucioni që promovon, përkrah e rrit talentet shqiptarë.

Recitali i parë i Ludovik Naraçit i vitit 1926 do mbetej një datë historike, ndërsa Liceu Artistik dhe përpjekja e Naraçit i njohur si profesor i Liceut do bashkohej me shumë violinistë të tjerë pedagogë për ta pasuruar repertorin violinistik me vepra të rëndësishme të literaturës botërore, me recitale e debutime me orkestra, bashkë me botimin e pjesëve shqiptare në” Repertorin Pedagogjik” të një tjetër profesori, Genc Bogdo, duke gërshetuar kështu pëparimin e çdo brezi në literaturë botërore e shqiptare. Emra të tjerë violinistësh duket se u bashkuan në këtë përparim të domosdoshëm të violinës shqiptare, derisa u hap dhe shkolla e lartë, e emra të rinj, nxënës të pedagogëve të Liceut do vazhdonin të transmetonin këtë pasion e përkushtim për violinën si pedagogë, solistë e orkestrantë. Një pjesë e të diplomuarve do ktheheshin në shkollën e dikurshme për t’i dhënë asaj shkëlqimin e duhur, si një trashëgimi e krijuar me pasion e mundim.

Në pamundësi për të përmendur gjithë emrat e violinistëve pedagogë e duke shpresuar që studiuesit të botojnë detaje, dokumentojnë histori të këtij kontributi, do ndalem në një periudhë e cila shënoi dhe suksesin më të madh, atëhere kur violina dhe Liceu u shndërruan në promotorë të artit e talenteve, kur programet dhe repertoret njohën reforminin dhe moderizimin dhe shkolla u duk se i parapriu apo përgatiti ikjet e mëvonshme të instrumentistëve shqiptarë. Ish një kohë e varfër gjithsesi e një vendi të izoluar, pa dyqane veglash muzikorë, me tela të vjetër e parte të ruajtura me fanatizëm. Në vend të turistëve, Paganini, Donti, Rode, Tchaikovski e Sibeliusi e shumë të tjerë tregonin prezencën e tyre nga bota e largët e institucioneve shekullore me tinguj nga duar fëmijësh e të rinjsh, për të cilët violina ishte vetë jeta. Korridori u shndërrua në një sallë e gjatë ku secili ushtrohej deri sa përgatitej për të hyrë në klasën e mësimit, ishte skena ku detyra përzihej me ambicjen, një skenë e improvizuar të cilën e donin të gjithë, një skenë moderne e një shkolle të varfër ku pasioni fitonte mbi gjithë komoditetet e munguara.

Nëse shumë vite më parë, ardhja e një apo disa violinistëve pedagogë do ndryshonte atmosferën e institucionit, vitet 1985 -1990, do shënonin ndoshta dhe periudhën më të lavdishme të violinës shqiptare, ku shkolla e violinës nuk përfaqësohej me individë, ku kontributi i pedagogëve nuk ishte një i vetëm, po idetë e një pedagogu, bashkoheshin me kërkimet e një violinisti tjetër, duke krijuar nga mbyllja një dritare të gjerë diturie, frymëmarrjeje për violinën shqiptare. Elementë soliste e elementë të përkushtuar të pedagogjisë do punonin në grup duke reformuar programet, duke sjellë një progres të madh teknik, repertorë të panjohur më parë, duke e kthyer Liceun artistik, jo vetëm në institucion të violinës, po në një atmosferë konkursi, ku talentet mobilizoheshin, motivoheshin për ta kthyer shkollën në shkollën e solistëve.

Duket se violina shqiptare do i paraprinte ndryshime të mëvonshme dhe hapjes me botën përtej Shqipërisë, ndërsa kompozitorë të panjohur, të mëdhenj do bëheshin pjesë e tingëllimeve të sallës së liceut e skenave në mbarë vendin dhe kjo kaq natyrshëm sa solli ndryshmin e gjithë kërkesave, nivelit, motivuar dhe nga interpretimet e violinistëve solistë në skenat shqiptare. Kjo klimë erdhi pasojë e kontributit të mëparshëm të violinistëve të tjerë, të cilat krijuan premisa për këtë revolucion në të cilin u përfshi gjithë stafi pedagogjik, madje kjo frymë u shtri dhe në shkollat e muzikës. Idetë konkrete të Robert Papavramit, përvoja jashtë e tre violinisteve të vegjël nga Liceu, avancimi teknik nëpërmjet shkallëve, etydeve të vështirësisë së lartë, ndërrimi i tyre dhe realizmi i një numri të lartë materialesh, përfshirja e koncerteve të panjohura më parë e deri në vepra të vështira violinistike në interpretimet e nxënësve të liceut u shndrrua në një praktikë të zakonshme. Bashkë me Robert Papavramin e Zhani Cikon, me Roland Xhoxhin e Fatbardha Denizin, Proletare Skënderin e Didi Tartarin, u bashkua një pjesë tjetër pedagogësh të rinj po aq të përkushtuar. Mamica Abazi e Yllka Mishto, Shanka Kumbaro, Edmond Sinani e Brunilda Stefani bashkë me violinistin solist Pirro Gjezi (pedagog i jashtëm) do ishin pjesë e këtij ndryshimi.

Vëzhguar me syrin e një nxënëseje atëherë dhe reflektuar sot, ky staf shënoi një tjetër veçanti në institucionet tona kulturore e artistike, klimëne bashkëpunimt dhe respekti reciprok, me mjeshtërinë e mbajtjes pas kuintave, padukshëm, të ambicjeve që shoqëronjnë institucionet e artit e sidomos ato shqiptare. Pas saggiove pedagogu yt ishte po aq objektiv dhe për nxënësin e kolegut. Duket se shkolla tejkaloi ambicjen e secilit pedagog për sukses duke e shndërruar në sukses të secilit violinist që ishte nxënës i asaj shkolle, duke falur besim, vlerësim dhe duke imponuar respekt. Ambicja për sukses u gërshetua me urtësinë e violonçelistit Xhovalin Lazri, si një model paqësor funksionimi të një institucioni artistik e arsimor. Shkolla u shndërrua në një institucion që i shërbeu përtej instrumentistëve të rinj violinës soliste shqiptare dhe përparimit të saj në përgjithësi, duke e përgatitur në nivel profesional po dhe të marrëdhenieve mes pedagogëve e nxënësve, në një oaz qetësie ku punohej më përkushtim. Inatet, hatërmbetjet, ajo ambicje në shkollat e artit mbeti e fshehur e në vend të kapriciove të pedagogëve e studentëve, në të kundërt me çmendinë së kohës shfaqur me prerje pantallonash “moderne”, shkolla e violinës studioi dhe perfeksionoi 24 kapriciot e Rodes, Dontit e deri tek Paganini, një pjesë e të cilave luhej aq lehtësisht, sa do befasoheshin dhe institucione shumvjeçare jashtë Shqipërisë.

Në vend të rrëmbimit të ndonjë nxënësi a studenti të kolegut siç ndodh ndonjëherë në instutucionet tona artistike, stafi i atëhershëm dha një model paqeje, ku luftohej për t’i rrëmbyer një pjese të re repertorit violinistik e vendosur në skenë. Salla e dikurshme e Liceut është shndërruar sot në një sallë të vërtetë arti, ku shfaqjet, koncertet, aktivitetet përcjellin njëra tjetrën. Ndërsa violina krahas degëve të tjera mbetet një histori suksesi. Kapriciot e Rodes, repertori i violinës pushton tashmë sallën moderne, ndërsa talentet janë aty në çdo kohë. Stafi i sotëm përballet me sfida të reja, në një kohë kur kontaktet e botën jashtë janë reale, të prekshme, kur zbukurimi,moda janë të dukshme e të kërkuara. Është bukur të kthehesh në shkollën e artit, ku talente, e mes tyre violinat janë gjithmonë sukses. Është bukur të shqiptosh dy fjalë “Liceu Artistik”, aty ku nisin ëndërrat e mëdha të artistëve të vegjël, aty ku nisën sukseset e para të artsitëve të mëdhenj shqiptarë, aty ku në çdo kohë merr frymë pasioni për artin./exlibris

Please follow and like us: