Albspirit

Media/News/Publishing

DIASPORA SHQIPTARE NË SHBA DHE ROLI I SAJ MBËSHTETËS NË SHPALLJEN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Prof.As. Dr. Rudina Mita

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare kolonitë shqiptare nuk i shkëputën asnjëherë lidhjet dhe urat e komunikimit me atdheun e tyre. Jo vetëm kjo, por kontributi i tyre ishte madh dhe shumë dimensional: në lëmin politik nëpërmjet lobimit, në fushën e arsimit me ndihma financiare dhe botime në gjuhën shqipe, tekste në ndihmë të fëmijëve të shqiptarëve; në thellimin e ndjenjës së vullnetarizmit dhe marrjen pjesë drejtpërdrejtë në ngjarje me peshë dhe vendimtare historike për shqiptarët si qëndresën e shqiptarëve në kryengritjet e 1911, 1912, në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kolonitë shqiptare nuk reshtën përpjekjet edhe pas këtij akti madhor. Ato e mbështetën dhe lobuan për të ardhmen e shqiptarëve në forume të rëndësishme ndërkombëtare edhe atëherë kur vihej në rrezik ekzistenca e këtij kombi. Lobuan ndërkombëtarisht edhe në hapat e parë të vendosjes dhe zhvillimit të lëvizjes demoratike e liberale në vend, mbështetjen dhe antarësimin e Shqipërinë në organizata ndërkombëtare etj.

Një nga veprimtarët më të njohur të shoqërive shqiptare në emigracion ishte dhe Viasar Dodani, i cili në lidhje me të qenurit aktiv dhe veprimtarinë e shqiptarëve të diasporës asokohe shprehej se: “Ahere fytyr e dëshirës së shqiptarëve ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që mshifnin dëshirat ish liria kombiare…”.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë për nga përpjekjet e një populli dhe nga rëndësia historike ishte një proces sa i gjatë, aq dhe deçiziv për vendin dhe shqiptarët. Ky proces nuk mund të realizohej e të finalizohej pa përkrahjen dhe të qenurit aktiv të shqiptarëve, veçanërisht të elitës politike, personaliteteve dhe atdhetarëve të shquar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit në Vlorë, shënoi sikurse deklaruan përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin e Vlorës dhe vetë Qeveria e shpallur në të, shkëputjen përfundimtare nga Perandoria Osmane.

Rëndësia e aktit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte e madhe. Ajo erdhi si rezultat jo vetëm i rrethanave historike të krijuara asokohe, por edhe nga një sërë faktorësh e aktorësh politikë që mundësuan aktin e pavarësisë politike. Rrënimi i Perandorisë Osmane, fitimi i pavarësisë së shteteve fqinje me Shqipërinë, nxitën luftën dhe qëndresën e shqiptarëve, e cila u përshkallëzua që nga kryengritjet e vitit 1910, 1911, e deri në lëvizjen e përgjithshme të vitit 1912. Për të arritur deri në këtë akt final u deshën shumë përpjekjeve e lobime edhe nga ana e shqiptarëve të diasporës nëpër kancelaritë Europiane të kohës. Roli i diasporës shqiptare ishte mjaft i vlefshëm, i rëndësishëm, erdhi në momentin e duhur dhe i shërbeu ardhmërisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përpjekje, të cilat nisën si kontribute individuale e më pas ju bashkuan luftës së rilindasve me “pushkë e penë për mëmëdhenë”, e që nuk reshtën për asnjë çast pavarësisht vështirësive, largësisë dhe luftës së qarqeve antishqiptare në emigracion. Nisur nga një kontribut i tillë madhor kurrësesi nuk mund të nënvlerësohet kontributi i diasporës shqiptare në proçesin e arritjes së këtij qëllimi final, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

AKTIVITETI KOMBËTAR I DIASPORËS SHQIPTARE NË SHBA DHE ROLI I SAJ NË SHPALLJEN E PAVARËSISË

Me shpalljen e Hyrietit u duk sikur u ndez një dritë jeshile për shqiptarët, për faktin se tashmë, ata shpresonin se mund të gëzonin lirshmërinë e lëvrimit të gjuhës shqipe, gjuhës së nënës. Një entuziazëm i tillë u vërejt dhe u shpreh edhe nga diaspora shqiptare në Amerikë. Në gazetën “Kombi” që dilte në Boston në datë 21 gusht 1908, ndër të tjera në lidhje me një arritje të tillë shkruhej se: “…të shpallurit e konstitucionit, gjithë shqiptarët e Amerikës u mburrnë plot gaz dhe më tepër thotë Kombi gëzohenë që do të jetë gjuha e liruarë dhe do të mundin të hapin shkolla në gjuhë të vet…”.

Më 15 shkurt 1909 shoqëria “Besa-Besë” në Boston, nxorri numrin e parë të organit të saj gazetës “Dielli”, redaktor i parë, i së cilës ishte Fan Nolin. Nëpërmjet rreshtave të saj, gazeta shprehej se: “Dielli është organ i shqiptarëve kombëtarë që kërkojnë vetqeverim për Shqipërinë”, ndërsa motoja e kësaj gazete ishte “Shqipëria për shqiptarët”. Shoqëria “Besa-Besën”, bashkë me gazetën “Dielli” u shëndrua në një qendër aktive të lëvizjes kombëtare shqiptare të diasporës shqiptare në Amerikë.

Në vazhdën e zgjerimit dhe të organizimit të diasporës shqiptare në SHBA, në 2 maj 1909 u themelua në Hudson Mass shoqëria e korçarëve e quajtur “Arsimi”, me kryetar Nikolla Dishnica. Fillimisht qendra e saj ishte në Hudson Mass dhe më vonë u vendos në Boston. Shoqëria kishte si qëllim të ndikonte dhe t`i jepte hov zhvillimit arsimor e kulturor të qytetit të Korçës. Shoqëria shpallte dhe deklaronte qartë se nuk kishte qëllime politike. Katër ditë më pas në 6 maj 1909, në Kembric Mass u themelua shoqëria “Përparimi”, e cila ishte vazhdim i shoqërisë “Vëllazëria patriote Dardhore” e krijuar më 1906. Qëllimi i saj ashtu si edhe ai i shumë shoqërive të tjera të krijuara në Amerikë, paraqitej unik dhe me interes kombëtar, duke synuar përçimin e diturisë ndër shqiptarë, nëpërmjet botimit të librave shqip e shpërndarjes falas të tyre. Në ndihmë të shkollës dhe arsimit shqip, Shoqëria “Besa-Besë” mblodhi gjatë muajve shtator-nëntor mjaft ndihma për Shkollën Normale. Po në kuadrin e ndihmave Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, me qendrën e saj në Jamestown të Amerikës, i dhuroi shoqërisë “Përparimi” për Shkollën Normale 50 $.

SHQIPTARËT E DIASPORËS NË SHBA KONTRIBUAN PËR NORMALEN E ELBASANIT

Ndihma në të holla në lëmin e arsimit, të shkollës shqipe nuk mungoi edhe në vitet që do të pasonin, pas Kongresit të Elbasanit. Shpesh herë personalitete të njohura në trevat shqiptare i bënin thirrje përfaqësuesve të diasporës shqiptare në SHBA, që të ndihmonin mbajtjen dhe ecurinë e mëtejshme të Shkollës Normale. Është i ditur fakti që Shkolla Normale e Elbasanit, pavarësisht se ishte hapur me mirëkuptimin dhe lejen e Perandorisë Osmane, kjo e fundit nuk kontribuonte financiarisht për mbajtjen dhe pagesat e mësuesve të saj. Kjo shkollë u ngrit me dëshirën e madhe dhe të mirë të shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët i dolën për zot dhe kontribuan në mbajtjen dhe financimin e saj. Jo vetëm treva e Elbasanit por e gjithë Shqipëria ndihmoi financiarisht në mbajtjen e shkollës, dhe në financimin e sudentëve që arsimoheshin në të. Edhe shqiptarët e diasporës në SHBA kontribuan nëpërmjet ndihmave financiare në mbarëvajtjen e kësaj shkolle.

Në fund të vitit 1909 dhe në fillim të vitit 1910, në kuadrin e mbledhjes së ndihmave për shkollën Normale, Dervish bej Biçakçiu, nga Elbasani, i kërkoi drejtorit të gazetës “Dielli” të përpiqej të mblidhte ndihma në shërbim të Shkollës Normale. Ndihmat e mbledhura nuk ishin të plota e të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e kësaj shkolle, madje në tribunën e Federatës panshqiptare “Vatra” në lidhje me këtë theksohej se: “…Drejtori i Diellit është i një mëndje me shoqërinë “Besa-Besën”, me të përndershmin At Fan S. Noli dhe me gjith` atdhetarët e njohur t`Amerikës, që duhet ndihur për Shkollën Normale t`Elbasanit. Mjerisht ndihmat janë të rralla dhe sa`do që hapmë një listë që 7 javë nuk u mblodhnë as 100 $. Aqë ftohtësi në shqiptarë që për të tjera u treguan të nxehtë, e çuditi shumë drejtorin e Diellit dhe n`udhëtimin që bëri, për konferencat, u përpoq të mësojë shkakun e kësaj indiference…” Shkakun kryesor të një indiference të tillë gazeta e shpjegonte me faktin se në Kongresin e Elbasanit “…nuk u ftua nonjë delegatë nga Amerika për kongresin, sikur shqiptarët e këtushmë s`kanë nonjë rëndësi fare, me gjith që ndihmat e tyre kërkohen dhe pritën kurdoherë me nder… po pa dyshim,- vazhdon drejtori i “Diellit” me kohë do t`kuptojnë që Shkolla Normale s`mund të heqë për lajthimet e kongresit që e krijoi. Shkolla Normale duhet të bëhet, dhe do të bëhet, një institucje kombëtare e paanëshme”.

Në ndihmë financiare dhe në mbështetje të Shkollës Normale, gjatë vitit 1910 u shpreh dhe shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, e cila mblodhi ndihmat dhe ia dërgoi kësaj shkolle. Shqiptarët e Planters Hotel Co-së iu përgjigjën thirrjes së bërë nga Dervish Beu nga Elbasani dhe bënë një listë të vogël dhe me gjithë zemër dhanë ndihma për shkollën Normale, në kuadrin e shumës prej 132 $. Ndihma u dhanë edhe nga shqiptarët e Worcesterit 113 $. Atdhetarët shqiptarë në diasporë ishin të bindur se një komb nuk mund të mbijetonte pa zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, prandaj pavarësisht hatërmbetjeve, ato u solidarizuan të gjithë dhe kontribuan financiarisht për ta mbështetur, financuar e lobuar edhe më tej në zhvillimin e tij.

SHQETËSIM SHUMË I MADH PËR ATDHETARËT SHQIPTARË U BË POLITIKA QË PO NDIQNIN XHON-TURQIT

Një shqetësim shumë i madh për atdhetarët shqiptarë kudo që ndodheshin brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë politika që po ndiqnin Xhon-Turqit, krejt ndryshe nga shpresat që ato i dhanë dhe premtuan shqiptarëve. Ky shqetësim u përcoll ndjeshën në mitingun kombëtar të mbajtur në Phoenix Hall, të Amerikës me pjesmarrjen e shqiptarëve nga shumë lokalitete të saj. Drejtues i mitingut ishte kryetari i shoqërisë “Besa-Besë”, i cili ndër të tjera në lidhje me të drejtat e shqiptarëve theksoi se: “Këto të drejta janë në rrezik sot, janë në rrezik edhe më tepër nesër. Jemi në rrezik sot se xhon-turqit duke futurë me pahir turqishten dhe duke zgjuar fanatizmin me anë të panislamit, duke mbajtur vendin në varfëri, duke shtrënguar shqiptarët me të zotët e punës të ç`atdhesohen, duke dërguar shqiptarët më të fortë të vdesin si ushtarë në Jemen, Xhon-Turqit pak nga pak e përçojnë, e dobsojnë dhe e prishin kombësinë t`onë. Të drejtat t`ona janë në rrezik nesër, se dita e nesërme, në qoftë se sjell prishjen e Turqisë, do t`na gjejë të papërgatitur… Që të jemi gati për çdo ngjarje, duhet t`u thomi bashatdhetarëve t`anë të vërtetën, që mos rrehen me prralla dhe t`i harrojnë kombësinë e tyre, po të bëjmë burrërisht detyrën”.

UNIFIKIMI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

Gjatë vitit 1909 nga shoqëritë e Amerikës u bënë hapa të rëndësishëm për unifikimit të këtyre shoqërive në një të vetme. Pleqësia e Shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” qëllimin e saj për unifikim e përcolli në gazetën “Dielli”. Thirrja e saj u pasua edhe nga shoqëria “Besa–Besë”, e cila bëri apel për të organizuar mbledhjen e shoqërive shqiptare të Amerikës të krijuara deri në atë kohë si: “Përparimi”, “Arsimi”, “Fatbardhësia” si dhe shoqëria kishtare e Shën Gjergjit. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve, u organizuan një sërë mitingjesh në qendra të ndryshme urbane ku jetonin shqiptarë. Mitingje u organizuan në Boston, më 1 nëntor 1909, në Hudson Mass në 12 nëntor 1909, Bideford në 18 nëntor, Nejtik në 25 nëntor, Worcester në 1 dhjetor, më 14 dhjetor në Sauthbric. Synimi i tyre ishte unifikimi i shqiptarëve të Amerikës nëpërmjet, të cilit do të arrihej dhe zgjerimi i rradhëve të patriotëve shqiptarë për gjallërimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Këto përpjekje dhanë dhe rezultatet e tyre të para, me bashkimin e dy shoqërive “Besa-Besë” dhe “Malli i Mëmëdheut” në vitin 1910, mbi bazën e shembullit të tyre, u bë i mundur edhe zgjerimin i mëtejshëm i këtij bashkimi. Çështja e bashkimit doli më shumë në pah gjatë vitit 1911, për faktin se rrethanat kërkonin si domosdoshmëri mbështetjen e lëvizjeve antiosmane që kishin shpërthyer në Shqipëri. Prandaj thirrja e shqiptarëve të Amerikës ishte: “Sot na duhet bashkimi, ne duhet të rrojmë me nder, e ne duhet të gjendemi në faqet e dheut, o burra të gjithë bashkohuni! Kërkoni bashkim, thërrisni të gjithë më një zë “rroftë bashkimi”- shkruhej në gazetën “Dielli”. Për këtë qëllim u ngarkua nga kjo shoqëri Kristo Floqi për hartimin e programittë bashkimit të shoqërive shqiptare të Amerikës, që më pas synohej të shihej dhe miratohej nga të gjitha shoqëritë. Për këtë qëllim u caktua edhe një mbledhje e përbashkët më 24 dhjetor 1911, në Boston dhe iu kërkua të gjitha shoqërive atje të dërgonin përfaqësuesit e tyre në të. U caktua që në këtë mbledhje të diskutohej edhe Kanunorja e Komitetit Qëndror, në nenin e parë të së cilës theksohej se qëllimi i kësaj kanunoreje ishte mbrojtja e interesave të Kombit shqiptar me ç`farëdo lloj mënyre, si dhe arritja e çlirimit të atdheut. Në këtë mbledhje të parë kryetar i saj u zgjodh Fan Noli, i cili nuk e pranoi atë post, në vend të tij u zgjodh Kristo Floqi. Në këtë mbledhje u vendos që të zgjidhej një komision prej 4 vetësh, që do të formonin kryesin e Komitetit Qendror.U vendos gjithashtu që nëçdo fshat apo qytet, ku kishte shqiptarë, të dërgohej 1 përfaqësues në Boston dhe sëbashku, 10-12 veta po nga Bostoni, të formonin Komitetin Qendror. Nismën e Shoqërisë “Besa-Besë” e pasuan edhe shoqëritë e tjera. Në këtë nismë u bashkuan me Shoqërinë “Besa-Besë” shoqëritë “Malli i Mëmëdheut” dhe “Përlindja”, kjo e fundit në qytetin e Xheimstounit, me kryetar Denis Kamburin.

PËRPJEKJET E DIASPORËS SHQIPTARE NË AMERIKË PËR SHQIPËRINË

Në vitin 1911 u mbajt një miting në Boston, i cili konkludoi me një mbledhje të organizuar po në Boston, më 17 mars në orën 15.00. Në të fjalimin e mbajtën disa prej patriotëve, ndër të cilët Noli, që foli për barbarizmat e ushtrisë turke, ndërsa atdhetari Orazio Iriani, profesor, me fakte arriti të shpallte botërisht përpjekjet e diasporës shqiptare në Amerikë, duke treguar se ajo ekziston dhe punon për Shqipërinë. Ndër të tjera ai tregoi se: “turqit janë turq dhe kurrë s`mund të presë Shqipëria të mirë prej tyre, Ahmet Rizaj i cili thirri në mes të parlamentit që s`ka shqiptarë, po Myfit beu, ju përgjigj “var efendëm var”!.Edhe para ca kohësh një gazetë turqishte shkruajti që në Amerikë s`ka shqiptarë, po ku ta kem atë njeri ktu e t`i themi: këto njerëz që janë mbledhur këtu, ç`janë? Apo mos janë anadollakë? Më në fund Orazio Iriani në fjalën e tij theksoi se të gjithë duhet të bashkohen për këtë qëllim të shenjtë për lirinë e dëshiruar. Më tej fjalën e mori shqiptarofili Moris Tark prift i protestantëve, duke theksuar se ai ishte miku i shqiptarëve dhe ndjente një dhimbje të madhe për situatën në, të cilën ndodheshin shqiptarët. Ai u shpreh se të gjithë jemi vëllezër dhe kurrë s`mund të na përçajnë. Në fjalën e tij Faik Konica u shpreh se tani ishte koha për të fituar të drejtat tona. Në fjalën e tij Fan Noli entuziasmoi të gjithë të pranishmit në miting. Pas tij fjalën e mori Jake Guga i dërguari i kryengritësve shqiptarë, i cili paraqiti shkaqet e kryengritjes dhe masakrat e kryera nga ushtria otomane. Fjalën e pasuan më pas D. Kamburi përfaqësues i Jamestonit dhe pas tij K. Rodhe kryetari i shoqërisë “Besa-Besë”, i cili u shpreh se Turqit e rinj nuk kanë asnjë dallim nga turqit e vjetër. Mbas përfundmit të mitingut delegatët mblodhën ndihma për jetimët, gratë e mbetura të ve dhe për të plagosurit. Ndihmat e mbledhura kapën shifrën e 3000 $ të cilat u lanë në dorë të një komisioni të përbërë nga katër anëtarë. U caktua që shuma duhet të arrintë në 5 000$.

Në shtypin e kohës akte të tilla përshkruheshin me tone të theksuara patetike. Në gazetën “Liri e Shqipërisë’, në artikullin “Shqiptarët e Amerikës dhe të kolonive të tjera” në lidhje me ndihmën financiare dhe përkrahjen që ata dhanë për shqiptarët e Shqipërisë në momentet e vështira në, të cilat ata ndodheshin ndër të tjera shprehej se: “…ata shqipëtarë, janë për të lavdëruar dhe për të qoajtur, me të vërtetë, mirëbërës të kombit…”

Në vitet 1910 e 1911, përpara Shoqërisë “Besa-Besë”, Noli mban fjalime të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptarë në Kosovë, duke ngritur lart luftën e trimërinë e tyre, me Isa Boletinin e Idris Seferin në krye, në betejat e Cernalevës e në Grykën e Kaçanikut.

Pro bashkimit deri në fillim të marsit 1912 ishin shoqëritë “Besa-Besë”, Shoqëria “Arsimi”, Shoqëria “Dallëndyshja”, Shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, “Shoqëria Kombëtare” dhe Shoqëria “Mirëbërësi”. Ndërsa në 28 prill 1912 diaspora e SHBA do të arrijë rezultatin final, bashkimin e të gjithë shoqërive në një të vetme, duke u krijuar Federata panshqiptare “Vatra”. Ky bashkim u emërtua kështu falë autoritetit të madh që gëzonte ndër shqiptarët e Amerikës, Shoqëria “Vatra” dhe kryetari i saj Fan Noli. Gjatë majit të vitit 1912 kemi përpjekjet e Federatës Vatra për të krijuar një gazetë kombëtare.

Siç shihet qëllimi final të diasporës shqiptare në Amerikë u realizua, duhej tashmë të vihej në jetë programi i “Vatrës” në mbështetje, qoftë materialisht qoftë dhe përkrahje shpirtërore, por edhe pjesmarrje e drejtpërdrejtë në ngjarjet e viteve 1911-1912, deri në finalizimin e shpalljes së pavarësisë./gazeta dielli

Please follow and like us: