Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: SOKRATI, KY FITUES I MADH

Ishin grekët e lashtë ata që bënë kthesën e madhe për njerëzimin, veçanërisht për qytetërimin perëndimor. Kjo kthesë përshkruhet si transformimi i shoqërisë nga tribalizmi në shoqërinë civile. Fatkeqësisht, shumë popuj ende po e vuajnë rëndë këtë proces transformimi. Mes tyre jemi edhe ne shqiptarët. Edhe sot ne hamendemi nga duhet të shkojmë, drejt lindjes apo perëndimit.
Dihet se tipari më karakteristik i qytetërimit perëndimor është vetëdija kritike e njerëzve, kultura e të qenit kritik ndaj dukurive shoqërore. Kjo cilësi njerëzore, ‘kritika’, nuk u ka zbritur nga qielli perëndimorëve. Vetë shpirti, thelbi i kësaj cilësie është në kundërshtim të vazhdueshëm me urdhrat që supozohet se vijnë nga qielli. Perëndimorët e dinë, e kanë humbur ‘parajsën’, nuk ka parajsë për ta. Faji për këtë qëndron tek vetëdija kritike, e cila megjithatë ka origjinën e saj. Ka nisur të përdoret nga ata që nisën kthesën e madhe, nga grekët e vjetër. Helenët refuzuan ta merrnin jetën si të mirëqenë. Kështu bënte Herakliti, Protagora, Demokriti e shumë të tjerë.
Padyshim, fajtori gardian është njëri prej tyre, ishte Sokrati, ky moralist dhe individualist i ‘egër’. Ai e ‘degjeneronte’ rininë, duke i thënë se, ‘ju nuk jeni veç mish e gjak’, jeni më shumë. Para së gjithash ju jeni inteligjencë; është arsyeja juaj që ju bën njerëz; që ju mundëson të jeni më shumë se sa thjesht një tufë dëshirash dhe pasionesh, që ju jep të drejtën të pretendoni se jeni një qëllim në vetvete. Thëniet e tij “kujdesu për shpirtin tënd”dhe ‘njihe veten” janë kryesisht‘ piskamë’ për ndershmëri intelektuale, që i përkujton njeriut se megjithatë është qenie me limite intelektuale.
Është paradoksale, por mësimet e tij kanë një vlerë të barazvlershme edhe sot e kësaj dite – veçanërisht mësimet e tij mbi politikën, ky aktivitet njerëzor që vazhdon të katranosë jetët tona. Ai kritikoi pamëshirshëm institucionet demokratike të Athinës, dhe autoritetet e asaj kohe e quajtën atë kundërshtar të demokracisë. Ai nuk mund t`i honepste politikanët, veçanërisht ata që ekspozoheshin si demokratë. Ua çorri maskat politikanëve të pandershëm, duke ekspozuar egoizmin dhe epshin e tyre për pushtet. Ai ishte i pamëshirshëm sidomos ndaj lajkatarëve hipokritë të popullit, sidomos ndaj atyre që ekspozoheshin si të gjithëdijshëm, që nuk e njihnin konceptin e ndershmërisë intelektuale. Ai luftoi kundër politikanëve që i trajtonin njerëzit si instrumente të epshit të tyre për pushtet; kundër atyre që, duke instrumentalizuar situatën e keqe në shoqëri, çonin në vrasjen e mbështetësve të tyre për ide të çoroditura apolitike.
Armiku duhej të ndalohej. Duke qenë se nuk ia mbyllën gojën me kundër argumente, i bënë padi. Në mes të tjerash i thanë që keni edukuar Alcibiadin, Kriton dhe Karmidin. Dy të fundit ishin në grupin e të famshmëve ‘Tridhjetë tiranët’. Ata kishin frikë ta vrisnin. Aniti, një nga tre paditësit, nga frika se filozofi do të bëhej martir i demokracisë, përgatiti terrenin që ai të ikte nga Athina. Sokrati, si një abstenues dhe refuzues i pakorrigjuar, nuk u largua. Ai donte të demonstronte se nuk ishte kundër ligjit, kundër demokracisë, kundër atdheut të tij, Athinës. Ai pranoi të pinte helmin.
Ky ishte Sokrati, ‘armiku i demokracisë’, ky që pa pikë frike iu refuzonte postulatet e orakujve, sidomos Delfit.
Please follow and like us: