Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Binjaket e pandashme…

 
Ekziston një lidhje e thellë dhe e pamohueshme mes binjakëve monozigotikë. Studimet kanë treguar se edhe në rastet kur binjakët janë ndarë që në lindje dhe janë rritur nga familje të ndryshme, kontekste kulturore apo mjedise të ndryshme, ata përsëri priren të kenë temperamente të njëjta, qëndrime dhe sjellje të përafërta. Pra të mësuarit social nuk ndikon në lidhjen që ata kanë të koduar në gjene.
Përse binjakët janë të pandashëm? Përse lidhja e tyre prevalon mbi çdo raport tjetër dhe binjakët janë njerëzit më të rëndësishëm të jetës së njëri-tjetrit? Nuk ka rëndësi se çfarë i ndan, është shumë herë më e fortë ajo që i bashkon përgjithmonë, empatia e thellë për njëri-tjetrin.
Nuk do të më mjaftonte një roman i tërë, për të përshkruar eksperiencën e të pasurit një motër binjake, një njeri pothuajse identik me ty në këtë botë. Nga njëra anë është shumë sfiduese të ruash individualizmin tënd dhe të mos perfshihesh totalisht në të qenurit “dy”. Me binjakun/binjakën tënde ndihesh gjithmonë një e tërë dhe e pandashme. Binjakët jane “soulmates” të lindur. Nuk mund ti shmangesh vështrimit të binjakes tënde, nuk mund ti thuash as “gënjeshtra të bardha” , ajo do t’i zbulojë surprizat që ti organizon për të, gjithmonë. Ju mund të jeni përsonalitete të ndryshme, por jeni shpirtra të njëjtë. 
Ne ndjejmë kur gjysma jonë tjetër nuk është mirë i përjetojmë dhimbjet por dhe gëzimet dyfish.
Një marrëdhënie binjake është më shumë se një marrëdhënie e thjeshtë vëlla dhe motër. Motra ime binjake Amanda dhe unë kemi lindur pesë minuta larg njëra-tjetrës. Jemi të pandara që nga lindja. Që atëherë, ne e kemi zhvilluar miqësinë tonë të përjetshme në një libër me histori, me shumë kujtime të kohërave që kemi pasur së bashku. Lidhja thjesht nuk mund të shpjegohet, pasi duhet përjetuar për ta ndjerë në spektrin e plotë. Vetëm binjakët mund ta kuptojnë.
Të gjithë janë vetëm në një moment të jetës, por duke qenë binjake ti nuk je kurrë vërtet vetëm. Kur binjakët ndihen të vetmuar, kanë gjithmonë dikë që t’i drejtohen, pavarësisht nga situata. Përpara se të lindin në botën reale, ata janë “shoqe barku”, kështu që kanë qenë gjithmonë të lidhura së bashku në një farë forme.
Marrëdhënia mes binjakeve më ka kuriozuar gjithmonë sepse ndjeja që i kalonte limitet e një marrëdhënie të zakonshme vëlla dhe motër. Është bekim po aq sa e vështirë. Për njerëzit ju jeni “binjakët”, kjo e bën dyfish me të vështirë rrugëtimin për ta njohur dhe afirmuar veten.
Kur unë e pashë atë nuse për herë të parë, binjaken time…mendoj se ishte momenti më i bukur i jetës time. Kur ajo gëzohet, entuziazmi është ngjitës, nëse ajo është sëmurë unë mund ta parandjej, nëse shqetësohet por ma fsheh, zemra ime ndjen se ka diçka që nuk shkon.
Binjaket nuk mund të mbajnë sekrete. Heret apo vonë ata do ti tregojnë gjithçka njëri-tjetrit.
Përballë saj, jam si përballë pasqyres. E ndjej gjykimin e saj, ndjej dashurinë në çdo moment, edhe në rastet e rralla kur grindemi.
Pak sekonda mund të qëndrojmë të mërzitura me njëra-tjetren. Marrëveshjet tona janë pa fjalë, kuptohemi vetëm me shikim. Fëmijeria është ajo që na bashkon përgjithmonë dhe sfida për të qënë një e vetme kur ne jemi pazgjidhshmerisht të lidhura bashkë.
Please follow and like us: