Albspirit

Media/News/Publishing

Dalip Greca: KOMUNITETI SHQIPTAR NDEROI ME HOMAZHE GAZETARIN ILIR BUÇPAPAJ

Pasditen e së Mërkurës, 26 Janar 2022, nga ora 3 -8 P.M komuniteti shqiptar në Amerikë nderoi me homazhe gazetarin, operatorin, regjisorin Ilir Buçpapaj. Homazhet u organizuan nga familja në shtëpinë mortore LUCIA BROS-FUNERAL, Bronks, New York. Bashkatdhetarë nga shumë shtete të Amerikës së Veriut, i kanë shprehur ngushëllime familjes. Shumë shoqata të komunitetit, gazetarë, personalitete të komunitetit, kanë qenë të pranishëm dhe i kanë shprehur ngushëllime familjes si dhe kanë nderuar përmes kujtimeve bashkëpunimin me Ilirin, i cili bëri aq shumë për komunitetin shqiptar.
Së bashku me Presidentin e nderit të Vatrës z. Agim Rexhaj, ish nënkryetarin e Vatrës Asllan Bushati, anëtarin e Kryesisë së Vatrës, studiuesin Idriz Lamaj dhe vatranë të tjerë, ngushëlluam të birin e Ilirit, Kreshnikun, familjen dhe të gjithë miqtë dhe të afërmit. Z. Rexhaj kujtoi gjatë fjalës së tij udhëtimin e delegacionit të Vatrës me z. Agim Karagjozi në krye gjatë vitit 1988, ku u dërguan ndihma dhe ilaçe për të plagosurit e UÇK-së spitalin e Tropojës. Ai kujtoi dhe intervistat që zhvilluan me Ilirin dhe ekipin e tij. Edhe gazetari e studiuesi Idriz Lamaj,i pranishën në atë udhëtim drejt Tropojës, kujtoi takimet me Ilirin dhe vlerësoi kontributin e tij në Televizionin Shqiptar.
Ish Zv. Kryetari i Vatrës z. Bushati vlerësoi kontributin e Ilir Buçpapajt në komunitetin shqiptar, veçanërisht në Vatër. Me pak fjalë, si koleg, unë vlerësova kontributin e Ilirit në fushën e gazetarisë, duke e përshkruar atë si mjeshtër të dokumentarëve historikë. Thashë se Ilir ka lënë pas një thesar të çmuar, një sërë dokumentarësh historikë, si gjurmë të pasionit të tij për dashurinë për historinë kombëtare. I biri Kreshniku, kujtoi çastet, kur babai i tij, rrezikoi jetën gjatë luftës së Kosovës, duke vënë jetën e tij në rrezik. Ende më kujtohen fjalët e babit, tha ai: -Kemi pritur kaq kohë për këtë çast. Nuk mund t’i lemë vetëm vëllezërit dhe motrat e gjakut. Dhe ishte ndër të paktët që me kamera u fut në frontin e luftës dhe solli që andej pamjet dhe zërat e luftës.
Kreshniku ndjehet krenar për babanë e tij, si e gjithë familja dhe të afërmit.
Trupi i Ilirt do të pushojë në vendndlindje sipas amanitit lënë familjes. Të Shtunën, nëse të gjitha proceduart do të ecin normalisht arkivoli me trupin e tij do të udhëtojë drejt Shqipërisë, që Iliri e deshi aq shumë. Pusho në Paqë ti, ikonë e gazetarisë shqiptare! Lamtumirë!
Please follow and like us: