Albspirit

Media/News/Publishing

AVENTURAT E MAÇOKUT MUSTAQEPRERË BRENDA PASQYRËS

Rifat Ismaili
Një maçok i zi bisht përpjetë, që të gjithë të njohurit e quanin Mustaqepreri, për maninë e tij, të shkurtonte e krihte mustaqet, herë pas here, nxjerr një palë gërshërë të ndryshkura nga nje sënduk i vjetër i plakës së shtëpisë së madhe mbi kodër, shkon përpara një pasqyre të errët lëshuar pa kujdes në një cep të koridorit dhe vështron veten me orë të tëra.
Pastaj, duke skrupullisur sytë, shfaq dhëmbët e bardhë, duke i buzëqeshur vetes së tij pasqyruar përballë dhe fërkon me gishta mustaqet. I kënaqur me pamjen e tij fillon t’i presë mustaqet me kujdesin më të madh, duke imituar me përpikmëri të zotin e shtëpisë, një plak i thyer në moshe, i mbajtur mirë dhe gjithmonë i merakosur të ngjante sa më i ri dhe i kuruar.
Në njërën prej këtyre ditëve, ndodhi çudia që maçoku nuk e priste të ndodhte. Ndërsa shkurtonte mustaqet, një zhurmë e beftë që vinte nga jashtë e trembi dhe gërshërët i ranë mbi qelqin farfuritës të pasqyrës.
Ai u drodh dhe nuk pati kohë as të shohë sesi në të qindën e sekondës gërshërët humbën brenda pasqyrës. U tremb akoma më shumë dhe shtangu nga habia.
– Ku shkuan gërshërët e mia?- pyeti veten maçoku.
Hodhi sytë përreth, po s’pa asgjë.
Zhurma që erdhi nga jashtë u bë më e shkoqur dhe ai u fsheh pas derës. Pa të hynte plakun dhe me hapa të rëndë shkoi ne dhomën e ndjenjies dhe u ul në minderin e mbuluar me një copë të mëndafshtë në ngjyrë të kuqrremtë. Kur plaku u rehatua, maçoku zuri vend përsëri para pasqyrës dhe hetonte. Zgjati putrën e zezë pranë xhamit reflektues, por e tërhoqi menjëherë me frikë.
Ndjeu nje rrëqethje t’i përshkonte trupin dhe një tërheqje graviteti që vinte nga thellësia e padukshme e pasqyrës. Një forcë magjie e shtynte të këmbëngulte për të prekur pasqyrën e magjishme.
“Të ndodhë çfarë të ndodhë”, vendosi me veten e tij dhe mbështeti putrën drithëruese në qelq. Në çast ndjeu një forcë ta tërhiqte brenda dhe sa hap e mbyll sytë përshkoi një tunel të errët dhe pas tunelit, u shfaq përpara tij një botë e panjohur.
Gjithçka u shfaq si një ishull mes një hapësire të madhe ujore dhe për çudi maçoku pa veten e tij të ecte mbi dy këmbë dhe të shndërruar në njeri.
Nga ana tjetër e botës maçoku ynë i shndërruar në njeri, po ecte përgjatë bregut të zbrazur e pa shenja jete të një vendi të harruar. Një tokë që shndriste nga një diell i fortë dhe pemët përreth ngjanin kuqalashe. Befas i zuri syri një hije që kur ndjeu se e diktuan u përvodh pas një peme. Ai shkoi drejt hijes dhe i thirri:
– Prit të lutem. Më thuaj ku jam?
Hija doli nga ishte fshehur dhe iu përgjigj:
– Ke mbërritur në mbretërinë e Hijeve të pavdekshme. Si erdhët këtu?
-As vetë se di- iu përgjigj njeriu mace. Nuk di dhe kush jam.
Askush se di se kush është. Edhe unë jam thjesht hije.
Nga trupi i hajthëm, flokët e gjatë derdhur gjer në bel, hija përngjante me një grua të re.
-Si të quajnë? – e pyeti njeriu mace.
-Të mitë më thërrasin Mora. Po ty si të quajnë?…
-S’e di. Kam qenë një mace, por tani e shoh veten të shndërruar në njeri.
-Mirë. Po të quaj Njeriu Mace.
Ajo iu afrua dhe e preku me njërën dorë. Pastaj buzëqeshi dhe i fërkoi përsëri gjoksin.
– Po më pëlqen gjoksi yt leshator.
Njeriu mace u krekos nga kënaqesia dhe e vuri dorën e tij mbi dorën e saj, që në të vërtetë ishte e patrajtshme dhe pa peshë.
Ndenjën disa çaste kështu, pastaj lëvizën dhe u nisën të shkonin drejt drurëve…
Në të errësuar trupi i vajzës filloi të merrte pak e nga pak ndriçim dhe nga hije e errët filluan të shfaqeshin trajtat e trupit të saj të bukur. Në fillim u shfaqën hundët e buzët, pastaj gjoksi dhe trupi, më pas llamburitën dy sy bojëqielli, flokët dhe gjithçka që i përkiste mori formën e zakonshme prej njeriu.
Njeriu mace u shtang kur e pa dhe ndali këmbët.
-Çfarë po të ndodh?- e pyeti gruaja duke buzëqeshur.
– Nuk kisha parë kurrë një bukuri të tillë! – iu përgjigj ai, duke pulitur sytë. – Kam lindur dhe jam rritur në një shtëpi të vjetër fshati, ku të vetmit njerëz që kam njohur ishin vetëm dy pleqtë e shtëpisë. Ata më donin dhe unë i doja. Më pëlqente plaku, sepse seç kishte disa libra dhe rrinte krrusur gjithë kohës mbi to. Unë i shkoja pranë dhe e vështroja me habi. Ai ulte pakëz syzet, më vështronte me dashuri e më ledhatonte, pastaj vazhdonte punën e tij mbi libra. Më pëlqente dhe kur shkonte të rruhej dhe të priste mustaqet. Dhe sa herë dilte nga shtëpia, fshehurazi dhe unë bëja të njëjtat veprime si ai. Shkoja mbi karrigen e tij, vija syzet e rënda, merrja një libër kapak trashë ndër duar dhe shihja ç’ndodhte brenda tij. Kur i hapja ata libra, dukej sikur fëshfërinin dhe prej aty shiheshin kodra dhe fusha, lule dhe zogj, fëmijë që mbanin balona në duar, autobuzë, trena, që se dija se ç’ ishin, qytete të mëdhenj që unë s’i kisha parë kurrë. Nga fotot e atyre librave fëmijët më buzëqeshnin dhe sikur më ftonin të merrja pjesë në lojërat e tyre. Ngjante si në ëndërr. Po kur hynte plaku brenda, e lija me shpejtêsi librin ku ishte dhe përvidhesha tinës për të ndenjur përsëri në shtëpizën time. Ai hynte brenda, fliste e pinte kafe me plakën, vështrohej në pasqyrë, lëpinte e përdridhte me gishta mustaqet, pastaj ulej rishtas mbi skrivaninë e tij, duke ndenjur i heshtur e i menduar. Më fal se u zgjata pak duke të të rrëfyer këto gjëra për veten time, por nuk mund të rrija dot pa të t’i thënë.
– Uauu, sa histori e çuditshme! – u shpreh Mora. – Sa mirë bëre që ma tregove, Njeriu Mace. Tek ne nuk ndodh kështu. Këtu është ndryshe.- nuk iu durua më asaj pa i treguar diçka për veten.
– Ne ditën endemi porsi hije dhe s’bëjmë asgjë. Ndërsa kur errësohet rimarrim formë e gjallëri dhe nisim të bëjmë mjaft gjëra të bukura. Kërcejmë, këndojmë, shkojmë në lumin që përshkon në mes fshatin tonë dhe ne vajzat lahemi atje. Pastaj burrat mblidhen me njëri- tjetrin dhe ndezin zjarre, pjekin mish në zgarë, pijnë verë të kuqe dhe bëjnë lojëra të ndryshme. Pasi lahemi, shkojmë edhe ne vajzat e gratë dhe u bëjmë shoqëri. Ata na marrin pranë vetes dhe fillojnë të kërcejnë me ne, gjersa zbardhet dhe nisim përsëri të trasformohemi në hije dhe ndjehemi të lodhur e të përgjumur.
– Sa bukur qenka këtu tek ju- i tha Njeriu Mace me sy të përndritur.
– Do vish me mua?- e pyeti Mora me ngazëllim. – Kemi për të ndenjur gjithnjë bashkë. S’kemi për t’u ndarë kurrë nga njëri- tjetri.
– Sa dua- i tha Njeriu Mace me zemër të përvëluar, për gjithë këto mrekulli që po i ndodhnin njëra pas tjetrës jetës së tij.
Ajo e kapi përsëri prej dore, kapërcyen drurët dhe pas një copë here u shfaqen majat e para të çative të fshatit.
Në të njëjtën kohe, plaku i shtëpisë, në botën e sipërme, ulur në kolltukun e tij të rëndë, u shndërrua në maçok dhe rendi i trembur përpara pasqyrës. Nuk po kuptonte asgjë dhe vetja e tij e kthyer në një kafshë të zezë e trembi per vdekje. Edhe plaka nga ana e saj, qe lemerisur dhe shikonte të shoqin të shndërruar në një maçok të zi të stërmadh. Ai iu afrua gruas, por ajo nxorri duart përpara dhe brriti:
– Largohu prej meje, djall!
Pastaj mbuloi fytyrën me duar. Plakut të kthyer në maçok i rrodhën lot ndër faqe dhe u përvodh si hije jashtë shtëpisë.
Jashtë e priste jeta e re prej maçoku. Dikur ai kishte qenë një shkrimtar i njohur dhe nëpër librat e tij kishte derdhur gjithë muzën dhe fantazinë duke krijuar përralla dhe tregime fantastike për fëmijë.
Nëntor 2021.
Please follow and like us: