Albspirit

Media/News/Publishing

Valbona Nikollaj, një femër e vaçantë në kuvendin e grave mirditore

Marjana Suli Brozi

Sot dua t’iu prezantoj një vajzë, një grua në “Kuvendin e grave dhe vajzave mirditore”.

Quhet Valbona Nikollaj e jeton në Padova të Italisë.

Valbona tregon se është larguar në moshën 17-vjeçare nga fshati Bardhaj ku ajo jetonte me familjen e saj.

Valbona është vajza e Martë e Kol Nikollaj dhe familja e saj përbëhej nga prindërit dhe 7 motra e vëllezër.

Shkollën fillore dhe 8-vjeçaren e mbaron në fshatin e lindjes, ndërsa gjimnazin e fillon në Kurbnesh dhe mbaron vitin e tretë.

Në moshën 50-vjeçare babai i saj humb jetën, ai  punonte në minierën e Kurbneshit.

Familja  e saj jetonte në një varfëri të madhë pasi ishin 7 jetimë e jetonin me nënën.

Valbona pas vitit të tretë largohet nga fshati i lindjes Bardhaj dhe shkon në Itali.

Largohet për një jetë më të mirë, largohet nga një varfëri e madhe, largohet si e gjithë rinia e kohës.

Në Itali duke qenë se Valbona ishte në moshë minore i besohet një familje italiane.

Valbona menjëherë fillon e mëson gjuhën sepse qëllimi i saj ishte të fillonte një shkollë e të merrte një profesion në mënyrë që të fillonte të punonte dhe filloi shkollën si parukiere e estetiste.

Pas diplomimit fillon punë në një parukeri.

Valbona më tregon se ka punuar edhe si fotomodele për një dyqan bizhuterish në Padova dhe ka bërë disa albume fotografish, por asnjëherë nuk ka folur për këtë gjë pasi kishte gjithmonë atë frikën që kanë vajzat nga paragjykimet. Fanatizmi në atë kohë në fshatin e saj ishte i madh e Valbona nuk kishte dëshirë që nëna e saj të dëgjonte fjalë jo të mira nga njerëz të ndryshën e të pa informuar mirë.

Asgjë s’ka qenë e lehtë, tregon Valbona Nikollaj, asgjë s’më ka dhuruar njeri, çdo gjë e kam arritur me punë e sakrifica.

Shumë shpejt u njoha me burrin tim të ardhshëm dhe krijova familjen time e cila sot është e përbërë nga unë, bashkëshorti im dhe dy vajzat e mia.

Edhe njohja me familjen e bashkëshortit tim nuk ka qenë e lehtë sepse për të gjithë këtu isha  një vajza e varfër dhe ekstrakomunitare dhe burri im ishte nga një familje e mirë.

Në fillimet e mia si emigrante më është dashur t’i bind të gjithë me punën time të pastër e me sjelljen time të mirë.

Por i vetmi bashkëshorti im nuk ka patur kurrë asnjë problem lidhur me këto probleme, ai u dashurua me mua e sot e kësaj dite ne jetojmë një jetë mes punës e familjes sonë, të përkushtuar për mirëqënien e familjes e të lumtur.

E sot e them e lumtur se dashuria s’ka nacionalitet dhe është thjesht dashuri.

Unë sot punoj prej shume vitesh parukiere, estetiste e jam rritur shumë profesionalisht, kam marrë pjesë dhe në konkurse të ndryshme të zhvilluar mes parukiereve italiane e jam vlerësuar edhe me çmimin e dytë edhe me kupën e konkursit ndër vite.

Valbona tani dua të bëj disa pyetje

A ju ke mësuar vajzave shqip?

Valbona Nikolla: Sa pyetje e bukur, do t’i pëlqente shumë sidomos bashkëshortit tim, ai ka mësuar shumë shqip dhe i pëlqen shumë Shqipëria, madje shpesh më thotë pleqërinë do ta jetojmë në Shqipëri. Vajza e vogël e flet më mirë se e madhja, por e madhja studion gjuhë të huaja dhe sigurisht që shqipja është në programet e saj për ta mësuar.

Valbona, çfarë lidhje ke me Shqipërinë dhe vendlindjen tënde?

Valbona Nikolla: Me Shqipërinë kam lidhje të ngushta, edhe pse kam më shumë se gjysmën e jetës sime që jetoj larg vendit. Largimi im ishte i dhimbsëm pasi unë aty lashë zemrën time, lashë nënën time, lashë motra e vëllezrit e mi e sot me to kam një raport special. Vij në Shqipëri me shumë dëshirë e largohem me shumë dhimbje. Unë Shqipërinë e marr në zemër, e jo vetëm. Këtu në Itali jam aktive në shoqatën ‘Besa’, shoqatë që drejtohet nga Vojsava Zagali. Në këtë shoqatë bëjmë aktivitete shumë të mira në favor të shqiptarëve në nevojë, në ndihmë të fëmijëve të sëmurë me sëmundje të rënda, në ndihmë të grave shqiptare. Mendoj se të ndihmosh kush është në nevojë nuk të varfëron, por të pasuron në shpirt.

Valbona, të kam parë në disa aktivitete në veshjen e gruas mirditore, na trego pak…

Valbona Nikolla: Veshjen e gruas mirditore e kam veshur në aktivitetet e shoqatës ‘Besa’ ku në atë aktivitet ishte edhe gazetari Ndue Lazri. E vesha në nderin e veshjes së gruas mirditore, e vesha në tokën italiane në Padova veshjen që vesh me krenari nëna ime, e vishte gjyshja ime, e veshin gratë e vajzat mirditore dhe mendoj ae është veshja më e bukur në botë. Nuk mendoja kurrë se fotot me këtë veshje do ishin kudo nëpër portale. Pastaj i vesha për së dyti në Rrëshen, ato ishin vërtetë speciale dhe falenderoj artizanët mirditorë për punën fantastike në ruajtjen e traditës së veshjes së gruas mirditore. Gjej rastin të falenderoj edhe Gjergj Markun i cili më ftoi në dhomën muze ku bëmë edhe foto.

Valbona unë të falenderoj shumë e mbi të gjitha vlerësoj modestinë tënde sepse unë e di që ti je pjesë e disa iniciativave në ndihmë të Mirditës, së bashku me disa persona, por e mira i bëhet kujt i nevojiten e kjo mjafton për ju.

Valbona Nikolla: Gjithmonë kam qenë e idesë se duart që japin janë më të shejta se duar që luten.

 

Please follow and like us: