“Vuk Drashkoviç kritikon ashpër Slobodan Millosheviçin, por në thelb, nuk ka ndonjë dallim midis të dyve kur bëhet fjalë për pozicionet kyçe”.

Kështu thuhet në një raport sekret që ish-ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Hansjerg Eif, e kishte dërguar në selinë qendrore në Bon pas një drekë me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkoviç më 17 prill 1991, shkruan blic.rs.

Eif e dërgoi këtë raport në ministrinë e tij të jashtme nën etiketën “vetëm për përdorim zyrtar”, dhe tani është transmetuar nga gazetari i njohur Michael Martens në llogarinë e tij në Twitter, duke njoftuar një seri të publikimeve të “Frankfurter Allgemeine Zeitung” rreth “dokumenteve të de-klasifikuara gjermane që dëshmojnë shpërbërjen e Jugosllavisë dhe gjithçka që ndodhi në këtë zonë gjatë viteve 1990.

Në raport, Eif ka rrëfyer detajet më të rëndësishme të bisedës që ka pasur me Drashkoviçin gjatë drekës.

Ai ia dërgoi raportin ministrit epror në Bon të nesërmen dhe siç thuhet, “çfarë shkruhet në të u lexua me shumë interes, duke gjykuar nga shënimet e nxjerra.

Më pas Drashkoviç foli për Millosheviçin dhe Tugjmanin, për ndarjen e RSFJ, filloi lufta, fati i serbëve në Kroaci, Kosova në Serbi, zgjidhja për Bosnje-Hercegovinën, por edhe lidhjet me Karagjorgjeviçin.

“Drashkoviç beson se Jugosllavia duhet të ruhet, sepse shpërbërja paqësore e shtetit është e pamundur. Ai i quan Millosheviçin dhe Tugjmanin bolshevik. Ai thotë për Millosheviçin se ai inkurajon serbët në Kroaci në agresion dhe ngjall emocione të forta tek ata.”

Sipas raportit të Ajf-it, lideri i opozitës Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe (SPO) Vuk Drashkoviç, tha se serbët në Kroaci duhet të gëzojnë “autonomi kulturore”, njësoj si minoritetet në Serbi, duke respektuar standardet më të larta të BE-së.

“Drashkoviç theksoi se Bosnja dhe Hercegovina duhet të mbetet e paprekur, ndërsa Kosovës t’i jepet statusi i Tirolit të Jugut në Itali, por që të mos jetë e pavarur”.

Në raport, Ajf ka treguar se çfarë i ka thënë Drashkoviç për lidhjet e tij me trashëgimtarin e fronit, Aleksandar Karagjorgjeviç, dhe ka përcjellë disa nga pikëpamjet e tij.

Ai theksoi se ka biseduar me princin në Londër dhe se ai i ka thënë se nëse bëhet mbret i Serbisë ose i Jugosllavisë, do të krijojë lidhje me Kosovën dhe Shqipërinë, siç ekziston midis Tirolit të Jugut dhe Austrisë.

Në fund, ambasadori Eif la përshtypjen e tij personale pas drekës me Drashkoviçin, përcjell albanianpost.

“Megjithëse ai kritikon ashpër Millosheviçin, nuk ka shumë dallime mes të dyve kur bëhet fjalë për qëndrimet për gjërat më të rëndësishme”, ka shkruar Eif.

Meqë ra fjala, Mertens njoftoi se ky është vetëm i pari nga dokumentet e shumta gjermane që dëshmojnë për shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilat FAZ do t’i publikojë në vazhdime në periudhën e ardhshme.