I dërguari i presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Escobar ka thënë sot në konferencën përmbyllëse në Prishtinë se nuk duhet të ekzistojnë modele të Asociacionit që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës.

Ai ka thënë se modele të tjera të tij mund të diskutohen në procesin e dialogut, shkruan lajmi.net.

“Sa i përket Asociacionit nuk duhet të ekzistojnë modele që rrezikojnë sovranitetin e Kosovës. Ky Asociacion mund të dakordohet për krijimin e saj dhe është në dialog. Nuk është në interesin e SHBA-së për të imponuar diçka. Nuk është qëllimi i SHBA që ta zgjedh ndonjë model, megjithatë ne mund të ndihmojmë”, tha ai.

Ai tutje tha se qëllimi i SHBA-së është që shtetet e Ballkanit të njihen me njëra-tjetren dhe që të gjitha përveç paqes të jenë edhe në proces integrimi në Bashkimin Evropian.

“Është besim i yni që vendet në Ballkanin Përendimor duhet të jenë në BE sepse janë evropiane kulturarisht dhe historikisht.  Mendojmë në një pozitë ku të gjitha vendet njohin njëra-tjetrën, janë në paqe me njëra tjetrën dhe janë në rrugë drejt integrimit evropian”, tha Escobar.