Albspirit

Media/News/Publishing

Rikthimi i gjeopolitikës në marrëdhëniet shqiptaro-greke: Intriga diplomatike greke përballë inferioritetit shqiptar

 

 

Dr. Sadri Ramabaja

Drejtor i “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”, Prishtinë
Gjeopolitika dhe gjeoekonomia tok përdorin argumentet e veta për t’ju imponuar politikës. Por krahas koncepteve klasike të gjeopolitikës që konsiderohen si të etabluara në sistemin teorik, në dekadat e fundit, gjithnjë e më shumë, po marrin në konsideratë edhe të kuptuarit alternativ të proceseve të kufizuara të hapësirës, të cilat gjeopolitika tradicionale i kupton si mjet në dobi të fuqisë politike.

Këtë qasje, duket se e ka pas parasysh ambasadori Shaban Murati, autori i librit “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, marrë në tërësinë e saj, nga shkrimi i parë i përfshirë në këtë libër – intervista e tij dhënë “Corrier des Ballkans” me titull “Mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet shqiptaro-greke”, e deri tek faqja e fundit, ku ka përfshirë “Faksimilen e Aktit përfundimtar të delimitimit të kufijve të Shqipërisë” [1926].

Në rastin e detit Jon nuk bëhet më fjalë për aneksimin ushtarak të shteteve të vogla, veprim të cilin gjeopolitika klasike e arsyetonte, duke e trajtuar si një “proces normal në ciklin e zhvillimit të shtetit”[1], por për përpjekjet e ngulmta të Greqisë për të përvetësuar zona të tëra naftëmbajtëse të hapësirës së detit  që i takon Shqipërisë.

Ciklin e shkrimeve në këtë libër, autori e fillon me trajtimin e “enigmës së transformimit të objektit të bisedimeve midis dy Ministrive të Jashtme në vitet 2008-2009, të cilat në mënyrë të paligjshme, siç shprehet autori, ndërruan objektin e tyre.

Bazuar në teoremat e gjeopolitikës kritike, sidomos pikëpamjet teorike të neorealizmit (përfaqësues eminent të të cilës rrymë janë Kenneth Waltz, Henry Kissinger dhe Zbigniew Brzezinski), kjo zonë sërish rezulton si areal me interes të jashtëzakonshëm gjeoekonomik. Këto qasje ka tendenca të tumiren nga përqasjet kritike të mendimit gjeopolitik tradicional, me theks atij grek, që po shpërfaqet mes presionit diplomatik të Athinës.

Libri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” është produkt i një pune studimore shumëvjeçare në lëmin e diplomacisë dhe me thekst atë të detit. Libri trajton një nga çështjet më intriguese e më të ndieshme të diplomacisë shqiptare përgjatë gjithë egzistencës së Shqipërisë, që tashmë është cilësuar si çështja e detit.

Autori i librit ka njohuri të kësaj fushe sa edhe për zhvillimet e reja të gjeopolitikës kritike, dhe për rrjedhojë, ka arritur t’na sjell një varg të dhënash përse tutje kjo zonë e Detit Jon mbetet zonë e interesit në rritje të gjeopolitkës greke dhe arsyet përse fati i shekulli XXI për këtë pjesë të Evropës Juglindore mbetet i lidhur me SHBA-të. (Mjafton këtu të kujtojmë faktin që sjell autori mbi përpjekjet e diplomatëve grekë për ti bindur kolegët e tyre shqiptarë, që për rrjedhën dhe rezultatin e bisedimeve të mos njoftohen amerikanët!)

Por krahas kësaj, sidomos pas çlirimit të Kosovës (1999), Bashkimi Europian, duke marr gjithnjë e më shumë rol aktiv në rajon, po dëshmohet si superfuqi së paku në rrafshin ekonomik dhe financiar. Duke prodhuar gati një të tretën e GDP-së së globit, Europa është bërë “një fuqi ekonomike e klasit të parë, e aftë të konkurojë me SHBA-të dhe me ekonominë aziatike dhe të negociojë nga pozita të barabarta me to mbi çështje të tregtisë dhe financave ndërkombëtare”.

Ndërkaq pas thellimit të krizës financiare, sidomos përballjes me krizën e thellë të Greqisë, Gjermania, de fakto, shndërrohet në faktor dominant, saqë një lagje analistësh kanë shprehur mendimin se “çështja europiane mund të konsiderohet, para së gjithash, një çështje gjermane”. Kriza financiare që mbërtheu për një kohë të gjatë Greqinë e dëshmon këtë më së miri.

Libri  ”Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë“ ka gjithsejt 49 njësi. Në shikim të parë duken shumë, por ka disa prej tyre që nuk kalojnë një faqe tekst. Ky fakt e bën edhe më tërheqës leximin, meqë mesazhi është i përqëndruar, telegrafik. Njësia e 8-të ka jo më shumë se një faqe tekst.

Vetë titulli është një sentencë më vete: “Greqia pranon Aktin e Parisit për kufijtë, Shqipëria e ka harruar”. Ja si e fillon shkrimin me informacionin telegrafik, por shumë domethënës, jo vetëm për shënnaumistët, siç i quan autori pasuesit e Ahmet Zogut që i dhuroi perlën tone Shën Naumin Jugosllavisë në këmbim të mbështetjes për ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1924:

“Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias bën një deklaratë historike: “A i njohim ne kufijtë e formuluar sipas Aktit Final të Helsinkit? A e njohim ne Aktin Final të Parisit të vitit 1926?” (3 korrik 2018, Faqja zyrtare e MPJ-së së Greqisë).
Është hera e parë në 92 vjet që një ministër i jashtëm  grek konfirmon edhe pranon zyrtarisht dhe publikisht plotfuqishmërinë e “Aktit Final të Delimitimit të Kufijve të Shqipërisë”, të 30 korrikut 1926, të firmosur në Paris nga katër fuqitë e mëdha  dhe nga qeveritë e Shqipërisë dhe Greqisë….

“Natyrshëm pas këtij informacioni blic, vjen pyetja retorike plot alarm e autorit: “me çfarë dreq të drejte Tirana hap dhe diskuton çështjen e paqenë të kufijve detarë midis dy vendeve në vitin 2018?”.

Duke e trajtuar çështjen e parashtruar e mbarështruar në të gjitha njësitë e librit me vëmendjen e përqëndruar të diplomatit me përvojë e studjuesit të mirëfilltë të fushës, autori ka sjellë informacion dhe ka analizuar çështje që prekin disa drejtime, të cilat janë anashkaluar gjatë procesit  të negociimit të marrëveshjes dhe të vetë çështjes së detit.

E tillë është enigma e transformimit të objektit të bisedimeve për detin midis dy Ministrive të jashtme  në vitet 2008-2009. Kërkesa fillestare  e MPJ të Greqisë, që zumë në gojë më lartë,  drejtuar MPJ të Shqipërisë në vitin 2007 ka qenë për hapjen e bisedimeve për shelfin kontinental. MPJ-ja e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme e ka ndryshuar këtë objekt në bisedime për delimitimin e kufijve detarë, gjë për të cilën Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka shpallur marrëveshjen e detit të vitit 2009 të papërputhshme me Kushtetutën e Shqipërisë, madje edhe vetë bisedimet për kufijtë detarë i ka cilësuar si të paligjshme, pohon autori.

Si në librin paraprak të autorit për këtë temë “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare?”, edhe në librin ”Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë“, autori përmes një analize të gjithanshme e pothuajse shterruese shkencore, ka potencuar qartë se çështja e detit është e sajuar, pra nuk egziston dhe nuk mund të jetë çështje e diskutimit të kufijve shtetëror detarë, meqë ata janë përcaktuar një herë e mirë në traktatet ndërkombëtare.

Rrjedhimisht çështjet e vetme, sipas autorit, që mund të jenë objekt i bisedimeve, janë ato që kanë të bëjnë me shelfin kontinental dhe me zonën ekonomike ekzkluzive, tema këto që nuk kanë qenë objekt i ligjit ndërkombëtar në kohën e Konferendcës së Londrës, Firenëcs dhe Parisit në vitin 1913 – 1926, që përcaktuan kufijtë e Shqipërisë me Greqinë.

Në njësinë e 46-të, që ndoshta është eseja më e mirë në këtë libër, e që ka një titull gjithashtu sinjifikativ e jashtëzakonisht të qartë: “ Shqipëria të ndjekë Italinë, Turqinë dhe Egjiptin, që refuzuan efektin e ishujve grekë”, autori i librit me shqetësimin e ligjshëm i bie kambanave të alarmit dhe ripohon se “cikli i ri i mundësisë së humbjes së re të integritetit territorial filloi zyrtarisht më 25 dhjetor 2020 me dekretin presidencial grek të zgjerimit të njëanshëm të ujërave territoriale greke në detin Jon”.

Këtë fakt ai e shoqëron më tej me shpjegime të detajuara, pse Shqipëria duhet të ndjek modelet e lartëpërmendura për mbarështrimin e kësaj çështjeje. Të tri prej shteteve të zëna në gojë më lart, nuk kanë pranuar në bisedimet e tyre me Greqinë, potencon autori, që t’u jepet ndonjë efekt ishujve grekë. Madje edhe për zgjerimin tani në dëm të hapësirës sonë në Detin Jon, duhet të marrë pëlqimin e Italisë.

Më tej, diplomati e studjuesi ynë Shaban Murati, i sugjeron rrugëdaljen nga kjo rrugë pa krye, qeverisë aktuale në Tiranë, që të “ndërmarrë përçapje diplomatike …pranë Komisionit Europian të BE-së në Bruksel, para se ata të japin miratimin për ligjine ardhshëm grek të zgjerimit të ujërave në Detin Jon”..

Libri i ri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” që kemi në dorë tashti, është i shkruar prej njerit nga ekspertët më të mirë shqiptarë të diplomacisë në përgjithësi dhe të diplomacisë detare në veçanti. Libri i vjen në kohën e duhur, kur po shtohen enigmat, mjegullat, pikëpyetjet dhe intrigat e reja diplomatike rreth të ashtuquajturës çeshtje të detit, që është vendosur artificialisht në qendër të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Në një nga recensionet për këtë libër të publikuar ditë më parë në gazetën “DITA” potencohet se: “Shumë kishin menduar se me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të 15 prillit 2010, që rrëzoi dhe shpalli të pavlefshme marrëveshjen e dëmshme të detit të nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve në vitin 2009, ishte dhënë përgjigja përfundimtare dhe qendrimi përfundimtar juridik, shkencor, historik dhe diplomatik mbi një çeshtje, që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë në historinë 100 vjeçare të marrëdhënieve midis dy shteteve.

Fatkeqësia historike nuk është pse Greqia nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por që vetë Shqipëria eci dhe po ecën edhe në ditët e sotme me hartën rrugore diplomatike greke, duke hedhur poshtë praktikisht vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese.” Por, as kjo përgjigje e ky qëndrim i qartë nga ana e gardianit të kushtetutshmërisë, për qeveritarët dhe diplomatët tanë nuk ka qenë i mjaftueshëm që të reflektojnë!

Libri portretizon profesionalisht këtë vazhdimësi të fizionomisë së diplomacisë së Shqipërisë në pozitën e të nënshtruarit historik ndaj diplomacisë greke, me autogolin e madh zyrtar të shndrrimit të kufirit shtetëror detar të Shqipërisë në një objekt tratativash me Greqinë.

Përfundim

Shekulli i shqiptarëve dhe i atdheut të tyre – Shqipërisë  është përpara, ndërkaq përcaktimi ynë si komb krah Perëndimit është me mjaft rëndësi për popujt që nuk mund të projektojnë forcë. Progresi dhe zhvillimi me siguri se do të paraqesë sfidë për qeveritë e reja.

Nacionalizmi dhe gjeopolitika e shekullit të XXI, krahas zhvendosjeve të pritshme në disa momente për shtetet e brishta të Ballkanit, tok me krijimin e Republikës së dytë të shqiptarëve në truallin ilirik, i ka rezervuar kombit tonë faktorizimin e pashmangshëm. Tok me paralajmërimin e disa momenteve të kësaj natyre, megjithatë autori nuk lë pa ju ra kambanave të alarmit për të përmendur përgjumjen e një pjese të shoqërisë në momente decidive të historisë sonë.

Tek ky fakt e shoh rëndësinë kruciale të këtij libri. Epoka, që shënon tranzicionin e stërzgjatur në Evropën Juglindore, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, periudha prej vitit 1991 deri në vitin 2001, jo pa të drejtë, po cilësohet si një “lojë e ndërmjetme”, në të cilën po pozicionohen aktorët ndërkombëtar.

Në këtë udhëtim “Europa ishte në kërkim të rrugës së vetë”, do të shprehej studjuesi gjerman Erih Fallat, ndërkaq duket se po këtë fat do ta kenë edhe shqiptarët.

Libri këtë mision ka.

————————————————–

Shaban Murati: “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”

Diplomati dhe studjuesi Shaban Murati sapo ka nxjerrë nga shtypi librin e tij të ri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, botuar nga shtëpia botuese “Albas” me sponsorizim të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. I shkruar prej njerit nga ekspertët më të mirë shqiptarë të diplomacisë në përgjithësi dhe të diplomacisë detare në veçanti, libri vjen në kohën e duhur, kur po shtohen enigmat, mjegullat, pikëpyetjet dhe intrigat e reja diplomatike rreth të ashtuquajturës çeshtje të detit, që është vendosur artificialisht në qendër të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Shumë kishin menduar se me vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë të 15 prillit 2010, që rrëzoi dhe shpalli të pavlefshme marrëveshjen e dëmshme të detit të nënshkruar nga qeveritë e dy vendeve në vitin 2009, ishte dhënë përgjigja përfundimtare dhe qendrimi përfundimtar juridik, shkencor, historik dhe diplomatik mbi një çeshtje, që nuk kishte ekzistuar kurrë më parë në historinë 100 vjeçare të marrëdhënieve midis dy shteteve. Fatkeqësia historike nuk është pse Greqia nuk u pajtua me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, por që vetë Shqipëria eci dhe po ecën edhe në ditët e sotme me hartën rrugore diplomatike greke, duke hedhur poshtë praktikisht vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese. Libri portretizon profesionalisht këtë vazhdimësi të fizionomisë së diplomacisë së Shqipërisë në pozitën e të nënshtruarit historik ndaj diplomacisë greke, me autogolin e madh zyrtar të shndrrimit të kufirit shtetëror detar të Shqipërisë në një objekt tratativash me Greqinë. Diplomacia shqiptare në fazën e re të bisedimeve midis dy ministrive të jashtme për detin në vitin 2017 iu kundërvu vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke hedhur në pazarin diplomatik kufirin shtetëror detar. Ajo sfidonte edhe të gjitha aktet dhe traktatet ndërkombëtare, që kanë vulosur kufijtë përfundimtarë tokësorë dhe detarë të Shqipërisë me Greqinë, siç është “Akti përfundimtar i delimitimit të kufijve të Shqipërisë”, i vendosur nga fuqitë e mëdha në Paris në 30 korrik 1926, të cilin e ka pranuar dhe firmosur edhe qeveria e Greqisë. Autori bën mirë që e sjell përsëri për lexuesit në librin e tij faksimilen e këtij dokumenti të çmuar, i cili është për Shqipërinë dokumenti më i rëndësishëm kombëtar dhe ndër-kombëtar pas Deklaratës së Pavarësisë të 28 nentorit 1912. Autori zbërthen për herë të parë metodën dinake diplomatike greke të të ashtuquajturës “paketë e çeshtjeve shqiptaro-greke” në bisedimet midis dy ministrive të jashtme. “Diplomacia e toptanpazarit”, siç e quan autori, ishte kurthi diplomatik grek, që i diktoi Tiranës në vitin 2017 rinegocimin e marrëveshjes së anulluar të detit të vitit 2009, me të njejtin objekt dhe natyrisht të njejtin efekt si marrëveshja e vitit 2009. Libri shpjegon pse qeveria bëri një lëshim të jashtëzakonshëm të shkeljes së interesave kombëtare, kur ofroi të diskutonte në pazarin e ri diplomatik me Athinën kufirin shtetëror detar të Shqipërisë. Është tronditëse deklarata e Komisionerit të Lartë të BE, Johannes Hahn, i cili në 11 korrik 2018 zbulon se marrëveshja e re detare midis Shqipërisë dhe Greqisë “do të jetë rreth ristrukturimit të kufijve”. Libri shpjegon pse qeveria bëri një lëshim të jashtëzakonshëm në dëm të interesave kombëtare, kur pranoi kushtin grek të përjashtimit të çeshtjes çame nga e ashtuquajtura paketë e “diplomacisë së toptanpazarit”. Analizohet absurdi se si Shqipëria i dhuroi Greqisë në vitin 2017 edhe çeshtjen e detit, edhe çeshtjen çame, kurse Greqia u tall me Shqipërinë duke i dhënë apostilën apo patentat e shoferëve dhe duke mos hequr as ligjin e turpshëm të luftës. Libri përqendrohet në dinamikën e ringjalljes së marrëveshjes së vdekur të detit të vitit 2009 në një formë të re, e cila madje u bë gati të nënshkruhej në prill 2018 në Korçë në ditën e Pashkëve ortodokse. Por ndërhyrja e fuqishme e shteteve aleate të NATO-s e ndaloi atëhere nënshkrimin e marrëveshjes së re të dëmshme. Lexuesi njihet me ecurinë e rrezikshme, ku futen interesat kombëtare me formulat e reja të diplomacisë greke, si ajo e zgjerimit të ujrave territoriale greke në ishujt e detit Jon në 12 milje, dërgimi i temës së detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, etj. Këto formula analizohen në gjenezën e tyre, duke ndriçuar theqafjet, ku e joshin diplomacinë dhe qeverinë shqiptare manovrat e diplomacisë dhe të qeverisë greke, të cilat për arsye të paqarta shteti shqiptar i pranon pa u menduar dy herë. Vend të veçantë zë në libër analiza e situatës së re të rrezikshme të krijuar për të ashtuquajturën çeshtje të detit nga marrëveshja e arritur në tetor 2020 nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Greqisë për të dërguar sëbashku në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë bisedimet e tyre për detin. Kjo argumentohet si rruga e gabuar e çvleftësimit të akteve dhe traktateve ndërkombëtare, që kanë sanksionuar kufijtë e Shqipërisë, dhe si një përpjekje për të krijuar alibi për një marrëveshje të re të dëmshme të detit. Duke analizuar vendimin qeveritar për Gjykatën Ndërkombëtare, ku për fat të keq, siç shprehet me kënaqësi ministri i jashtëm grek Dendias, forcat kryesore politike shqiptare janë dakord, libri paralajmëron për rezultatin në dëm të Shqipërisë, që duhen pritur nga hapi i gabuar i dërgimit në atë Gjykatë. Referohet një argument i fuqishëm se Greqia qysh në janar 2015, pasi i sugjeroi Tiranës në vitin 2014 vajtjen në Gykatën Ndërkombëtare, depozitoi fshehtas në OKB dokumentin zyrtare, sipas të cilit Greqia nuk e njeh juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare në çeshtjet e kufirit të saj detar. Autori e ka vendosur spektrin e bisedimeve për detin midis dy vendeve në një kuadër më të gjërë të marrëdhënieve dypalëshe, ku çfaqen dobësitë dhe lëshimet strategjike të diplomacisë dhe të qeverisë shqiptare. Në këtë drejtim trajtohet për herë të parë çeshtja e kërkesave të reja të diplomacisë greke ndaj Tiranës, siç është ajo e “vetëvendosjes” për minoritetin grek dhe e një statusi të ri të privilegjuar juridik, politik dhe administrativ për atë minoritet në qeverisjen e Shqipërisë. Duke qenë koherent me problematikën dhe me zhvillimet ndërkombëtare të diplomacisë detare në detin Mesdhe, bisedimet detare të Shqipërisë me Greqinë trajtohen në dritën e elementeve dhe raporteve të reja detare të Greqisë me Turqinë, me Italinë dhe me Egjiptin. Analiza sjell përvojën e re, që duhet shfrytëzuar nga Tirana, dhe të cilën e krijuan të tre shtetet e mësipërme mesdhetare, të cilat në vitin 2020 në bisedimet dhe në marrëveshjet detare me Greqinë nuk i lejuan Athinës rivendikimet e saj që ishujt grekë të fitonin të drejtën për shelf kontinental dhe për zonë ekonomike ekskluzive. Libri “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë” sëbashku me librin tjetër të autorit “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar në 2018, përbëjnë një enciklopedi shteruese dhe një busull orientuese për diplomacinë shqiptare të detit dhe për mendimin diplomatik dhe shkencor shqiptar në përballjen me rivendikimet e padrejta të vjetra dhe të reja territoriale të shtetit fqinj dhe për të mbrojtur të drejtat historike dhe interesat shtetërore dhe kombëtare të Shqipërisë.

Please follow and like us: